E enjte, 8 prill, Kukës: Rrethi i zjarrtë, ku Kosova është përfshi tejpërtej

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

 

 

Etem Susuri (nga Zhuri), që banon në shtëpinë e Shefqet Zenelit më thotë: “Ka kodra ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Atë që po bëjnë serbët, shqiptarët s’mund ta bëjnë kurrë. Serbët sikur ngopen kur u sjellin fatkeqësi shqiptarëve”. Por e shoqja e tij shton: “Kësaj i thonë: Heqsh sa i drejti!

Nga Ditari i Petrit PALUSHIT, Kukës

Vendi i quajtur Gjashtëkatëshi, është vendi ku të ardhurit orientohen se për kah duhet të shkojnë. Gjashtëkatëshi është si të thuash, si pikë referimi, pa të cilën kjo lumnajë njerëzish do humbte orientimin. Vendi ku kryqëzohen katër udhë, ka marrë emrin Gjashtëkatëshi, për shkak të një ndërtese me gjashtë kate që ndodhet në qytet.

Ndërsa gazetarët e huaj me të mbërritë në qytet kërkojnë të vendosen në Hotel – Bar Amerika apo Hotel – Bar Gjallica. Në mëngjes, deri aty kah ora 9 dhe në mbrëmje mbas orës 20, bar – restaurantet e këtyre hoteleve janë të mbushur plot e përplot me gazetarë të huaj dhe përkthyes të tyre, por shpesh dhe me gazetarë të vendit. Por ndodh shpesh që tavolinat e ngrënies mund të vendosen ngjitmas dy e nga dy dhe atëherë krijohet një lirshmëri më e madhe në të ngrënë. Gazetarët zakonisht mbas orës 9 të mëngjesit nisen për në Morin, por ndodh që të qendrojnë edhe në sheshin qendror të qytetit. Të ardhurit flasin para kamerave me një farë indiference, sikur për ta t’ish diçka e tepërt dhe si për të kaluar radhën. Megjithatë në fund të fjalës së tyre, pothuajse të gjithë të intervistuarit nuk harrojnë të shprehen se ata i shqetëson brenga se kur do të kthehen në katundet a qytetet e tyre.

Gazetarët janë të qetë, mbase njerëzit më të qetë në këtë qytet dhe të pashqetësuar prej askujt. Së paku deri tani, asnjë prej gazetarëve të huaj dhe ata vendas nuk kanë mundur të futen në Kosovë ose brenda rrethit të zjarrit. Por, ata janë në lëvizje. Ata sjellin në mediat elektronike dhe n’atë të shkruar dramën e atyre njerëzve që sapo kanë kapërcyer atë rreth të zjarrit ku është përfshi Kosova tejpërtej. Nganjëherë, atë që japin gazetarët, të duket se është vetëm refleks i shpejtë i asaj drame që po ndodh në Kosovë. Njëfarë sipari i aktit të një tragjedie.

Te Foto – studio Kosova, që ndodhet mu pranë Gjashtëkatëshit, një dyndje e madhe e njerëzve me dalë në foto ose me la filma. Vijnë me familje, vijnë dy e nga dy, por shpesh vijnë edhe fëmijë të vegjël të pashoqëruar prej askujt. Më shumë fëmijët vijnë grupe-grupe. I marrin fotot dhe i vështrojnë mendueshëm për një kohë të gjatë. Përmes fotove, të ardhurit prej Kosove përcjellin imazhe nga më të ndryshmet: Një pjesë, imazhin e shtëpive që s’i kanë më, një pjesë tjetër kanë bërë foto larg katundit a qytetit të tyre, por tani, në kushte të tjera, në një vendbanim tjetër.

Të ardhurit, tani mundohen të mbushin edhe një zbrazëti tjetër: Atë të fotove që u mungojnë dhe që s’patën mundësi t’i marrin me veti. Por ata s’kanë humbë asgjë nga nevojat estetike; përpiqen të dalin në foto sa më bukur dhe për një çast sikur e shmangin dramën që kanë përjetuar para syve të tyre.

Piktori Mustafë Doçi (që njëkohësisht është edhe pronari i Foto – studio Kosova), më tregon se një ditë në studio i erdhën gjashtë fëmijë të vegjël të bënin foto. Mbasi u shkrepi fotot u dha nga një fletë vizatimi dhe nga një kuti lapsash me ngjyra. U tha të vizatonin lapsin. E kishin vizatuar. Edhe pemën e kishin vizatuar. U kish thënë të vizatonin shtëpinë. Njëri prej fëmijëve nuk e kish vizatuar. Ndërsa të tjerët i kishin vizatuar shtëpitë me çatitë që merrnin flakë. Flakën e kishin bërë me ngjyrë të kuqe. Më pas i ishin lutur piktorit të vizatonin shtëpitë para se të digjeshin dhe i kishin treguar se shtëpitë e tyre në Rahovec qenë djegë krejt. I kishin thënë piktorit gjithashtu t’i vizatonin siç i kishin pasë më përpara se ato të digjeshin, se i mbanin mend mirë. Dhe i kishin vizatuar përsëri. Por, prap të njëjtat vizatime: Çatitë e shtëpive të tyre, edhe kësaj here qenë fiksuar me flakë përmbi.

Etem Susuri (nga Zhuri), që banon në shtëpinë e Shefqet Zenelit më thotë: “Ka kodra ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Atë që po bëjnë serbët, shqiptarët s’mund ta bëjnë kurrë. Serbët sikur ngopen kur u sjellin fatkeqësi shqiptarëve”. Por e shoqja e tij shton: “Kësaj i thonë: Heqsh sa i drejti! Ne s’i kemi hak kujt, kemi qenë në tokën tonë, në të drejtën tonë e të na shkulin prej shtëpie siç na shkulën ne, s’ka ku shkon më keq!”.

Shkëlzen Kovaçi, mësues, më kallëzon për një familje të rrethinave të Prizrenit që mbërriti në Kukës sot në mëngjes. Shkëlzeni thotë se nana e fëmijës qante dhe loti lotin s’ia priste. Atëherë ai u avit pranë traktorit dhe i treguan ç’u kish ndodhë: Në traktorin e tyre kishin edhe një foshnjë të vdekur, që kish dhënë shpirt prej të ftohtit. Iu lutën t’u tregonte udhën për te varrezat. Me dy shokë të tij i çuan atje, i ndihën varrtarit në punën e tij. Mbasi e varrosën shkruan emrin e të vdekurit në pllakën e varrit dhe në kthim, njëra prej grave

që ndodheshin në traktor u tha atyre se s’kishin as kohë ta vajtonin fëmijën që s’i kish mbushë gjashtë muaj prej ditës së lindjes.

Sazan Likaj, nëntë vjeç, që kish qenë nxënës në shkollën “Mithat Frashëri” (në Krajkë, komuna e Prizrenit) dhe që tani banon në Morin më thotë se më shumë iu ka dhimbtë qeni. Qeni iu ka dhimbtë     fort. Ai thotë se kur të kthehet dhe baba i tij i ka thënë se do kthehen prap, ai s’ka me e gjetë qenin se atje nuk ka mbetë kush t’i japë me ngrënë e ujë me pi. Ose e kanë vra, ose ka me cofë, se edhe ai ka shpirt.