E mërkurë, 21 prill 1999, Kukës: Mikpritje e paparë për vëllezërit kosovarë

Qemal Sinamati (përgjegjës i shërbimeve publike në Bashki), thotë se të premten e 2 prillit ose ditën e shiut të madh, çoi në zyrën e tij të strehonte një familje nga Malisheva, familjen e Ruzhdi Paçarizit. E gjeti këtë familje 11 anëtarëshe pranë sheshit të qytetit, aty nën qiell të hapët dhe në shi.

 Nga Ditari i Petrit Palushit, Kukës

Qemali kallëzon se, po t’i shihje më gjatë ata fëmijë të futnin dhimbjen dhe ishin pikërruar prej të ftohtit sa s’thuhet. Duke qenë e pamundshme t’i çonte në shtëpinë e vet (në shtëpi kish 18 vetë nga të ardhurit dhe s’qe e mundshme nga të silleshe), atëherë, së bashku me të birin, Paridin dhe aktorët  Gëzim Bilali e Qazim Veliu, i morën dhe i çuan     në zyrën e tij, në ndërtesën e shërbimeve publike. Më pas u çuan bukë dhe ushqime të tjera. Por, ndërkaq, më i vogli i fëmijëve filloi të qajë me të madhe dhe nana e vet tha se ai është ftohur dhe s’kish si të mos ftohej se kishin dalë prej shtëpie qysh prej njëzet ditësh, se kishin qenë ngrënë e pa ngrënë, me ujë e pa ujë dhe se kishin pasë vetëm qiellin mbi krye.

E ëma e fëmijës ndihej e shqetësuar për fatin e tij, se tani s’kish kush të kujdesej për të në spital (pasi i ati i fëmijës ndodhej i punësuar në Slloveni    dhe prej dy muajsh i kishin humbur lidhjet me të). Ndërkohë, thirrën mjekun Misin Braha, i cili u kujdes shumë për fëmijën. Por, mjeku, mbas tre-katër ditësh e hoqi këtë familje nga ajo ndërtesë dhe       e çoi për pak ditë në shtëpinë e një nipi të vet në katundin Nangë.

Studiuesi Nazif Dokle më thotë se qysh prej fillimi mori 21 vetë dhe disa prej tyre i futi ne dhomën e librave. Halim Shehu (me banim në katundin Nangë), më thotë se për dy javë kishte te shpija e vet 14 vetë    të Zhurit (prej Fisit Ajazaj). Para dy ditëve u larguan  prej aty, ndërsa dje mori 8 vetë të katundit Demjan  të Hasit. Nga Fisi Krasniqe, me në krye plakun Ali  Krasniqi.

Teki Bulica (me banim në Kolesjan), më thotë se në fillim të prillit mori 9 vetë. Halil Cengu më thotë se qysh në krye të herës mori 860 vetë dhe i strehoi te ndërtesa e ish -kinemasë dhe aty rregull i plotë si me qenë në konvikt. I ndihmoi shume UNHCR-ja dhe Kryqi i Kuq me ushqime e veshmbathje. Mbas dy javësh mbetën 480 vetë se të tjerët u larguan në rrethe të tjera. Ai shton se një grua që banonte aty, leu vajzë në maternitet dhe emrin familjarët e vet ia ngjitën Kinema.

Bajram Hallaçi (mësues i frëngjishtes), kallëzon se te shpija e vet, në katundin Përbreg mori 34 vetë dhe shton se mielli që kishte po i soset. Por vështirësia më e madhe për të është se ai s’ka ku të flejë. Ka dy dhoma, por janë shumë të vogla. Atëherë, është i detyruar të vendosë një dyshek dhe mbulojë mu në tavanin e shtëpisë dhe të kalojë natën aty. Ai thotë se për kah natyra njeriu duhet me sakrifikue për njeriun, aq më tepër që ne jemi shqiptarë. Ndërkohë shton: “Edhe në mes të gëzimit kam vuajtje, kam dëshpërim, kam lodhje të shpirtit kur shoh gjith’këto njerëz që vijnë e vijnë. Me të nxjerrë me dhunë prej tokës tande asht  njilloj si me të heqë shpirtin prej trupi”.

Beqir Hallaçi (me banim në Përbreg), më thotë se mori dy familje të mëdha 46 anëtarëshe të Bellanicës e Shkozës së Malishevës, ndërsa Daut Murataj (me banim në Gostil) mori një familje 9 anëtarëshe.