E hënë, 31 maj 1999, Kukës: Gazetarët e huaj s`arrin të hyjnë në Kosovë  

Gazetarët e huaj në këtë qytet kanë botën e tyre  të patrazueshme. Ata janë nga shumica e vendeve të botës dhe mund të them se kanë ditur ta kapin menjëherë dramën e njerëzve që u përzunë me dhunë nga vatrat e tyre.

 Nga ditari i shkrimtarit, Petrit Palushi, Kukës

Përgjithësisht korrektë me njerëzit që punojnë, qofshin këta përkthyes të tyre, shoferë, me sportelistët e hoteleve, me kamerierët apo dhe me të zotët e shtëpive, në shtëpitë e të cilëve banojnë me qira. Zakonisht përkthyesit i paguajnë më mirë gazetarët amerikanë, gjermanë e anglezë, ndërsa rekordin e pagesës së përkthyesve e mbajnë japonezët. Ka raste ku ka mosmarrëveshje ndërmjet përkthyesit dhe gazetarit të huaj për punë të pagesës, sa, kur gazetarit i duket pagesë e lartë për t’i dhënë përkthyesit, ai shprehet: “Unë s’jam gazetar amerikan të paguaj aq sa kërkoni ju”. Por, përgjithësisht pazaret e pagesave ndërmjet gazetarëve të huaj dhe vendasve rregullohen lehtas dhe të dyja palët vazhdojnë punën në harmoni të plotë dhe pa telashe për njëri – tjetrin.

Të gjithë gazetarët e huaj, pa përjashtim, në informacionet e tyre shkruajnë emrin Kosovo. Shumë rrallë, ata shkruajnë këtë emër siç duhet shkruar: Kosova. Me gazetarët që më ka rënë rasti të bisedoj, qoftë në biseda të rastësishme apo duke punuar me ta në përkthim jam munduar të shpjegoj mbi keqpërdorimin e kësaj fjale prej tyre dhe duke thënë se Kosovo është një përdorim i gjuhës serbe dhe vetëm i saj dhe në çdo rast fjalët duhet të kenë saktësinë e tyre. Shumë prej tyre thonë se ky është një model i mbartur prej kohësh dhe e kanë të vështirë të shkëputen prej tij dhe ndërrimi i këtij termi mund të krijojë probleme me shefat e tyre. Jam përpjekur t’u shpjegohem se tani shumë gjëra po ndërrojnë dhe, ndërsa po krijohet një klimë realisht rreth Kosovës, kjo do ndodhë edhe me emrat gjeografikë të saj. Vetëm Marie Laure Colson e Liberation-it më është shprehur se do të përpiqej të bënte këtë ndryshim. Ndërsa Marcin Meller, gazetar në Polityka të Varshavës, thoshte se shefi i tij menjëherë do ta fshinte dhe do ta shkruante përsëri Kosovo. Pra, gazetarët janë shumë indiferentë për gjëra që atyre u duken të vogla ose e kanë vështirë të dalin jashtë një modeli të krijuar më parë. Kur gazetarit turk, Alp Tekin, të Kanalit 6, i kam thënë se së shpejti Kosova do pavarësohet dhe atëherë, edhe të gjithë gazetarët e huaj do detyrohen të shkruajnë saktë edhe emërtimet gjeografike, atëherë ai u shpreh: E dhëntë Zoti!

Emrin e katundit Morin, aty ku është dogana dhe ende muri ndarës Shqipëri – Kosovë, gazetarët e huaj e shqiptojnë dhe e shkruajnë jo saktë: Morina ose Morinë. Por nuk mbeten pas edhe gazetarët e shtypit shqiptar apo dhe të televizionit shtetëror. Madje, televizioni shqiptar më së shumti përdor Qafa e Morinës. Në anën tjetër, një gazetar italian më thoshte se ishte i detyruar ta përdorte Morinë dhe jo Morin, sepse kështu e kishte gjetur në një hartë të botuar në Tiranë dhe më tregoi edhe hartën e botuar para një viti. Duke vendosur gishtin mbi fjalën Morinë, ai paraqitej fitimtar sikur të më tregonte se ky gabim nuk rridhte për fajin e tyre.

Ndryshe ndodh me gazetarët vendorë që punojnë me Televizionin apo Radio Kukësin: Gjithmonë e përdorin të saktë emrin e katundit Morin. Edhe kur përcjellin ndonjë informacion në gazetat qendrore, përgjithësisht fjala Morin shkruhet e saktë, ndërsa kur përdoret gabim, kjo mund të shihet vetëm si gabim i rastësishëm.

Gazetarët shpesh kërkojnë harta të Shqipërisë apo Kosovës. Por kërkojnë edhe harta të Kukësit e Hasit. Librashitësja e qytetit, Adelina Shehu, më thotë se shumë gazetarë vijnë çdo ditë në librari dhe pyesin për harta të tilla dhe kur ajo u thotë se nuk gjenden, por mund të gjenden në Tiranë, ata ikin të pezmatuar, por prapë në krye të javës ata mund të vijnë rishtaz në librari      me të njëjtën kërkesë që kthehet në një ritual të përditshëm.

Në mbrëmje, aty rreth orës 20, Granit Zhupi, 9 vjeç, që ndihmon babën e vet kalon tavolinë në tavolinë aty ku rrinë gazetarët dhe shet gazeta në gjuhë të huaja. Në çdo rast ai përsërit frazën: “Do you need a newspaper?”.

Por shpesh gazetarët dhe kameramanët e huaj bëhen nervozë, sidomos kur e shohin se e kanë të vështirë të kapërcejnë kufirin dhe të futen më në brendësi të Kosovës. Ardian D. Elezi punon përkthyes me Murata Shinichi, një fotograf japonez që kish punuar në shumë vende të botës. Ardiani tregon se fotografi ishte i shqetësuar se nuk kish mundur ende të siguronte lejen të futej në Kosovë

E takoj fotografin (Ardiani përkthente prej rusishtes) dhe më thotë:

“Po më shkatërron pritja e gjatë. Kam punuar në shumë vende të botës. Kam qenë dhe në Bosnje. Por kam qenë edhe në Kosovë në fillim të këtij viti. Në Bosnje rastësisht kam shpëtuar për pak nga vdekja se rashë në një vend të minuar. Ndihem i shqetësuar se nuk kam mundur ende të siguroj lejen të futem në ato vende ku mendohet se në Kosovë janë të lira ose në fund të fundit të jem pranë luftës, ose po të qe e mundshme të futem edhe aty ku zhvillohet lufta”.

Por s’është vetëm fotografi Murata Shinichi që pret të futet në Kosovë. Të gjithë gazetarët e tjerë, kameramanët dhe fotografët që ndodhen në Kukës, e ndjejnë të domosdoshme të shkojnë atje, ku s’dihet ç’bëhet. Shumë prej gazetarëve thonë se informacionet e tyre po bëhen monotone dhe vetëm futja në Kosovë mund t’i shpëtojë nga ky siklet.

Por ky ekip i madh dhe i pazakontë gazetarësh, kameramanësh dhe fotografësh, ka si të thuash një rregullator të punëve të tyre. Jonuz Kola, ky rregullator i çuditshëm, nga vendasit është ndër më të njohurit dhe më të kërkuarit për gazetarët e huaj. Njohës i mirë i anglishtes, ai merret më tepër me plotësimin e kërkesave të tyre: I ndihmon të gjejnë përkthyes, u jep informacione të ndryshme për trevën, u gjen banesa me qira dhe brenda ditës mund ta gjesh në mjedise të hoteleve të qytetit, në Morin, në Krumë, por ka dhe raste kur niset për në Tiranë në mbrëmje vonë dhe aty kah paraditja prapë do ta gjesh në Kukës. Ai, dashur padashur është kthye në një pikë të dobët për ta.