E hënë, 10 maj 1999: Dhjetë ditë në këmbë deri në Kukës

U rihap përsëri pika e kalimit Morin.

Gjatë gjithë ditës së djeshme dhe deri në orën 14 të ditës së sotme erdhën në Kukës rreth 14 mijë të shpërngulur me forcë nga trojet e tyre.

 Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi Kukës

Të ardhurit e dy ditëve të fundit janë banorë të Mitrovicës dhe të rrethinave. Ata thonë se forcat ushtarake serbe i kanë përzënë me forcë. Ata thonë se kanë ecën dhjetë ditë në këmbë për të mbërritë këtu dhe janë shumë të lodhur, janë aq të lodhur sa po u merret fryma. Të ardhurit vendosen në çadrat e mëdha të ngritura nga UNHCR-ja pranë sheshit qendror të qytetit, si për të marrë pak frymë apo si për të marrë avull, sepse menjëherë do të largohen nga Kukësi për në vende të tjera të Shqipërisë.

Sheshi qendror i qytetit, të cilit banorët e Kukësit i thonë “Sheshi i kosovarëve” ndërron formë disa herë gjatë ditës.

Në mëngjesin e sotëm, aty kah ora 8 sheshi qe i mbushur plot me të ardhurit, që prisnin mjetet e transportit për t’u larguar nga Kukësi.

Aty kah ora 11 në shesh u krijua një vend i zbrazët, por një vend i zbrazët i rrethuar nga njerëzit e shumtë. Ky vend i zbrazët ose ky vend përko- hësisht i zbrazët të ngjante me një amebë të madhe, stërmadhe. Aty nga ora 12, sheshi qe i mbushur përsëri plot me njerëz, por edhe me dhjetë mjete transporti që mbusheshin ngutshëm me të ardhurit e djeshëm ose dhe me të sapoardhurit. Në këtë orë s’të shkonte mendja kurrsesi se në këtë shesh, pikërisht vetëm një orë më parë mund të shihje një vend të zbrazët dhe, aq më tepër, një vend të zbrazët që t’i ngjante një amebe.

Prej mëngjesit të së premtes, linja telefonike e qytetit me qytete të tjera dhe me atë jashtë shtetit është u ndërpre. Pranë 14 kabinave telefonike të vendosura në pika të ndryshme të qytetit nuk ta zë syri rendin e gjatë të njerëzve. Tashmë vendi përreth tyre është i zbrazët. Aparatet telefonikë brenda kabinave duken si guacka të hirta deti të varura në shkopinj të hollë, që sikur të frynte një erë e lehtë do t’i hidhte menjëherë shkujdesshëm andej-këndej.

Nesër përurohet Pista e Aerodromit, 950 m e gjatë  dhe 70 m e gjerë, e ndërtuar me fondin e Emirateve të Bashkuara Arabe.