Dr. Vaxhid Sejdiu frymëzim brezash

Arsimi dhe edukim në shqip edhe larg atdheut

Bisedë me dr. Vaxhid Sejdiun, mësues dhe koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër

Bashkatdhetarët tanë, ata, të cilët me një përkushtim të veçantë punojnë dhe veprojnë edhe larg atdheut në vazhdimësi kanë frymëzuar gjeneratat. Ata jo vetëm që kanë ndërtuar dhe ndërtojnë ura lidhëse në mes shteteve ku jetojnë dhe atdheut por edhe kontribuojnë në integrimin sa më të mirë të të rinjve shqiptarë në vendet pritëse. Në këtë rrugëtim edhe jo aq të lehtë një kontribut shembullor kanë dhënë veprimtarët në fusha të ndryshme si atë arsimit, biznesit, mjekësisë, kulturës, sportit etj.

Me këtë rast për lexuesit e portalit “Prointegra.ch” prezantojmë mësuesin Dr. Vaxhid Sejdiun, i cili së bashku me kolegë të tjerë dhe prindërit shqiptarë arriti gjatë këtyre dy viteve të fundit të bëj një kthesë të madhe në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në Zvicër.
Dr. Vaxhid Sejdiu me dekada ka punuar dhe punon si mësues i gjuhës shqipe në Zvicër si dhe kohëve të fundit është angazhuar si koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër.

Intervista ka për qëllim të prezantojmë të dhëna konkrete rreth organizimit të pikave shkollore në gjuhën shqipe në Zvicër, në të cilat klasa fëmijëve shqiptarë iu jepet mundësia ta mësojnë gjuhën amtare në mënyrës të rregullt dhe institucionale. Prandaj duke e parë kontributin e z. Sejdiu dëshirojmë që lexuesve t`iu sjellim përpjekjet, vështirësitë dhe sfidat e veprimtarëve, të cilët bëjnë një punë të mrekullueshme, vullnetare në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare larg atdheut.

Z. Sejdiu, faleminderit që pranuat të ndani kohë me ne, që të bisedojmë rreth mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër.

Faleminderit edhe juve për ftesën, dhe me këtë rast kam kënaqësinë të falënderoj portalin “prointegra.ch”, stafin e tij, për përkushtimin dhe angazhimin në prezantimin e vlerave kombëtare në mërgatë, veçmas në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Së pari a mund të thoni diçka rreth angazhimit tuaj si mësues i gjuhës shqipe në Zvicër?

Angazhimi im si mësues në Zvicër ka ndodhur para shumë vitesh, në pikat shkollore të kantonit të St. Gallenit (në Flums, Walenstadt, Unterterzen, Mels, Buchs, Sevelen), dhe në ato të Kantonit të Glarusit (Niederunen, Glarus, Netstal, Mitlödi). Kurse në 3-4 vitet e fundit me ndërrimin e vendbanimit në Zvicër punoj dhe veproj në pikat shkollore Regensdorf, Rüti, Uster, Volkteswil (të Kantonit të Zyrihut) si dhe Neuenhof dhe Spreitenbach (të kantonit të Argaut). Për mua personalisht, mësimdhënia është një mision, është një dëshirë, është ideal për të cilin jam munduar dhe mundohem në vazhdimësi. Qëllimi im kryesor ka qenë dhe është që bashkë me prindërit shqiptarë, me kolegët (mësuesit) të bëjmë çmos në ruajtjen e gjuhës amtare, si dhe përhapjen e diturisë në gjuhën shqipe. Shpresoj e besoj se aty ku kam vepruar dhe punuar bashkërisht me të tjerët ia kemi dalë me sukses.

Cila është historia e “Shkollës Shqipe” në Zvicër

Organizimi i mësimit plotësues në Zvicër daton më se tri dekada (në kuadër të Shoqatave dhe veçmas Lidhjes së Mësuesve dhe Lidhjes së Prindërve, të cilat në vitin 1995 krijuan LAPSh-in). Por në vitet e fundi, veçmas në 10 vitet e fundit kemi një rënie drastike të numrit të nxënësve dhe pothuajse më se gjysma e kantoneve në Zvicër mbeten pa asnjë nxënës, kurse në anën tjetër numri i fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore rritej nga viti në vit. Sa që flitet për një numër mbi 35000 fëmijë shqiptarë në shkollat fillore të vendit. Dhe për këtë arsye lindi nevoja për ndryshime. Me qëllim që në shkollat shqipe të kemi sa më shumë fëmijë që mësojnë gjuhën amtare dhe natyrisht të kemi sa më shumë mësues të angazhuar në këtë drejtim.

Nxënësit e shkollës shqipe në Uster, të Kantonit të Zyrih-ut

A mund të veçoni punën tuaj si mësues dhe njëherit si veprimtarë i shkollës shqipe, ku keni punuar dhe punoni me dekada?

Puna ime si mësues ka qenë gjëja më e mirë, më e dashur në mërgim. Ajo më ka dhënë forcë, sa që edhe plagët e kurbetit i kam tejkaluar më lehtë. Kurse si veprimtarë, në vazhdimësi jam munduar gjatë këtyre viteve të mos jem vëzhgues i punës rreth organizimit të pikave shkollore, rreth përhapjes së diturisë në gjuhën shqipe, rreth ruajtjes së kulturës kombëtare, por jam angazhuar vullnetarisht duke mos zgjedhur vendin dhe kohën, që së bashku me prindërit të jem aktiv në organizimin sa më të mirë të pikave shkollore. Së bashku me ta kemi organizuar aktivitetet e lira, të cilat e begatojnë dukshëm shkollën shqipe në mërgatë. Së bashku me ta kemi bërë një punë të madhe në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare jo vetëm te fëmijët shqiptarë por edhe më gjerë (te të rriturit).

Gjithçka ka një frymëzim, a mund të na thoni se nga erdhi ideja, kur ishin fillet që vendosët që të angazhoheni në ngritjen e pikave të reja shkollore?

Fakt është se dhe përkundër përpjekjeve të disa veprimtarëve dhe mësuesve që brenda Lapsh-it të bëhen reforma me qëllim që të rrisim numrin e nxënësve dhe të shtojmë pikat shkollore në dekadën e fundit, një gjë e tillë u bë e pamundur. Prandaj, me qëllim që të mos përplasemi pa nevojë për objektet shkollore (klasat), si dhe me rënien e numrit të nxënësve rezultoi me mbylljen e shumë pikave shkollore në mbarë Zvicrën, Ambasada e R. së Shqipërisë në Bernë duke e parë nevojën e madhe për ndryshime, si dhe duke e parë mungesën e reformave brenda shoqatës ekzistuese, nga gushti vitit 2018, u bë sponsor zyrtar i mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë i ndihmoi të gjithë, që kush ka dëshirë dhe mundësi të punojë në shërbim të hapjes së pikave të reja shkollore, tani mund të veprojë. Dhe ne, një grup mësuesish dhe veprimtarësh të arsimit shqip, në baza vullnetare arritëm të hapim dhjetëra e dhjetëra pika shkollore duke formuar rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër, që sot quhet “Shkolla Shqipe” në Zvicër.

Në rrugën e diturisë, nxënësit e shkollës shqipe në Regensdorf, grupi i parë, gjatë një ore mësimore në gjuhën shqipe

Në Zvicër prej shumë vitesh, janë ngritur klasat ku fëmijët mësojnë dhe flasin shqip, si është gjendja në kantonet e Zvicrës, sa i përket këtij organizimi?

Gjatë këtyre 2- 3 viteve të fundit kemi arritur të hapim afër 100 pika shkollore në 18 kantone të Zvicrës, me qindra e qindra nxënës ku punojnë 35 mësues/e, të gjithë të diplomuar në universitet tona dhe të pranuar në marrëdhënie pune nëpërmjet njoftimit publik. Ashtu siç janë nxënësit dhe prindërit nga të gjitha trojet shqiptare edhe mësuesit vijnë nga mbarë hapësira shqiptare.

Sa është i vështirë organizimi i një pike shkollore në gjuhën amtare?

Natyrisht për të organizuar një pikë shkollore, kërkohet kohë, angazhim dhe një punë e përbashkët mësues, prindër dhe institucionet vendore. Lirisht mund të them se nevojiten 4-6 javë por edhe shpesh herë edhe më shumë. Por, një gjë më duhet ta them pas atyre javëve tepër të ngarkuara hapja e pikës shkollore është gjëja më e bukur për një mësues apo për një veprimtarë të shkollës shqipe. A ka gëzim më të madh se kur e sheh klasën plot me nxënës. Harrohet çdo sakrificë.

Si është niveli gjuhësor i fëmijëve që i ndjekin mësimet në gjuhën amtare si dhe çka i këshilloni ata?

Gjuha nuk mësohet për një ditë, ashtu sikur për të gjitha lëndët mësimore dhe për gjuhën amtare nevojitet koha e duhur. Por, nëse fëmijët i ndjekin mësimet sipas planit mësimor nga klasa e parë deri në klasën e tetë edhe pse janë 2 orë mësimore në javë, mendoj se ata e arrijnë qëllimin, që gjuhën amtare ta njohin në të folur dhe në të shkruar mirë dhe drejtë. Për disa të cilët janë më të zellshëm mjafton edhe më pak.

Përveç mësimit si është e organizuar shkolla shqipe?- Çka ju ofrohet nxënësve gjatë vitit shkollor?

Përveç orëve mësimore, nxënësit në kuadër të shkollës shqipe kanë mundësi të jenë pjesë e aktiviteteve të lira, të cilat ndihmojnë dukshëm në ruajtjen e kulturës kombëtare. Si p.sh. tani në muajin qershor kemi disa aktivitete shkollore, siç janë: më 12 qershor kemi Turnirin e shkollave shqipe në futboll, më 17 qershor kemi një orë letrare kushtuar shkrimtarit të njohur për fëmijë Bedri Dedjes, më 18 qershor kemi Mbrëmjen e semimaturës, më 19 qershor kemi konkursin diturisë të shkollave shqipe në Zvicër, më 26 qershor kemi manifestimin shkollor me rastin e përfundimit të vitit shkollor etj. Pra një muaj në shërbim të aktiviteteve shkollore si dhe përpjekje serioze për ta promovuar denjësisht Shkollën Shqipe në Zvicër para prindërve dhe mërgimtarëve shqiptarë.

Si veprojnë gjeneratat e reja në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare?

Për dallim nga gjeneratat e mëparshme, gjeneratat e reja mund të themi në përpjekjen e parë se janë më pak të interesuara rreth gjuhës dhe kulturës kombëtare. Por në momentin që ne mësuesit angazhohemi, flasim me ta, krijohet një marrëdhënie bashkëpunimi dhe natyrisht funksionojnë më mirë gjërat seç mendojmë. Pra nuk duhet të akuzojmë, por duhet të punojmë më tepër duke u nisur nga vetja dhe pastaj te të tjerët. Gjëja e parë është të analizohet se çka kam bërë unë për shkollën dhe shqipe dhe pastaj të flasim për të tjerët.

Çfarë qëndrimi ka shteti, në këtë rast Zvicra ndaj gjuhëve të para?

Është fakt që autoritetet shtetërore apo kantonale e mbështesin mësimin e gjuhës amtare. Kuptohet si në çdo burokraci në botë jo gjithkund mekanizimi funksionon perfekt. Ndodh që ka raste të këtë edhe vonesa në miratimin e hapjes se klasave, por në tërësinë e tij autoritetet janë mbështetëse e nxitëse në mësimin e gjuhës amtare të çdo komuniteti qe jeton në Zvicër dhe në këtë rast edhe për gjuhën dhe shkollën shqipe. Ne si “Shkollë shqipe” jemi mirënjohës!

Sa keni pas përkrahje nga shteti i Zvicrës apo nga kantoni në cilën keni vepruar dhe veproni, apo ka qenë bashkëpunim vetëm me prindërit shqiptarë?

Thashë falë një bashkëpunimi të gjerë me drejtoritë kantonale dhe veçmas me drejtoritë e shkollave fillore zvicerane kemi arritur një punë të suksesshme dhe jemi, po ashtu gjatë gjithë kohës në një bashkëpunim të ngushtë, që të hapim edhe pika të reja shkollore. Në javët në vazhdim do të njiheni edhe me pikat e reja dhe zgjerimin e pikave shkollore në mbarë Zvicrën.

Cili është qëndrimi i institucioneve tona, sa kanë bërë dhe a ka vend për një përkushtim edhe më të madh në këtë drejtim?

Pikësëpari duhet sqaruar se në bazë të marrëveshjes mes dy shteteve të Shqipërisë e Kosovës, është ngritur një Komision i Përbashkët për miratimin e teksteve shkollore, gjë që nga viti i ardhshëm nxënësit do t`i kenë në duar edhe librat e nivelit të parë. Një punë të madhe në shërbim të iniciativës për tekste të reja për fëmijët që mësojnë gjuhën amtare në mërgim ka bërë Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD) si dhe Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) me këshillat dhe sugjerimet e shumta. Librat fillimisht vijnë në Ambasada, dhe pastaj shpërndahen drejt pikave shkollore. Pra deri më tani kemi furnizimin me tekste shkollore dhe organizimin e një seminari për trajnimin e mësuesve.

Cili është mesazhi juaj për mërgimtarët shqiptarë për gjuhën dhe kulturën kombëtare?

Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët e diasporës shqiptare nuk është thjesht dhe vetëm një detyrim moral e kombëtar por ai ndikon drejtpërdrejtë në formimin e fëmijëve dhe i bën ata më të aftë për tu integruar në kulturën dhe vendin pritës. Një njeri i cili nuk njeh rrënjët e veta është shumë vështirë të integrohet e të hedhë rrënjë në një mjedis të huaj.

Nxënësit e shkollës shqipe në Neuenhof, të Kantonit të Argau-ut

Cila është e ardhmja e gjuhës shqipe në Zvicër dhe më gjerë në mërgatën shqiptare

Tani, kjo është pika kryesore për të cilën duhet të bisedojmë dhe duhet të punojmë e veprojmë të gjithë bashkërisht. Shoh në jetën e përditshme që flitet me të madhe, por në këtë rast për ta përhapur mësimin në gjuhën shqipe nevojitet punë konkrete, angazhim gjithëpërfshirës. Nuk mjafton të thuhet “duhet” apo “ai apo ajo e ka fajin”, duke e drejtuar gabimisht gishtin qoftë drejt prindërve apo nxënësve. Jo, këtu duhet të punohet me përkushtim dhe jam i bindur ashtu sikurse në rastin e Shkollës Shqipe në Zvicër që sukseset janë dukshme, në të ardhmen sukseset do të jenë dhe më të larta. Këshillë kryesore është puna me prindërit për t`i dërguar fëmijët në shkollat shqipe, tërheqja e nxënësve si dhe përballja me një mentalitet të gabuar sipas të cilit thuhet se fëmijët mbingarkohen. Pra ne mësuesit duhet t`i kushtojmë rëndësi ndërgjegjësimit të përgjithshëm mbi domosdoshmërinë e edukimit në gjuhën amtare…

Faleminderit që pranuat të jeni me ne në prointegra.ch! Jeni një imazh reflektues jo vetëm për njerëzit që jetojnë larg atdheut, por edhe mesazh i mirë dhe domethënës për gjithë shqiptarët kudo ku gjenden. Respekt!

Faleminderit dhe Juve!