Kukësi është qyteti më i parë, në të cilin drama e të shpërngulurve shtresohet dhe më pas, valë-valë shpërndahet nëpër qendra të tjera të Shqipërisë. Po nga këtu, përmes valëve televizive ajo përcillet nëpër kryeqendra të botës.
Nga Ditari i Petrit PALUSHIT, Kukës
Të shpërngulurit përpiqen të rrëfejnë se çfarë ka ndodhë dhe ç’po ndodh në Kosovë. Ata bëjnë përpjekje të ekspozojnë dramën e tyre. Por kjo gjë është vetëm maja e aisbergut. Është njësoj si të hapësh kapakun e grykës të një pusi dhe të dëgjosh vetëm zhurmën
që vjen që nga thellësia e pusit.
Ylber N. Elezi, President i Firmës “Marsi”, më thotë se të shtunën e 27 Marsit ndodhej në Gjermani dhe me të marrë lajmin për dyndjen e madhe të kosovarëve nuk priti më dhe u kthye në Kukës. Po të shtunën e 27 Marsit, Dashnori, vllai i vet doli në shesh dhe mori një familje prej 16 vetësh , familjen e Çerkin Hysenit (prej Pirane). 12 vetë i strehoi te apartamenti në pallat (dy dhoma e një kuzhinë), ndërsa 4 vetë i mori te shpija e tyre ku banonin. U kishte thënë: “Këtu do rrini si te shpija juaj. Të njani – tjetrit jemi”.
Ylberi më thotë: “Shkojmë dhe i vizitojmë shpesh te apartamenti ku banojnë. Edhe ata vijnë. U familjarizuam aq shpesh sikur t’ishim njoftë e të kishim miqësi prej vitesh”.