“Drita” e Kreuzlingenit festoi me një program cilësor dhe simpatik

Në kuadër të 6 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe Ansambli i këngëve dhe valleve “Drita” nga Kreuzlingen i Zvicrës organizoi një manifestim festiv, të përshkuar me një program solid, ku në emër të Ministrisë së Diasporës përshëndeti , Shukrije Ramadani, ushtruese e detyrës së Qendrës kulturore në Cyrih.

Rexhep Rifati

Ansambli  „Drita“ nga ky qytet i kantonit të  Thurgaut, që u themelua më 23 mars të vitit 2002 , hynë në radhën e shoqërive më aktive kulturore shqiptare në Zvicër.  Programi me rastin e 6- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Kreuzlingen të Zvicrës ishte tejet cilësor dhe i organizuar mjaft mirë.  Pjesëmarrja e fëmijëve, kryesisht nxënës, bëri që gjatë kësaj feste të jenë të pranishëm disa qindra bashkatdhetarë moshash të ndryshme dhe me prejardhje nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Në manifestim merrte pjesë edhe zonja Shukrije Ramnadani, ushtruese e porsazgjedhur ne detyrës e drejtueses së Qendrës kulturore të Republikës së Kosovës në Cyrih, e cila edhe i përgëzoj anëtarët e kësaj trupe artistike për punën e madhe që po bëjnë në ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe gjuhës shqipe në kushtet e mërgatës.

Programi i shfaqur më 22 shkurt, në Dreispitzhalle të Kreuzlingenit, që u drejtua nga Valbona Gashi dhe  me pjesëmarrjen edhe të këngëtarit të mirënjohur, Sabri Fejzullahu, ishte një tubimi tejet i këndshëm festiv. Merita për këtë qëndrueshmëri prej afro 12 vitesh të  “Dritës” në skenën e mërgatës shqiptare, i përket vetë prindërve të cilët pajisin me instrumente e kostume ansamblin, i cili drejtohet me shumë sukses nga kryetari i kësaj trupe artistike, Haradin Gashit, ku po ashtu janë të angazhuara si valltare edhe pesë vajzat e tij. Kontribut të pa kontestueshëm, që kjo trup të qëndrojë për kaq vite në skenë, ka dhënë edhe familja e Bedri dhe Xhemile Kryeziut, ku po ashtu tërë anëtarët janë pjesë e këtij ansambli, e ku veçmas shquhet Dardan Kryeziu, me kreacione tejet solide që realizon në skenë.

Edhe në festën e sivjetme, pjesën më tërheqëse e përbënin më të vegjlit, madje disa edhe nën moshën 5 vjeçare, të cilët edhe i sollën shumë dashuri e freski para publikut, duke u shpërblye me duartrokitje të gjata. Tash si shoqëri me një eksperiencë dhe raportuar të larmishëm, “Drita” ka arritur të fitojë jo vetëm simpatinë e artdashësve shqiptarë, zviceranë e të tjerë, por edhe që të radhitet në mesin e shoqërive më aktive shqiptare në Zvicër. Karakteristikë tjetër është se në gjirin e saj defilojnë kryesisht fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare, që ndihmon jo vetëm afrimin e komunikimin mes tyre, por edhe afirmimin e vlerave kulturore. Viteve të fundit, sipas kryetarit, Haradin Gashit, “Drita” është përforcuar  me grupin e këngëtarëve e të instrumentistëve të muzikës folklorike, që udhëhiqet nga Pal Berisha, duke përfshi këtu edhe disa vogëlush simpatik që këngët e tyre i përcjellin në instrumente folklorike. Në rrugëtimin e gjatë Ansamblin “Drita” e mbështeten edhe disa nga koreografet me përvojë, që janë pjesë edhe të ansambleve të tjera tejet të suksesshme në Zvicër.