E martë, 6 prill 1999 Kukës: Eksodi biblik vazhdon përsëri

Shifra të konfirmuara flasin për 18 mijë të shpërngulur, që erdhën vetëm ditën e sotme. Por shifrat flasin se, prej së shtunës së 27 prillit dhe deri në mbrëmjen e sotme, pikën doganore të Morinit e kaluan 256 mijë vetë, nga të cilët, 107 mijë shkuan për në zona të tjera të Shqipërisë.

 Nga ditari i Petrit PALUSHI, Kukës

Me gjithë lëvizjen e tyre për më në thellësi, lëvizje që nis sapo çel drita dhe deri kah mesdita, ajo nuk dihet e saktë, duket e sipërfaqshme dhe kjo për shkak të numrit të madh të njerëzve.

Aty kah ora 9, në katin e parë të ndërtesës së Bashkisë, shpërndahet bukë. Edhe pranë ndërtesës së Telekomit, por këtu bukët hidhen nga karroceria e një makine ushtarake, ashtu siç mund të hidhen tullat. Një grumbull i madh njerëzish zgjatin duart drejt makinës dhe presin bukë. Por ngarkesa me bukë mbaron shpejt. Njerëzit largohen të pezmatuar. Njëri prej tyre që ish vendosë në ish – këndin e lojnave për fëmijë thotë se del çdo ditë këtu me marrë bukë dhe kur arrin me marrë katër të tilla ndihet shumë i lehtuar se ka një tubë fëmijësh të vegjël dhe në pamundësi t’u çojë diçka tjetër, të paktën t’u çojë bukë.

Askush nuk e di se ç’do ngjasë më tej.

I gjithë qyteti ndihet si i mbërthyer në darën e krizës së thellë dhe e ka të vështirë t’i shmanget asaj. Çdo ditë që vjen më pas duket e frikshme, e pasigurte . Në qytet dhimbja shpërndahet si stërpikat e shiut nëpër udhë. Por shpërndahet edhe frymë njerëzore, një lloj dashnije që askush s’e di saktësisht se prej kah rrjedh, mbasi ajo del shkulmë-shkulme dhe shpërndahet kudo, por shumë më    e madhe se dhimbja që ka mbërthye sidomos të        shpërngulurit e vendosur në Kukës dhe ata që nisen për në zona të tjera.

Aty kah mesdita takoj në Morin, Xhemil Shahun, përfaqësuesin e UNHCR-së, i cili më thotë se askush në botë s’mund ta merrte me mend se do shpërngulej gjithë kjo masë e madhe njerëzish. Ai thotë se ishte parapa që mund të vinin rreth 60 mijë vetë (nga Prizreni dhe Gjakova me rrethina), por kjo ardhje mund të shihej si e ngadaltë. Kurrsesi nuk mund të shihej një fluks i tillë, që vështirë edhe të imagjinohej, por janë njerëzit e këtij qyteti, njerëzit pothuajse të vuajtur të tij, që e kanë përballuar dramën e parë të madhe. Ai thotë i entuziasmuar se e ndien se kthesa po merr për mirë dhe kriza ka filluar të pakësohet dhe tkurret, pavarësisht se të shpërngulur vijnë e vijnë çdo ditë. Ai shton se para tre ditësh në Kukës mbërriti një drejtues i ri ekipi, Daniel Endres, njeri që mban në vetveti shpresa të mëdha (Ai është shprehur se duhet bërë shumëçka që këta njerëz t’i ikin dramës së madhe që i ka përfshirë. Por para kësaj, këta njerëz duhet t’i ikin urisë, etjes dhe dalngadalë do t’i largohen stresit). Më pas, Xhemili më thotë: “Këtu do jemi prap edhe mbas dy javësh dhe do shohim se e keqja këtu do jetë kapërcye”.

Në grumbullin e njerëzve pranë Doganës së Morinit do gra të Krushës së Madhe flasin për shumë e shumë gjëra që po ndodhin atje, por ajo çka i ka tmerruar dhe sikur i ka futur të gjallë në dhé prej dhimbjes, siç thotë njëra prej tyre, është masakra e ushtrisë serbe të premten e 26 marsit. Më kallëzojnë se dëmi më i madh ka rënë në familjen e Myftar Zeqirit dhe unë shënoj emrat e dy prej fëmijëve të masakruar: Valonit, 13 vjeç dhe Albulenës, 9 vjeçe.

Njëra prej tyre thotë: “Njeriut vetëm kur i shkon ndërmend se ç’po ndodh atje duhet t’i luajë mendja e kresë. Por dhimbja ka nisë të bëhet varr, dhe kur bëhet kjo punë, s’ka më keq dhe më rëndë për njeriun. Po e lutim Zotin të mbarojë me kaq!”.

Shumë prej fëmijëve që erdhën në Kukës mbajnë emra që s’janë përdorë ose janë përdorë shumë pak në këtë gjysmë Shqipërie. Ja, për shembull, emrat Valon dhe Albulenë që m’i përmendën gratë e Krushës së Madhe në Morin, apo emra të tjerë, si: Egzon, Jeton, Ambla, Andrra, Sihanë, Kaltrinë, Flakë, Vesë, Berat, Shkodran, Vlorë, Vesë, Rron, Liridon, Liridona, Leutrim, etj.

Shkodran Susuri, 19 vjeç (prej Zhuri), më kallëzon se motra e tij mban emrin Vlora, ndërsa vëllai mban emrin Shqipëran.

( Fotoja është rifotografuar në Muzeun e eksodit në Kukës)