E diel, 9 maj 1999,Kukës: Jemi nji gjak, na rreh nji zemër

Rrëfimi i mësuesit pensionist, 70 vjeçarit Abdyl Onuzi (me banim në katundin Nangë), i biri i Qazim Matë Onuzit, të vetmit luftëtar lumjan në Qëndresën antifashiste të 7 Prillit të 1939-s:

Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi, Kukës

 “Me 4 prill shiu nuk pushoi deri kah mesi i natës dhe kah mëngjesi ia nisi prap, por ma rrëmisht. Mezi prita me çelë drita me ra në Kukës me marrë ndonji familje prej Kosove.

Në Kukës u takova dhe u përqafa me nji ish – nxanësin tem, Halit Muçmatën.

  • Pse erdhe? Asht shi dhe ftohtë, – më tha.
  • Halit, – i thashë, – o sot o kurrë! Erdha mos marr ndonji familje të Kosovës. Sot janë ma në zor se asnjiherë.

Haliti më kqyri drejt e në sy dhe më tha:

  • O mësues i dashtun! Shpija jote asht plot me familjet e djemve të tu.

Po, – ia ktheva. – Plot 27 vetë e kam në shpinë me familjet e djemve të mi. Por, ku të hanë ata, të hanë edhe fëmijët e ardhun prej Kosove. Nuk kam njerëz në Kosovë, por do bahen t’afërt me ne. Jemi nji gjak, na rreh nji zemër.

Mbrapa, shkova te sheshi dhe u afrova te nji grumbull i madh njerëzish.

Nji plaku buzët po i dridheshin. Dikush më tregoi se forcat militare serbe ia kishin marrë djalin e madh. “Zoti ua lehtoftë dhimbjet!”, i thashë.

Ndërkohë, u thashë:

  • Erdha me marrë ndonji familje me shumë fëmijë.

Plaku që i kishin marrë djalin, më thotë:

  • Jam Adnan Krasniqi. T’u shtoftë ndera, o mik e dashamir! Ne jemi nandë familje me vllazën, nipa e mbesa e s’kemi mundësi me u nda.

U thashë: – Do vini te shpija ime sa të jeni. Të heqim keq bashkë!

Ato po kqyrnin njani – tjetrin si me habi.

Ma n’fund i banë gati ato pak tesha si kishin me veti dhe me zetorat e tyne (ato u thojshin traktora) u nisëm për te shpija në Nangë. Si me qenë karvan, plot 76 vetë.

Aty i kam te shpija qysh prej s’fillimi kur i mora familjet e Adnan Krasniqit, Gjylbehar Tafallarit, Fadil Tafallarit, Besari Budurit, Emri Budurit, Refi Budurit, Shadi Budurit, Hysni Shalës, Feti Shalës e Hyri Shalës.

Grueja, Bedrija me nuset e djemve qet 19 bukë në ditë.

Nji ditë ajo më thotë:

  • U sos mielli, si t’ia bëjmë?
  • Pse si t’ia bëjmë? – iu ktheva si me t’qeshme. – Mos ke merak. E presim lopën e s’i lamë fëmijët pa ushqim… ”.