E martë, 20 prill 1999, Kukës: Kosove e ballafaquar vetëm me të zezën

Mjeku kirurg Ylber Vata tregon se mori një   familje të madhe prej 24 vetësh dhe i çoi te shpija  në Surroj, se banesën në Kukës e ka fort të ngushtë, vetëm një dhomë e kuzhinë. Shkoi dhe i vizitoi dy herë dhe u bleu edhe ushqime dhe tesha.

 Nga ditari i Petrit Palushit, Kukës

Në krye të dy javëve i gjeti para një çadre ngjitmas me sheshin qendror të qytetit. “Pse erdhët?” – u tha. “Aty ishit shumë mirë”.

Kryefamiljari ia ktheu: “Ishim shumë mirë, por  erdhëm se këtu kemi edhe t’afërm të tjerë”. Ndërsa  një vajzë si 13 vjeçe foli duke qeshë: “Unë u mërzita se s’kisha ku me ble shampo”.

Pakëz më vonë e pyes mjekun:

Si e përballoni gjendjen në spital? Thuajse me frymë, – më thotë ai. Megjithatë, fryma soset dikur, – i them. Në kësi rastesh nuk soset. Zoti na e shton më tepër, – thotë ai. – Gjendja në spital është tepër e rëndë, dramatike. Çdo ditë vijnë kosovarë të sëmurë, të traumatizuar. Mjekët dhe infermierët gjenden natë e ditë te spitali në shërbim të tyre. Më bën përshtypje se fëmijët, kur ballafaqohen me të bardhën, me muret me ngjyrë të bardhë, por edhe  me bluzat e bardha të mjekëve dhe infermierëve, e bardha në fillim sikur u sjell shqetësim.

I them: – Ndoshta kjo ndodh se në shtegtimin prej Kosove janë ballafaquar vetëm me të zezën. Prandaj në sytë dhe mendjet e tyre lind vetvetishëm kontrasti.

Por, – shton mjeku, – fëmijët, edhe pse të sëmurë lëvizin, sikur kërkojnë të jenë më të lirë.

Natyrisht, – ia kthej unë. – Kërkojnë lirinë e mungueshme në Kosovë, atë që i mungonte prindit, fëmijës, por edhe krejt Kosovës tash e një shekull.