E martë, 30 mars 1999, Kukës: Ajet Cena strehon  në shtëpinë e tij 76 vetë!

Edhe hapësinat ndërmjet ndërtesave. Edhe udhët që të çojnë për në Bicaj, Krumë apo dhe udha kryesore për kah Tirana kanë një trafik të jashtëzakonshëm. Të ngjan se, herët a vonë udhët do të fundosen, ashtu qetë – qetë dhe pa e ndier askërkush se do të ndodhë një gjë e tillë.

Petrit PAKUSHI, Kukës

Askush këtu s’e çon nëpër mend se diçka e kësillojtë mund të ndodhë, apo diçka e përafërt si kjo dhe që ka të bëjë me humbje, zhdukje, rrënim, përveç alarmit në shtypin e përditshëm se, nëse një ditë mund të kapërcehet në Kukës, nuk mund të dihet se ç’do të ndodhë me ditën që vjen pas. Mund të vdesin njerëz prej urie. Mund të vdesin dhe prej etjes. Në këtë qytet mund të plasë epidemia dhe, e pamëshirshme mund të marrë përpara çdo gjë dhe jetë njerëzish mund të priten, ashtu siç pritet bari. Qyteti mund të kthehet në një varr gjigand… Dhe hamendjet, shpesh janë nga më të çuditshmet. Gazetarët, shpesh të hipur në kalin e ëndrrave dhe përfytyrimeve vrapojnë ngutshëm, vrapojnë dhe përsëri vrapojnë ngutshëm, dhe, ndërsa përpiqen ta japin atë realitet me dritat e tyre të venerimeve, përsëri sillen e mbështillen në pyetjet e ankthshme: Ç’do të ndodhë me këtë qytet? Ç’do të ndodhë a ç’do të bëhet me këta njerëz?

Kudo sheh njerëz dhe në çdo orë të ditës apo të natës mund t’i shohësh përjashtë.

I sheh nëpër të gjitha rrugët e qytetit, i sheh rreth e përreth tij. Mund t’i gjesh në shkallët e ndërtesave. Mund t’i gjesh në ish – Parkun e braktisur të lojnave të fëmijëve. Por mund t’i gjesh brenda ndërtesës së xhamisë dhe përreth saj. Mund t’i shohësh duke ecë, por mund t’i shohësh dhe në traktorët e tyre tek kalojnë natën aty, në mbretërinë e akullt. Ndërtesat e qytetit, kryesisht me katër dhe pesë kate, para kësaj lumnaje njerëzish që fryhet e fryhet, sikur tkurren dhe shuhen krejtësisht.

Qyteti është ngushtë përjashta, por është ngushtë edhe përbrenda.

Në një apartament mund të jenë strehuar 20 vetë. Diku 25 vetë. Por diku edhe 40 vetë. Edhe 60 vetë. Edhe 70 vetë a më tepër. Ajet Cena (me banim në Gostil), më thotë se ka marrë te shpija e vet 76 vetë.

Shkoi te ish – Parku i Ri se mos gjendeshin aty familjet e të njohurve të vet: vllezërve Shani e Muharrem Ademaj prej Zhuri. Nuk i gjeti. U afrua te një makinë dhe brenda pa një plakë të sëmurë dhe dy burra. “Do vini te shpija ime”, u tha. Mbasi e la atë familje te shpija e vet, u kthye risht te ish

Parku i Ri. Aty gjeti familjet e Shani e Muharrem Ademaj, edhe të Rami Ademaj prej Zhuri, por me banim në Prizren. “Nisemi te shpija ime”, u thotë Ajeti. “Falemnderës”, i thotë Muharremi “por kemi t’afërm të tjerë këtu”. “Të vijnë edhe ato”, u thotë Ajeti. “Bëjmë si bëjmë”.

Ajeti tregon se u mblodhën krejt në shtatë zetora dhe mbërritën te shpija e vet. I strehoi ku të mundte. Edhe në ballkanin e madh të shpisë u sistemuan afër 20 vetë.

Si e kaluat natën e parë? – e pyes Ajetin.

Si ta kalonim? – foli dhe nisi me buzëqeshë. – Kishin marrë edhe bukë e ushqime me veti dhe e kapërcyem atë natë. Si me thënë, i përziem edhe ushqimet.

Po e nesërmja si erdhi? – e pyes Ajetin.

Si një mëngjes mbas një nate të gjatë, – ma ktheu. – U ngrita aty kah ora shtatë dhe shoh se gratë e familjeve, përnjimend si do pastërtore të      zonja po e pastronin oborrin e madh tej-e-përtej.

Ai shton: “Tani ata po mësohen, por edhe familja ime po mësohet me ta. U familjarizuam. Kemi  caktuar  edhe  Avdullain  (Dulin),  djalin e Muharremit si përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve”.

Ismail Dida më thotë se apartamentin, që ka këtu në Kukës ua lëshoi 23 vetëve dhe me familjen e vet u zhvendosën te shpija që kanë në katund (Përbreg).

Mësuesi Isuf Cahani më thotë se mori 17 vetë te shpija e vet, anipse banesën e ka të ngushtë. Ai shton se Cen Zylfija mori 62 vetë me i strehue te shpija e vet.

Isa Zeneli më tregon se mori 8 vetë, t’afërm të vet, familjen e Zaim Memës prej Zhuri.

Agim I. Gjana (me banim në Gabrricë) më tregon se të dielën e 28 marsit erdhi në Kukës dhe mori 19 vetë.

Sokol Nela më tregon se mori 46 vetë dhe shton se po vijnë rreth si duhet se banesën e ka të bollshme. Si me mahi shton se caktoi babën e vet, Azemin, si kujdestar për bujtësit dhe familjen e tij. Hulusi Hoxha thotë se mori 21 vetë dhe i vjen keq se s’mund të marrë më tepër. Ai shton se shpijat e vogla, apartamentet nëpër pallate po ua hanë shpirtin dhe bash këto ditë u duken edhe më të vogla.

Vëllai im, Lulzimi, mori 27 vetë në apartamentin e vet. Si me keqardhje më thotë se s’ka mundësi me marrë më tepër.

Komshija ime, infermierja Vjollca Cenaj, me të cilën jemi dera – deras më thotë se mori 7 vetë. “S’kam ku t’i çoj më tepër”, më thotë. “Kam veç një dhomë e kuzhinë”. Komshiu im, Liman Zeneli mori 32 vetë. Nijazi Selmani më tregon se mori 36 vetë. Skulptori Hilmi Hoxha thotë se mori 14 vetë dhe mund të marrë edhe disa të tjerë. Ndërsa Hysni Lisha thotë se mori 12 vetë. Shemsi Elezi më tregon se mori 39 vetë dhe do marrë edhe nja dy familje të tjera se ka vend ku mund t’i sistemojë. Sulë Gashi (prej katundit Nangë), më thotë se mori një familje të madhe prej 40 vetësh, prej Mushtishti krejt si vllazni. Ndërsa Ramadan R. Doda më thotë se mori 23 vetë dhe i sistemoi në apartament, ndërsa vetë u zhvendos te shpija e re, që po e ndërton, anipse është e papërfunduar.

Isak Cengu më thotë se mori 23 vetë dhe po të ketë mundësi ku me i strehue merr edhe 23 të tjerë. Tre punonjës të sportit (Hajri Ademi, Veli Domi, Selman Spahiu), hapën godinën e Sport – Klub Kukës dhe strehuan aty afër 200 vetë. Por sikur ankohen se s’kanë mundësi t’i strehojnë te shpijat e tyre. Hajriu thotë se sa mori 22 vetë te shpija e vet, Selmani 16, ndërsa Veliu 18 vetë.

Arben Haziri më thotë se mori 16 vetë, familjen e Muharrem Hoxhës prej Suhareke. Safet A. Elezi më thotë se mori një familje të madhe 16 anëtarëshe. Nuk mund të regjistrohen me saktësi (të paktën, tani për tani) se nga sa vetë janë strehuar nëpër familjet e banorëve të Kukësit, por tashmë dihet se të gjitha dyert janë të hapta. Qyteti me rrethinat e tij janë zhytë në të panjohurën që vazhdimisht sjell ankth: Ç’do të bëhet? Kaluan dy – tri ditë, po të tjerat që vijnë mbas?

Por në Kukës apartamentet janë të ngushta, jashtëzakonisht të ngushta. Një dhomë e kuzhinë. Një pjesë dy dhoma e kuzhinë. Por pak, shumë pak, tri dhoma e një kuzhinë. Pavarësisht nga këto, hapësinat e apartamenteve janë të vogla. Shumë të vogla. N’apartamente ku të merret fryma. Të gjitha apartamentet njësoj, e njëjta madhësi e dhomës, e kuzhinës, e njëjta madhësi ballkoni. Nuk dihet si do vazhdojë jeta në këtë qytet, në këto apartamente, por dihet me saktësi se apartamente të tilla kanë mbetë si relike të kohës së regjimit komunist kur u ndërtuan dhe ku udhëheqësia shtetërore e kohës krenohej cinizshëm me këtë qytet se, mund t’ish i vetmi në botë pa ndërtesa private.

Apartamentet janë të mbushura.

S’ka mbetë edhe magazinë e vjetër, e lënë pasdore, që të mos mbushet me njerëz. S’ka mbetë oborr shkolle pa u zënë me traktorë. Edhe natën, shkollat e qytetit mbushen, ndërsa ditën, zbrazen që të marrin ajër. Natën që vjen, shkollat mbushen përsëri. Mesa duket, të gjitha apartamentet janë mbushur, s’mund të marrin më, janë mbushë edhe ndërtesa të tjera të mbetura bosh, prandaj të ardhurit drejtohen për kah sheshi, për kah xhamia, ose drejtohen për kah oborret e shkollave, të çerdheve dhe kopshteve të fëmijëve, për me gjetë strehë për një natë, vetëm për të parën natë, sepse e nesërmja s’dihet se ç’mund të sjellë. Autobusët dhe automjetet ushtarake që vijnë për t’i marrë, janë pak, shumë pak dhe nëse mbushen dhjetë prej tyre dhe nisen për në rrethet e tjera të Shqipërisë, kjo gjë s’vihet re, pasi ka të ardhun të tjerë, që ia mësyjnë sheshit. Është njësoj si të mbushësh një kovë me ujë në një çisternë të madhe, shumë të madhe dhe të kërkosh që me këtë kovë të zbrazësh çisternën.

E vetmja ndërtesë e zbrazët që s’është mbushë me njerëz në këtë qytet, është një ndërtesë trekatë- she ngjitmas me Radio-Kukësin, e ndërtuar qy- shprej dhjetë vjetësh a ma tepër vjetësh dhe e papërdorshme qysh asokohe. Kjo ndërtesë në këto ditë të ngjan si një monument i paprekshëm, si një monument që s’mund të përdoret prej askujt, as në ditët kur shiu mbulon qytetin dhe ç’bie jashta futet në trupat e të pastrehëve, që mund të jenë para ndërtesës së Radios, n’oborre të shkollave, në sheshin qendror të qytetit apo përpara ndërtesave të Telekomit, Drejtorisë Arsimore dhe asaj të Bankës.

Në qytet futen e futen njerëzit

Pak lënë qytetin. Shumë pak. Tashmë në këtë qytet është bërë e zakonshme pyetja që i bëjnë banorët e Kukësit njëri – tjetrit:

Sa vetë keni? Njëjtë si të thuash: Sa kosovarë keni në shtëpi? Dikush mund të thotë se ka 6, një tjetër thotë se ka mbi 20 vetë, por një i tretë thotë se ka një familje të madhe me shumë anëtarë. Dikush thotë se kish kërkuar të merrte vetëm pak vetë se aq mundësi kishte, por familja kish qenë me 22 anëtarë, prandaj i është dashur t’i marrë të gjithë. Por, secili që tregon numrin e bujtësve, flet me një lloj krenarie të brendshme, por dhe me një lloj qortimi po të brendshëm se s’kanë mundësi të marrin më tepër.

Milaim S. Elezi më thotë se ka në shtëpinë e vet 18 vetë.

I mori qysh të shtunën familjet e Remzi Ademaj dhe Sami Mujës. Ndërkohë, shton: “Kjo punë është shkurt, shumë shkurt dhe për këtë gjë ma ka ndier zemra. Krejt njerëzit rrëshqasin teposhtë, ndërsa Millosheviçi këtë herë ka rrëshqitë përpjetë. Millosheviçi ka menduar se këta njerëz janë pa njerëz, se s’kanë ku mbështeten dhe ka harruar se jemi të një gjaku. Këto njerëz për tre muaj do kthehen prap e Millosheviç nuk ka për të pasë. Dhe këto, sa të rrinë le të rrinë. Janë në shtëpitë e veta. Ne jemi të njani – tjetrit. Vetëm gjaku s’bahet ujë”.

Nëse nuk dihet me saktësi se sa vetë kanë marrë në shtëpitë e tyre banorët e qytetit dhe të rrethinave, tashmë një gjë është e saktë se, të pakta, shumë të pakta janë familjet që s’i janë nënshtruar rregullit të përgjithshëm dhe të pashkruar, që në shtëpitë e tyre të bëjnë strehë për të ardhurit. Ka raste kur, familje të këtushme, kanë lidhje farefisnie me familje të Prizrenit, Gjakovës dhe rrethinave të tyre, por rasti e ka sjellë të marrin familje të tjera. Tani, s’mund të kuptohet frymëmarrja e një familje, pa pasë dhe frymën e pjesëtarëve të një a dy familjeve të ardhura.

Qyteti sikur është veshë me pëlhurën e tejdukshme të dhimbjes. Nuk dihet se kur do të çahet kjo perde, por askush s’e mendon si do të çahet.

Më vjen ndërmend se dy javë para 27 marsit shoqërova në përkthim një gazetar holandez te Prefekti Qemal Elezi.

 Kodi i moralit nuk ndryshon 

Po sikur të vijnë 50 mijë vetë nga Kosova, çfarë do të bëni? – e pyeti Prefektin.

Çfarë do të bëjmë? – Të pamundshmen, – iu përgjigj ai. – Do hapim shtëpitë tona. Ku do rrimë ne do rrinë edhe ato, edhe sikur 200 mijë vetë te jenë. Jemi shqiptarë si në Kosovë, si këtu. Ky është kodi i moralit tone dhe kodi i moralit nuk ndryshon.

Mësuesi i letërsisë Sabri Bresa (Me origjinë prej Buzëmadhes të Kukësit dhe me banim në Prizren, i strehuar këto ditë te familja e Mahmut Peposhit), më tregon se një katund aty afër Prizrenit e granatuan forcat ushtarake serbe. I zoti i një shtëpie qe larg shtëpisë së vet, por granatimet e kapën dhe  atë. Trupi i tij qe dëmtuar dhe qe nda copa-copa. Mbas do kohe, mesa duket pas gjurmëve t’zotit, avitet qeni i shtëpisë, njeh pjesët e trupit të t’vrarit dhe e merr njërën dorë, ashtu të përgjakur, ku pjesë të mishit qenë përzier me pjesë të setrës, e vendos në gojë dhe e çon në oborrin e shtëpisë t’zotit. Njerëzit e shtëpisë, e marrin me mend menjëherë ç’kish ndodhë dhe ia nisin nga britmat, britma që të futnin për së gjalli në dhé.

Sabriu shton se këtë gjë e mësoi sapo mbërriti në doganën e Morinit dhe s’u tregua i kujdesshëm të shënonte emrin e familjes, së cilës i ndodhi një  gjëmë e tillë, por kur unë i lutem të interesohet më tepër për këtë gjë, thotë se do jetë këtu për disa ditë dhe do bënte çmos për të mësuar më tepër për fatin e asaj familje.