Doli nga shtypi libri i 48-të i shkrimtarit Bedri Tahiri: “Qëmtime letrare”

Me këtë rast portali ynë, boton fjalën e redaktorit Nexhat Rexha, me titull : Portretizime në gdhendje të fjalës” , ndërsa që vet brenda e librit përfshinë krijues të njohur nga Kosova e mërgata

Fjala e redaktorit Nexhat Rexha

Fushë veprimtaria artistike e Bedri Tahirit ka shtrirje të gjerë në opusin krijues të tij. Vepra letrare në komunikim me fjalën dhe depërtimet e saja nëpër faqet e shpalosura, vijnë si konkretizim i realizmit të saj, për të ruajtur koherencën shkrimore, si testament i një periudhe kohore. Fjala dhe portretizimi i ngjarjeve në fokusim të paraqitjeve të tyre konkretizojnë artikulimet e Bedriut, si refleksion dhe si gdhendje, depërtime nëpër ngjarje e faqe të librave, të cilat prodhojnë produktivitetin e tij artistik.

Libri “Qëmtime letrare”, në brendinë e trajtimeve të tërësishme ngërthen në vete: recensione dhe shfletime të biografive të ndryshme, kumtesa, intervista, reportazhe, opinione dhe shkrime të të tjerëve për autorin etj. Nëpër këto depërtime e përjetime, në lexim e në shkrime, autori ka gdhendur me përkushtim fjalën artistike, duke e vënë atë në peshoren e mendimit, si refleksion dhe si përjetim që rrezaton identitete nëpër vlimet e kohëve. Trajtueshmëria e shkrimeve ka shtrirje në tematikë të larmishme, në të cilat dallohen figura të spikatura kombëtare, ato specifikojnë për të ndodhurat dhe veprimet e njeriut me kohët. E rëndësishmja dhe e dallueshmja janë thesaret e një kulture, kur ato krijojnë udhërrëfimin nëpër ditët e vështira të luftërave e sistemeve politike. Në këto relacione krijohen portretizimet e ngjarjeve dhe të protagonistëve në librin e Bedri Tahirit “Qëmtime letrare”.

Po çka e karakterizon përmbajtjen shkrimore të këtyre recensioneve në librin e Bedriut, kur dihet se ai ka të botuara disa vepra origjinale, të cilat shpalosin jetën në hapërime unifikuese, si dhe krijojnë ruajtjen e vlerave artistike në letrat shqipe.

Sidoqoftë, mendimi kritik në këto trajtime dallon nga veprat poetike, ndërkaq, tërësia e punime në vepër ofron shqyrtime që begatojnë opusin krijues të autorit, të cilat ruajnë rrjedhshmërinë e zhvillimit kulturor, si dhe ndërlidhin faqet e botëkuptimit letrar në këto dekadat e fillimit të shekullit XXI.

Lexuesi kërkues nëpër faqet e librit mund të përjetojë, diçka që ai kërkon, nxit e kurajon kërkesat e tij për njohje e depërtime më të thella për personalitetet e portretizuara nga autori i librit. Shkrimet e këtilla me shtrirje nga më të ndryshmet përforcojnë mendimin e qëndrueshëm për realizimin, konkretizimin e fjalës artistike në gdhendje të brendshme të impresioneve në fokusim të afirmimit të vlerave kombëtare, duke saktësuar ngjarje në dialektikën e jetës. Shkrimet ofrojnë mundësi të pranueshme për cilëndo shtresë të lexuesit. Procesi komunikues në librin “Qëmtime letrare”, artikulon mendimin e hapur dhe origjinal, për të ndërlidhur proceset jetësore, në këto sprova ndriçuese. Kështu, krijohen ngjarjet me protagonistët e njohur, ata që bënë histori dhe në ndonjë rast protagonistët që do bëjnë histori në jetën shoqërore, por në rrethana më të favorshme për jetën dhe të ardhmen e vendit tonë.

Libri në të gjitha shtjellimet brenda tekstit, krijon mundësinë e dëshirueshme për lexuesin, i cili përcakton vetë pjesën e leximit për të bërë pjesë të interesimeve të tij. Bedri Tahiri, në interpretimet e teksteve, konfirmon lirshëm përshtypjet brenda veprave që ka marrë në shqyrtim.

Sintetizimi i botës reale në fokusim të botës artistike, shtron para njeriut autor dhe njeriut lexues i tekstit, elementet që gërshetojnë lidhjet e protagonistëve nëpër vepra letrare. Në këto akte të leximit, interpretimit dhe mesazhit, brenda tekstit, krijojnë predispozita të përafërta apo edhe konkretizojnë botën reale në ruajtje të faktorizimit për njeriun nëpër kohë.

Autori ka marrë në shqyrtim vepra: me poezi, monografi, nekrologji dhe portrete të spikatura nëpër periudha të ndryshme. Vlen të theksohet vepra dramatike e Adem Demaçit “Politika dhe pushka”, e cila specifikon periudhën komplekse të luftës për liri të Azem Bejtë Galicës dhe politikës shfarosëse në Nikolla Pashiqit ndaj popullatës shqiptare. Në realitet, vetë drama në brendi të saj, determinon këtë periudhë kohore, kurse protagonistët e veprës, përmes rrëfimit dramatik të tyre vejnë në spikamë këtë dramë njerëzore.

Bedri Tahiri në interpretimin e tekstit, bartë mesazhet brenda dialogimit të protagonistëve në ndërtim e avancim të ndriçimit sa më autentik. Pastaj roli i Fishtës në kontekstin e veprës letrare dhe anatema kundër tij, heroizmi i Dedë Gjon Lulit, vrasja e poetit Ymer Elshani, veprat kushtuar dëshmorëve, si dhe portretizimi i Adem Jasharit, krijojnë realitetin e kërkesave për liri si dhe lidhja e ruajtja e flamurit kombëtar në këto rrjedha kohore.

Autori ka shkruar disa monografi për figurat e rëndësishme kombëtare, duke u ndalur në pikëtakimet e karakterit të tyre, ata me heroizmat që kanë bartur nëpër kohë testamente për liri, ata janë dëshmia më e mirë për luftën, sakrificën e për lirinë që sot, atdheu frymon në pjesët e liruara nga robëria shekullore. Ndërsa, protagonistët në veprat e trajtuara janë skalitur dhe portretizuar ashtu siç i njeh njeriu ynë.

Historia njerëzore nëpër kohë, krijon mite dhe ato janë realitete që krijojnë jetëgjatësi në kujtimet e bashkëkohanikëve dhe frymëzojnë në ndërtime artistike. Bedri Tahiri, nga shumë personalitete historike që njeh bota shqiptare, dallon figurën e luftëtarit Bekim Berisha-Abeja, emblemë e UÇK-së, për të cilin flasin ata që e njohën e punuan me të: “Roli i Abesë, fillimisht në luftën e Kroacisë, ishte dhe do mbetet në analet e historisë si i pa përsëritshëm. Nga njohuritë e mia si ushtarak, mendoj se nuk njeh doktrina ushtarake dhe as që është mësuar ndokund ajo strategji e përdorur në luftë, e cila është aplikuar nga Bekim Berisha. Ai ishte Ajnshtajni i strategjisë luftarake. Ai ishte Gjeniu luftarak i këtij shekulli. Strategjia luftarake e përdorur nga ana e Bekimit, ka bërë që të ndryshojë doktrina ushtarake e Akademive të shumta në regjion. E them me përgjegjësinë më të madhe morale se Abeja ishte dhe mbetet luftëtari më trim e më i spikatur kundër falangave serbo-çetnike në historinë e këtyre Luftërave Ballkanike”

Në këtë vepër dhe si dhe shumë të tjera Bedri Tahiri, ka shkruar për disa personalitete dhe vlera të luftës së Kosovës, kurse me veçantitë, karakterin e luftëtarëve të UÇK-së, ka dhënë konfirmimin se si përçohet mesazhi i heroit të ditëve tona. Gjithnjë duke iu dhënë atyre atributet e meritueshme, sepse sakrifica e luftëtarëve, kundër një ushtrime barbare dhe me armatim shumë më të bollshëm, e ka edhe shpjegimin e vet që dëshmon për qëndresën, rolin dhe peshën e kësaj lufte për liri.

Në tërësinë e brendshme të librit, lexuesi përfiton njohje për vlerat e trajtuara. Në të dominojnë trajtimet për poezinë dhe monografitë, si dhe portretizimi për figurat e rëndësishme kombëtare. Në secilën pjesë shkrimore brenda këtij libri, Bedri Tahiri, ka dëshmuar përkushtimin dhe lidhjen e botës artistike më të ndodhurat nëpër kohë. Vepra në lexim të krijon mundësi për të përjetuar ngjarjet dhe karakteristikat e kohës, të cilat krijojnë efektin pozitiv te lexuesi, kurse disa trajtime shërbejnë për hulumtuesit e ardhshëm, për këto ngjarje e vepra me të cilat është marrë autori.

Bota e mendimit kritik dhe faktografia e njeriut nëpër rrjedhat e ngjarjeve historike, krijojnë mundësinë e ruajtjes së vlerave si thesar e trashëgimi kulturore e kombëtare. Pena e Bedri Tahirit, ka krijuar portretin autentik si farkues i fjalës artistike. Ai gjithnjë, po krijon vlera e depërtime të avancuara. Kur fjala vihet në shërbim të kërkimit dhe të transparencës, ajo arrin në cakun e dëshirueshëm dhe bartë mesazhin, suksesin nëpër kohë. Këtë synim Bedri Tahiri e ka arritur më bukur në gdhendjen e fjalës dhe në peshoren e mendimit autentik.

Qershor 2022