Mbrëmë, me një rekomandim miqësor të Prof. Ramadan Sokoli dhe poetit Myftar Gjana, në shtëpinë time erdhën dy bujtës të pazakontë, bujtës si ata që, pas një shtegtimi të gjatë, si në baladat e moçme ndalen për një natë dikund sa me marrë frymë dhe të nesërmen me vazhdue prapë shtegtimin: Z. Ferati, një prishtinas që vinte si student i mjekësisë nga Graci i Austrisë dhe A. Kelmendi, po nga Prishtina, një studente e vitit të dytë të matematikës që vinte në Kukës pas një odiseje të gjatë. Dy të dashuruar që ishin takuar pas një kohe të gjatë.
- Kelmendi kish shkuar do ditë tek xhaxhai, në Klinë. Dy ditë më mbrapa u larguan përfaqësuesit e OSBE-së, filluan trazirat, udhët u zunë dhe për të qe e pamundshme të shkonte në Prishtinë.
Edhe atë e përfshiu vala e shpërnguljes: Prej Klinës në Gjakovë, prej Gjakove në Qafë të Prushit, prej Qafës së Prushit në Krumë dhe qëndroi aty deri në mëngjesin e ditës së djeshme kur shkoi dhe e mori i fejuari i saj, Z. Ferati.
I them Z. Feratit se në Grac të Austrisë pat studiuar dhe qe lauruar Lasgush Poradeci, liriku i ndjeshmërisë së lartë në letrat shqipe. Por, për çudi, shtegtimi i tij më ngjante me atë të Lasgushit, që nga aeroporti në aeroport, nëpër avionë si nëpër krahë yjesh, e pat ndjekur holandezen që e donte, por që s’e takoi më kurrë. Mesa duket, i traumatizuar nga kjo mosgjetje ose nga kjo humbje e trishtë, poeti do ta shihte dashurinë si bukuri të trazuar, të shenjtë, solemne.
Vërej se Z. Feratit i pëlqejnë ato që them unë dhe thotë se vetë erdhi si nëpër terr, si nëpër mjegull, ku udha nëpër qiell i dukej më e gjatë dhe dritë nuk shihte asgjëkundi. Ai tani e gjeti të dashurën e vet, A. Kelmendin, për ta marrë me veti, në Grac të Austrisë, të kryejnë studimet dhe të kthehen prap në Prishtinë pas dy – tre vjetësh. Ndërkohë, kanë-dëgjuar se njerëzit e familjes i kanë mirë në Prishtinë, se deri tani nuk kanë pësuar gjë. Sidoqoftë, nisen me brengat për fatin e njerëzve të tyre; kjo gjë e bën shtegtimin e tyre të mëtutjeshëm të trishtë, të trazuar.
( Nga Ditari i Shkrimtarit, Petrit Palushi, Kukës)