„E duan“ Lëvizjen Vetëvendosje „me parime“, por pa pushtet

Lëvizja Vetëvendosje, jo tre muajt e fundit, por për vite me radhë ka deklaruar se në parim është për bisedime me Serbinë, por jo për bisedime pa parime siç i bëri pushteti në ikje. Që Lëvizja Vetëvendosje pretendonte për të marr pushtetin e vërteton programi qeverisës përpilimi i të cilit filloi para dy vitesh dhe përfundoi para një viti. Në përpilimin e programit qeverisës morën pjesë kuadrot më të mira të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky program u diskutua në Këshillin e Përgjithshëm u miratua dhe u prezantua para publikut. Në këtë kuptim nuk ka asgjë të re dhe asnjë ndryshim as të parimeve as të politikës. Kosova ka shumë arsye për të biseduar me Serbinë. Një varg çështjesh të pazgjidhura si dëmet e luftës (120 000 shtëpi dhe objekte të shkatërruara), pensionet e vjedhura, fati i të pa gjeturve e shumë probleme të tjera kërkojnë zgjidhje nga të cilat duhet të përfiton Kosova, por jo Serbia e cila i ka shkaktuar dhe pushteti aktual i cili i ka „harruar“ për t’i biseduar. Me pjesëmarrjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje do të zbatohen parimet politike të saj nga të cilat nuk do të përfitoj pushteti si deri më sot, por shteti. Me bisedime nuk shkelen parimet. Parimet shkelen kur rezultatet e bisedimeve dalin kundër parimeve. Izraeli dhe Palestina bisedojnë për dekada me radhë dhe në te njëjtën kohë vazhdojnë luftën. Ne jemi për zgjidhje, por jo në dëm të interesave të Kosovës. Kjo është parimore dhe një politikë e jashtme që zhvillojnë te gjitha vendet normale.
Se sa të qëndrueshme janë akuzat kundër Lëvizjes Vetëvendosje tregon më së miri fakti që ndër më të brengosurit „për ndryshimin“ e parimeve janë Bajram Rexhepi, ish Ministri i Punëve të Brendshme dhe Kadri Veseli, ish shefi i SHIK-ut. Instrumentet tjera të akorduara në këtë luftë politike, janë pjesë e orkestrës. Kjo nuk donë ndonjë koment sepse qëllimi është i tejdukshëm. /F.Topalli