DUA TË SHKOJ NË KOSOVË: NUK E DI ÇKA DUHET ATJE E ÇKA KUR TË KTHEHEM NË ZVICER

Shifrat e përgjithshme të infektimeve me Covid 19 vazhdojnë të përmirësohen, por shifrat e infektimeve me variantet e reja të këtij virusi, e në veçanti ato të infektimeve me variantin britanik vazhdojnë të rriten në të njëjtën kohë, pavarësisht nga masat e rrepta tashmë të marra në nivel të Zvicrës, ka thënë sot ( 03.02.21) në një konferencë, ministri federal Alain Berset.

Shkruan: Mirishahe Limani Hiler, Gjenevë

“Është joreale të mendosh për lehtësime të mëdha të masave parandaluese në këtë kohë. Ne sot nuk jemi në gjendje të themi se në cilin drejtim po shkojmë ” shprehet Berset.

A mundemi të udhëtojmë nga Zvicra për në vende të tjera ?

Këshilli Federal rekomandon vazhdimin e heqjes dorë nga udhëtimet jo urgjente jashtë vendit, thuhet në faqen zyrtare të Zyrës federale të shëndetit publik ( ZFSHP). Kjo Zyrë ka dekretuar që kushdo që hyn në Zvicër nga shtetet dhe zonat me rrezik të lartë të infektimit duhet të hyjë në karantinë për dhjetë ditë.

Cilat janë kriteret për listën e vendeve me rrezik të lartë?

Vendimi për të përfshirë një shtet ose zonë në listë varet kryesisht nga ndikimi i 14 ditëve të fundit, pra numri i infeksioneve të reja për 100,000 njerëz të regjistruar gjatë kësaj periudhe. Nëse incidenca në një vend tejkalon të paktën 60 atë të Zvicrës, vendi futet në listë.

Po nëse rastet e infektimeve rriten gjatë qëndrimit tim në një shtet tjetër?

Përderisa situata epidemiologjike është në zhvillim e sipër, lista përshtatet vazhdimisht, përgjithësisht çdo 14 ditë. Kjo listë bëhet duke përdorur të dhëna nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe të dhëna nga ourworldindata.org në një datë referimi. Me këto dy organizma edhe Kosova ka obligim bashkpunimin dhe transparencën e gjendjes së saj.

A është Kosova në listën e vendeve me rrezik?

Sipas listës zyrtare të ZFSHP që është në fuqi nga 1 shkurt 2021, Kosova nuk radhitet ndër shtetet me rrezik për Zvicren.

A mundem pra të shkoj në Kosovë?

« E dini anektodën kur njëri e kishte pyetur plakun: “ A mundem të hyj në këtë lum o axhë?” . Djaloshi ishte futur në ujë sapo plaku i kishte thënë se mundesh por me shpejtësi e i trishtuar ai kishte dalur nga lumi që deshti ta merr me vete në thellësinë e tij. Ai shkoi i lodhur më afër e i tha plakut: veç sa nuk u mbyta në lum! E plaku me urtësinë e qetësinë që e karakterizonte gjithnjë duke soditur rrjedhën e shpejt të lumit ia ktheu: djalë i mirë, ti më vete a hyhet në këtë lum e nuk më vete si ta kapërcej lumin apo a dilet prej tij! «

Në Kosovë po, mundemi të shkojmë duke pasur parasysh rekomandimet e ZFSHP: sa është urgjente situata juaj.

E çka më duhet që të hyjë në Kosovë?

Sipas disa burimeve të besueshme por jo zyrtare nga Kosova, nëse ju udhëtoni me aeroplan, në aeroportin e Prishtinës, që të gjithë udhëtarët që vijnë nga Zvicra, duhet të prezentojnë rezultatin negativ të testit Covid 19. Ky rezultat nuk duhet të jëtë më i vjetër se 48 orë.

Udhëtarët që kanë vetëm pasaportën e Kosovës por nuk e kanë me vete rezultatin e testit, janë të obliguar të hyjnë në vetizolim për një periudhë prej 7 ditësh.

Udhëtarët që kanë pasaportën e Zvicres por nuk kanë me vete rezultatin e testit, nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës, duhet të kthehen.

E çka më duhet kur të kthehem në Zvicër

Këshilli federal zviceran ka vendosur që nga data 8 shkurt testet RT-PCR të jenë të detyrueshme:

të gjithë njerëzit që udhëtojnë për në Zvicër me avion, duhet të paraqesin në bord një test negativ RT-PCR të kryer më pak se 72 orë para nisjes së tyre.

Linjat ajrore do të duhet të kontrollojnë vlefshmërinë e testit para se pasagjeri të jetë në aeroplan.

të gjithë njerëzit që vijnë nga një vend me rrezik të lartë, pavarësisht nga mënyra e tyre e transportit, duhet të paraqesin një test negativ RT-PCR gjatë mbërritjes, i kryer më pak se 72 orë para nisjes së tyre.

E çka është testi PCR?

Për të identifikuar apo kontrolluar koronavirusin SARS-COV-2, ekzistojnë tre teste shqyrtimi me parime dhe qëllime të ndryshme.

Testi PCR

Testet PCR mund të tregojnë nëse jeni të infektuar me koronavirusin e ri. Ato kryhen me anë të njollave nazofaringeale ose faringut. Sipas njohurive më të fundit, testi PCR nga shtupa e pështymës është po aq i besueshëm. Prandaj mund të ndodhë që institucione të caktuara të marrin një mostër pështyme. Rezultati është zakonisht i disponueshëm brenda 24 deri në 48 orë. Testi bëhet nga mjeku juaj, në spital ose në një qendër testimi dhe mostra analizohet nga një laborator i certifikuar.

Pra, gjenoma e koronavirusit zbulohet me metodën RT-PCR. Që qëndron për Reverse Transcriptase – Reagimi i Zinxhirit Polimerazë. Kjo do të thotë, gjenoma e koronavirusit, e zbuluar si ARN, së pari rikonvertohet në ADN – “retro”, sepse ky proces normalisht zhvillohet nga ADN në ARN.

Para kësaj ADN-ja të amplifikohet, përmes një reaksioni zinxhir polimerazë. Me fjalë të tjera, në sajë të enzimeve të quajtura ADN polimeraza, një numër fillimisht i vogël i sekuencave të ADN-së kopjohen – zinxhir – derisa të zbulohet lehtësisht.

Testi serologjik

Testi serologjik tregon nëse një person ka qenë i infektuar me SARS-CoV-2 para testit. Antitrupat e prodhuar gjatë infeksionit me koronavirus testohen në serumet e gjakut.

Aktualisht, këto teste nuk janë kryer në një shkallë të gjerë, sepse besueshmëria e tyre konsiderohet e pamjaftueshme. Kjo dhe karakteristikat e përgjigjes imune të iniciuar nga SARS-CoV-2, janë ende duke u vlerësuar.

Sidoqoftë, një test serologjik mund të kryhet për hir të shpejtësisë. Nëse normalisht kërkon një test gjaku, ekziston një version i shpejtë ku mjafton një pikë e vetme. Në të gjitha rastet, rezultati do të konsiderohet tregues. Dhe nganjëherë do të duhet të konfirmohet nga një test PCR.

Testi i antigjenit apo testi i shpejt

Testi i antigjenit zbulon nëse personi është i infektuar me koronavirusin në kohën e testit. Ashtu si testi PCR, bëhet duke marrë një mostër nga pjesa e prapme e hundës. Por ndryshon në molekulat e kërkuara. Meqenëse testi i antigjenit kërkon antigjene, pra proteina të pranishme në sipërfaqen e viruseve.

Më pas, ku është përparësia e tij, mostra nuk do të analizohet në laborator. Por në të njëjtin parim si testet e shtatzënisë, me një shirit me ngjyrë. Çfarë e bën këtë provë shumë të shpejtë: pritet 15 deri në 30 minuta për të marrë një rezultat!

Testi i antigjenit ka ende një dobësi. Besueshmëria e tij është më e ulët krahasuar me testin PCR. Por kohët e fundit, ajo është konsideruar mjaft e besueshme për t’u ofruar nga agjencitë shëndetësore. Kjo bëhet vetëm për operacionet kolektive, në mënyrë që të lehtësojë mbingarkesën në laboratorët mjekësorë.

Është shumë e rëndësishme ta dijmë se personat simptomatik dhe rastet e kontaktit duhet të kalojnë gjithmonë përmes një testi PCR.