DY DITË TË NGJESHURA ME AKTIVITETE NË BARI-ITALI
Nga Shqipe Bytyqi
Këtë vit Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) me 10 dhe 11.02.2024 organizoi takimim e përvjetshëm të 16-të me radhë „Dita e Miqësisë së Gazetarëve“ në Bari-Itali. Është hera e parë që UGSH përveç gazetarëve përfshinë edhe poetë dhe shkrimtarë të diasporës.
Ky aktivitet mblodhi rreth vetes poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe botues nga diaspora dhe hapësira shqiptare si Flora Brovina, Ilirjana Sulkuqi, Shqipe Bytyqi, Mimoza Leskaj, Hamdi Hysuka, Hasan Bulçari, Iliaz Bobaj, Yllka Merkuri si dhe gazetarë si Aleksandër Çipa, Frrok Çupi, Besim Dybeli, Ymer Hysa, etj.
Aktivitetin e moderoi gazetarja, poetja, moderatorja e mirënjohur Alketa Gashi Fazliu. Në kuadër të këtij organizimi nën përkujdesjen e poetes dhe misionares Ilirijana Sulkuqi u mbajt edhe një „Orë poetike e fjalës shqipe“ ku poetë dhe personalitete të letrave shqipe lexuan fillimisht vargje të poetëve të përjetësuar si Jeronim De Rada, Lasgush Poradeci, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Drita Çomo, Lefter Çipa, Frederik Reshpja, Ali Asllani, Moikom Zeqo, Xhevdet Bajraj dhe më pas lexuan edhe poezi nga botimet e tyre.
Në ditën e dytë të këtij aktiviteti në praninë e Konsullit shqiptar në qytetin e Barit, Arjan Vasjari, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau Certifikatë Mirënjohjeje, gazetarit, veprimtarit Hasan Aliaj, botues i gazetës “Rrënjët”, si dhe gazetarit arbëresh, Mario Calavia. Kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipës iu dha çmimi “Dritëro Agolli”, çmim që ia dorëzoi vajza e shkrimtarit të mirënjohur, Elona Agolli.
Shqipe Bytyqi nga Qendra Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur apeloj që gazetarët dhe poetët shqiptarë të angazhohen për informimin dhe sensibilizimin e opinionit huaj dhe vendor për gjenocidin që Serbia kreu në Kosovë. Në mbyllje të aktivitetit gazetarët, poetët dhe shkrimtarët, në Konsulatën e Shqipërisë në Bari vizituan ekspozitën “Elbasani në 100 vjet“ për të cilën ishte përkujdesur Agjencia e Kulturës dhe Turizmit, Bashkia Elbasan, më në krye me të vyeshmin Artur Guni. Me rastin e kësaj vizite, Misioni „Kujtesë për Vazhdimësi“ dhuroj për shkollën shqipe në Itali disa pako librash të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptar të pranishëm. Aktivitete të tilla motivojnë dhe ofrojnë njeriun e letrave shqipe me njëri tjetrin.