E diel, 11 prill 1999, Kukës: Lulet do t’i mbledh në Shqipëri për t’i marrë në  Kosovë

Inxhinieri Dalip Gashi (prej Rahoveci) më tregoi një fletore hartimi të djalit të tij, që këto ditë vazhdon mësimet në klasën e katërt (në shkollën e katundit Bushat).

Nga ditari i Petrit Palushit, Kukës

Tema: “Flisni për ngjarjen që u ka bërë përshtypje”, ndërsa hartimi qe zhvilluar në pak rreshta:

“Kur ranë granatimet në shtëpinë time, dyert e dritaret e shtëpisë dolën vendit. Nga granatimi gjyshi im i dashur u vra. Sapo të kthehemi, edhe shtëpinë do ta ndreqim, por do t’i gjej lulet ku janë e ku s’janë dhe do t’i çoj te varri i gjyshit. Në shkofshim në dimër, do pres pranverën për lulet. Në shkofshim në verë a në vjeshtë, lulet do t’i mbledh në Shqipëri për t’i marrë me veti, se në Kosovë çdo gjë është bërë shkrumb e hi”.

Dalip Gashi thotë se pushtuesi serb u ka marrë shumë gjëra: U ka vra t’afërmit, u ka djegë shtëpitë i ka shpërngulë nga vendi i tyre, por kujtesën s’ka mundur t’ua shkatërrojë.