Sapo doli në dritë libri jetëshkrimor i veprimtarit Nysret Hajdari, me titullsimbolik “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, në botim të “prointegrës”, ku në dy vëllime, pas një pune 40 vjeçare, autori në mbi 1140 faqe përfshinë kujtime e ngjarje që nga vitet 1940/1945- së, gjegjësisht Luftës së Dytë Botërore e deri te vitet 1988/1989, por edhe të viteve të ’90 të shekullit të 20, si dhe ato të pasçlirimit të Kosovës deri në vitin 2017, duke përfshi e përshkruar edhe ngjarjet madhore politike të ndodhura në Kosovë, që nga vitet 1940-1989. – Autori është me prejardhje nga fshati Tërpezë i komunës së Vitisë, pas burgosjes disavjeçare me të birin Skënderin, që nga viti 1994 bashkë me familje jeton në Zvicër.
Nga Rexhep Rifati
Gjithë ata që kanë pas rastin dhe fatin ta kenë në dorë ditëve të fundit librin dy vëllimor të veprimtarit të ditëve të para të çështjes kombëtare, Nysret Hajdari, gjithsesi pyetjen e parë që do të ia bëjnë vetës është sesi ka mund një 86 vjeçar, ta shkruaj një histori aq mbresëlënëse familjare, por edhe të brezit të tij të përshkuar me shumë sfida e sakrifica sa individuale aq edhe familjare, madje duke e kaluar një pjesë të jetës bashkë me të birin e tij Skënderin për disa vite prapa grilave të burgjeve serbo- jugosllave, e që të mos thyhet në asnjë moment as nga torturat, përndjekjet, por që me dekada si një bletë të shënon, mbledh, ruaj e të nxjerr në letër ngjarje e kujtime, sa sot të kemi në dorë jo vetëm një libër kapital e me një index prej mijëra emrash, por edhe një dokumentar të vërtetë kohe për një periudhë kohore prej plot 8 dekadash.
Libri fillon me një dedikim përmes të cilit shihet edhe se ç ‘rrugëtim jetësor pati ndër vite e dekada familja Hajdari nga fshati Tërpezë i komunës së Vitisë. Ja edhe dedikimi i plotë i autorit, ku ai librin e tij ua kushton edhe të gjithë brezave që u sakrifikuan për kauzën e atdheut dhe çlirimit kombëtar:
Gjyshit tim, Hajdarit, të masakruar nga forcat bullgare; Gjyshes sime, Rabishes, që na rriti ne, gjysmë-jetimëve; Babait tim, Islamit, që na rriti e na edukoi me ndershmëri; Nënës time, Arzijes, që vdiq shumë e re nga tuberkulozi; Motrës Hatixhes, Havës, vëllait Ilazit dhe motrës Hatixhes së dytë, që vdiqën në lulen e rinisë; dhe Mehrijes që na la shumë herët; Xhaxhallarëve: Kurteshit dhe Hajrushit, që luftuan me pushkë kundër forcave partizano-çetnike të Jugosllavisë pushtuese; Rinisë heroike shqiptare të vitit 1981 e të viteve në vazhdim; Rreth 2400 dëshmorëve të UÇK-së të rënë për liri; Mijëra shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat serbe gjatë Luftës Çlirimtare në vitet 1998-1999; Pasardhësve të mi në Zvicër dhe në Kosovë; Secilit shqiptar që i rrah zemra për Bashkim Kombëtar
Falënderim bashkëpunëtorëve, por edhe shtetit zviceran
Që lë fillim të librit, Nysret Hajdari, që mban e ruan me dashuri edhe pseudonimin Fitim Fitimi, regjistron edhe një falënderim: Me rastin e botimit të të dy vëllimeve të librit tim me titull: “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, një falënderim të veçantë e kam për konsulentët e librit: Xhevat Hasanin, Salih Bytyqin, Muharrem Blakajn dhe Avni Azizin. Ata me këshillat dhe sugjerimet e tyre kanë bërë, që të dy vëllimet e librit të kenë shije estetike, strukturim dhe renditje më të mirë kronologjike, të temave dhe të çështjeve që kam trajtuar.”
Sa i përket përmbajtjes – gjykimeve dhe vlerësimeve të bëra nga unë në të dy vëllimet e librit, të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë ia kam rezervuar vetës. Sepse ndryshimi i përmbajtjes së tyre nga kushdo qoftë (qoftë edhe nga një redaktor profesionist), do të më bënte të mos ndihem autor i librit.
Isuf Ismailin e falënderoj që në cilësinë e lektorit ka bërë që të dy vëllimet e librit tim, të frymojnë sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Për mbështetjen morale gjatë shkrimit dhe për përpunimin teknik të librit, e falënderoj djalin tim Skënder Hajdarin. Bashkëshorten time Xhemile Hajdarin e falënderoj si për mbështetjen morale, ashtu edhe për rikujtimin e shumë ngjarjeve, për të cilat kam shkruar në vëllimet e librit.
Një falënderim të posaçëm kam edhe për Zvicrën, shteti i cili më strehoi mua dhe familjen time në momentet më të vështira të ekzistencës sonë si familje.
Së fundi e falënderoj secilin shok e mik, që qoftë edhe me një fjalë të vetme, më ka inkurajuar për shkrimin e kujtimeve të mia.
Parathënia e autorit drejtuar lexuesve:
Të nderuar lexues!
Që nga fillimi i viteve të 80-ta të shekullit të 20-të, kur shqiptarët demonstronin duke kërkuar që Jugosllavia t’ia njihte Kosovës statusin e Republikës dhe të drejtën për vetëvendosje, e deri në fund të viteve të 90-ta, herë pas here kam mbajtur shënime për ngjarje personale, familjare dhe për ato të përgjithshmet kombëtare, që kanë ndodhur në Kosovë.
Disa miq e shokë më sugjeruan që shënimet e tilla t’i rendisja në vijimësi kronologjike dhe t’i botoja si kujtime. Meqë edhe djali im Skënderi ishte i atij mendimi, vendosa që shënimet e mia t’i përpunoja në formën e kujtimeve dhe t’i bëja gati për botim.
Si lindi titulli i librit?!
Autori tregon edhe se si lindi edhe titulli i këtij libri: “Po ashtu, vendosa që kujtimet t’i emërtoja si “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”. Edhe pse kujtimet që lidhen me ngjarjet e mia personale, familjare e madhore, kryesisht kanë qenë të hidhura e të errëta, megjithatë, duke pasur parasysh se ato çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, vendosa që në titullin e librit t’i “rehabilitoja”, – t’i quaja të “ndritura”, kurse kohët i lash ashtu siç kanë qenë: – të errëta dhe të zymta.
Por, puna për shkrimin e kujtimeve më doli më e vështirë, se që e kisha menduar fillimisht. Kështu, herë pas here mendova ta ndërprisja shkrimin e tyre. Por, për të dalë nga ky tundim më ndihmuan shokë e miq të ngushtë dhe djali im Skënderi. Ata më inkurajuan e më motivuan që shkrimin e kujtimeve të mia ta çoja deri në fund.
Dy vëllime, në dy libra me të njëjtin titull
Meqë fondi i kujtimeve dhe i ngjarjeve për të cilat shkrova u bë i madh, vendosa që ato t’i ndaja në dy vëllime për t’i botuar si dy libra me të njëjtin titull.
Në vëllimin e parë të librit të ndarë në 8 pjesë dhe në 40 kapituj, janë përfshi kujtime e ngjarje që nga vitet 1940/1945 së Luftës së Dytë Botërore (LDB-së) e deri te vitet 1988/1989, kurse në vëllimin e dytë janë përfshi kujtime dhe ngjarje të viteve të ’90 të shekullit të 20, dhe ato të pasçlirimit të Kosovës deri në vitin 2017.
Krahas përshkrimit të ngjarjeve të mia individuale, familjare dhe grupore (të shokëve dhe të miqve), i kam përshkruar në vija të trasha edhe ngjarjet madhore politike të ndodhura në Kosovë, që nga vitet 1940/1945 të LDB-së e deri në vitet 1988/1989. Këtë e kam bërë për vet faktin, sepse ngjarjet e tilla madhore, në masë të madhe kanë qenë produkt i veprimtarisë kombëtare, individuale, familjare e grupore e mijëra veprimtarëve. Dhe këtë e kam bërë, sepse ngjarjet e tilla madhore, në masë të caktuar e kushtëzuan ndodhjen e veprimtarive kombëtare: individuale, familjare dhe grupore të mijëra veprimtarëve.
Jam i lumtur që pas një punë disa-vjeçare kujtimet e mia po e shohin dritën e botimit, për t’ua lënë ato pasardhësve të mi dhe gjeneratave që do të vijnë.
Të gjitha vërejtjet e mirëfillta të lexuesve janë të mirëpritura.
Disa rreshta nga jetëshkrimi i autorit, Nysret Hajdari
Nysret Islam Hajdari (Fitim Fitimi) u lind më 10. 01. 1935 në fshatin Tërpezë të komunës së Vitisë. Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në vendlindje, dy klasë të Gjimnazit të Ulët i kreu në Gjilan dhe më vonë, klasën e VII dhe VIII, i kreu në fshatin Pozhoran. Edhe pse ky shkollim, të cilin e kishte kryer gjatë viteve 1945 deri 1955, për kohën ka qenë i mjaftueshëm për të punuar si mësues, ai për shkak të papërshtatshmërisë politike familjare, nuk pranohet në asnjë shkollë që të punojë si mësues.
Bashkëveprues me grupimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla
Nga viti 1969 e deri në fund të vitit 1985, Nysret Hajdari si edhe shumë shqiptarë tjerë ka bërë jetën e kurbetçarit në Gjermani, ku ndërkohë ka vazhduar me arsimimin e tij pa shkëputje nga puna, duke e përfunduar një shkollë profesionale si teknik i ndërtimtarisë. Që nga fundi i vitit 1979 e deri në fillim të vitit 1982, bashkëvepron me grupimin politik të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, kurse nga gjysma e vitit 1982 deri në vitin 1985, bashkëvepron me grupimin politik të Abdullah Prapashticës, Osman Osmanit e Faton Topallit.
Arrestimi dhe burgosja me të birin Skënderin
Në janarin e vitit 1986, i akuzuar për veprimtari politike anti-jugosllave gjatë kohës sa kishte qenë Gjermani, Nysret Hajdari arrestohet së bashku me djalin Skënderin në Prishtinë. Gjykata e Prishtinës me akuzën për veprimtari armiqësore kundër rendit kushtetues dhe shtetit jugosllav, Nysret Hajdarin e dënon me katër vite burg, kurse djalin e tij Skënderin me tre vite burg. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, Nysret Hajdari bashkë me Skënderin e vazhdojnë më tej veprimtarin e tyre ilegale në të mirë të bërjes së Kosovës Republikë.
Në korrik të vitit 1993, Skënder Hajdari për shkak të veprimtarisë ilegale burgoset e dënohet për të dytën herë, kësaj radhe me një vit burg. Por me që organet e përndjekjes kanë dashur ta burgosnin edhe Nysret Hajdarin, ky detyrohet të largohet nga Prishtina duke u vendosur te e motra në qytetin e Shkupit. Në pamundësi që të kthehej në Kosovë për shkak të rrezikut të burgosjes nga organet serbe të përndjekjes, Nysret Hajdari në vjeshtën e vitit 1994 bashkë Skënderin kalojnë nga Maqedonia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Zvicër, ku pas një viti iu njihet e drejta e azilit politik.
Në Zvicër Nysret Hajdari e vazhdon veprimtarin e tij në kuadër të degës së UNIKOMB-it për Zvicrën. Gjatë viteve 1998/1999 të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Nysret Hajdari ka dhënë kontribut të veçantë për mbledhjen e ndihmave financiare në kuadër të fondit «Vendlindja Thërret», fond ky i dedikuar për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-UÇK-së.
( Nga arkivi im veçova disa nga fotot e Nyret Hajdarit me rastin e vizitës së Nevzat Halilit në Winterthur të kantonit të Cyrihut)
Autori, Nysret Hajdari, në shoqërim me disa nga veprimtarët e çështjes kombëtare