Doli nga shtypi libri «Përmbledhje aktivitetesh letrare në Austri» me autor Hazir Mehmetin

Tashmë, sa herë përmendet Vjena dhe kultura shqiptare, mendja te vete tek mësuesi, publicisti, tregimtari e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, Hazir Mehmeti, përcjellës më besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore, shkruan miku dhe bashkëkohaniku, i tij , autor i disa veprave Bedri Tahiri.

 Nga Bedri Tahiri

Librin ”Aktivitete letrare në Austri”, autori ia përkushton vajzës së tij, tashmë në amshim, shkencëtares së papërsëritshme, krenarisë sonë kombëtare, Vlorë Mehmeti-Tërshani. Këtë pjesë e përplotësojnë edhe shkrime të tjera vlerësuese për shkencëtaren me renome botërore, ku shquhen vargjet antologjike të poetëve tanë të njohur Sylë Bajrami e Mentor Thaçi me titull emblematik “BIJA E DHEUT TË ATDHEUT”, nga po shkëpusim vargjet:

Mali i Qyqvicës me përkulje,

në lutje për bijën që i dha nder

Fusha e Drenicës, tufa lulesh

te varri i saj mbjellë çdo pranverë!

Në përkujtim të Dr. Vlorës, Fondacioni Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, dega në Vjenë, i ndan Mirënjohje me Motivacion: “Për rezultate të shquara të rangut të lartë ndërkombëtar në fushën e hulumtimeve shkencore, për ndihmë shumë studiuesve nga gjithë bota dhe atyre shqiptarë, për ngritje të imazhit të femrës shqiptare, në veçanti, dhe shqiptarëve në rrethet shkencore ndërkombëtare.”

”Aktivitete letrare në Austri”, është një përmbledhje veprimtarish kulturore- letrare-artistike, që paraqet një tërësi të plotë kompozicionale e përmbajtjesore, organizuar në një shtrirje kohore e hapësinore, me një plotësinë e një mozaiku gjithëpërfshirës.

Ky material i bollshëm e i begatë, me një punë përkushtuese e të vullnetshme, është sistematizuar mjaft mirë në tre kapituj, të futur brenda një hyrjeje sqaruese për Lidhjen, me ca mendime sintetizuese nga autorë e mendimtarë të shquar, njohës të mirë të asaj problematike e nga vetë autori si dhe nga një përfundimi përmbledhës.

Dromca aktivitetesh letrare- është një kapitull mjaft interesant dhe i larmishëm, në të cilin janë përmbledhur artikuj të shumtë, që në aspekte shumëdimensionale pasqyrojnë aktivitete të ndryshme kulturore-letrare e artistike, si: përurime librash e revistash, orë letrare e përkujtimore, takime krijuesish, ekspozita, recitime, prezantime krijuesish nga mbarë trojet shqiptare, të cilët qenë mysafirë në Vjenë, revista, shoqata, klube, e shkolla si dhe krijues në Vjenë e gjetiu. Autori, sikur e ka ndjerë këtë si një obligim moral, profesional e kombëtar, ngase Vjena, si djep i kulturës evropiane, ishte dhe është qendër ku lanë e po lënë gjurmë shumë figura arti e shkence, shqiptarë ose me origjinë shqiptare, apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. Të gjitha këto ngjarje kulturore, që mbarështohen brenda faqeve të këtij libri, jepen në mënyrë panoramike e të përzgjedhura dhe kapin një periudhë kohore brenda viteve 2007-2018.

Kapitulli bazë i librit në shqyrtim mbetet “Themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “ALEKSANDËR MOISIU” në Austri”, që paraqet një konglomerat të shkëlqyer figurash letrarësh e personalitetesh krijuesish shqiptarë që sot e gjithë ditën e mbajnë gjallë jetën kulturore atdhetare shqiptare në Austri e gjithandej në mërgatë.

Pas çlirimit të Kosovës dhe kthjellimit të Shqipërisë nga diktatura mbytëse, u krijuan rrethana të volitshme për aktivitete të reja në mërgatë, që synonin ngritjen e imazhit dhe progresit. Në maj të vitit 2011 nisi ideja për themelimin e një shoqate të krijuesve shqiptarë në Austri, e cila do të prezantonte kulturës tonë përpara vendasve dhe të huajve në Austri si dhe do të mundësonte integrimin e etnitetit tonë në shoqërinë dhe shtetin ku jetojnë e veprojnë.

Nismëtar i kësaj ideje ishte poeti Anton Marku, ndërsa grupi themelues në përbërje Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Amir Januzaj vendosi që shoqata ta merr emrin e paraardhësit tonë, artistit të madh me famë botërore që jetoi pikërisht në Vjenë, Aleksandër Moisiut. Nga 2 dhjetori i vitit 2011 Shoqata Kulturore „Aleksandër Moisiu“ është edhe e regjistruar pranë organeve përkatëse austriake. Më 14 janar 2012 Shoqata bëri promovimin e saj, u prezantua Kryesia dhe anëtarët e Shoqatës dhe publikut pjesëmarrës iu ofrua një program i pasur letrar.

Kjo Shoqatë për çdo ditë sot po e dëshmon seriozitetin e saj, duke shpërfaqur suksesshëm gjëllimin e kulturës sonë në Austrinë mike dhe kudo në botë. Aktivitetet e saj nuk kanë të ndalur. Takime me krijues e përurime librash, orë letrare e manifestime kulturore, prezantime e portretizime shkrimtarësh, pritje e organizime, konkurse letrare e vlerësime. Për shumicën e tyre lexuesi mund të informohet gjatë leximit të kësaj përmbledhjeje, të punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm e me një saktësi profesionale.

Në kapitullin e tretë “Krijues-anëtarë të Lidhjes…”, janë prezantuar disa nga anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë (LSHKSH) “ALEKSANDËR MOISIU”, në Austri, të cilën nuk janë përfshirë në kapitullin pararendës. Është kjo një lloj antologjie e vockël, ku janë paraqitur krijues e vepra të një rëndësie të veçantë për kulturën tonë në përgjithësi.

Dhe, e gjithë kjo punë do të dilte e zbehtë fare, po mos të shfrytëzoheshin edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për zemër. Nëse gjithmonë është thënë: Një foto flet sa njëmijë fjalë, atëherë, del se libri “Aktivitete letrare në Austri”, paskësh vlerë të madhe, që vërtet ia vlen të lexohet.

Duke u bazuar në punën e derisotme të Hazir Mehmetit, në vlerat e librave të tjerë të publikuar e në dorëshkrim, në forcën e pashtershme krijuese prej intelektuali erudit, lirisht mund të përfundojmë, me shpresën që nga mendja e tij brilante do të dalin edhe libra të tjerë, të rëndësishëm për kulturën tonë, të lakmueshme edhe nga të tjerët.

Në përmbyllje, autorit i dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë e librit mirëpritje nga lexuesit dhe bibliotekat tona!

Galicë, 2022