Dimri… pas ëndrrave që bëhen pranga

Gazetari dhe poeti Bekim Muhaxheri doli me librin e tij të dytë të titulluar ”Në zemrat tona dimri ka mbetur”.

Libri i kushtohet vëllait të autorit dhe nëpërmjet tij edhe të gjithë atyre që nuk mundën ta mbijetojnë koronavirusin, ndërsa përmban poezi të shkruara në kohën e mbylljes pandemike dhe të tjera të shkruara më parë dhe më pas.
Përmbledhja e dytë është një mbajtje e fjalës së dhënë në poezinë e fundit të librit të parë ku Muhaxheri premtonte një libër tjetër. Ai vitin e kaluar botoi librin po me poezi të titulluar “Ëndrrat bëhen pranga”.

Botuesi Berat Dakaj dhe shtëpia e tij “Armagedoni” konstatuan se në librin e dytë Muhaxheri ka hequr prangat që mund të ketë bartur nga libri i parë.
“Me të parin libër na ka befasuar për të mirë, ndërsa me këtë tjetrin na befason edhe më shumë. Me një fjalë ka hequr prangat nga duart, nga ëndrrat, nga idetë, nga kufizimet, nga shkrimi dhe me maturi, me përkujdesje gjuhësore dhe me vëzhgim të gjerë e të hollë ka rrokur për koke temat kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare”, thuhet në fjalën e botuesit.

Para se t’i përkushtohej poezisë, Muhaxheri punoi si gazetar e redaktor nëpër disa media kosovare.

Copëza kujtimesh

Kur të goditën në brinjë
T’u duk sikur u shemb
E tërë mbrojtja e një qyteti
Ranë të gjitha fortifikimet
Dhe u rrëzove
Duke e ditur se zemra ka shpëtuar
E palënduar
Brenda kafazit të kraharorit.
Të hodhën pastaj në një vrimë të errët
Si në një natë pa hënë,
Pus të zezë
Ku sado që hapje sytë
Nuk shihje asgjë.
Të lanë të mendohesh,
Të thyhesh,
Ta kuptosh
Se kështu u ndodh kryengritësve,
Por nuk u kërkove asgjë.
Vetëm volle llavën e kuqe
Që të digjte përbrenda
Dhe ndriçove veten
Si shenjtor

Dridhje e brendshme

Në shtëpi i mbyllur
Si në Barkën e Noit
Shtyj ditët mërzitshëm
Deri në fundin e botës
Ose fillimin e ri.
Nuk jam i përzgjedhuri
Dhe kafshët s’i kam futur brenda
Për t’i shpëtuar
Para se ujërat të ngrihen
Për ta përpirë Tokën,
As nuk më janë shfaqur
Vizione hyjnore me udhëzime
Për atë që më pret
Pas fundosjes.
Jam vetëm një njeri i vogël
Që dëgjoj lajmet dhe këshillat
Si të sillem brenda katër mureve
Për të mos u çmendur
Derisa të kthehet liria.
Nuk po ndodh apokalipsi
Vetëm një dridhje brenda nesh.
Ndoshta kur të dal
Do të di t’i lexoj shenjat e tërmeteve
Brenda njerëzve

Peizazh i ri

Qenkan rralluar drunjtë
Si dhëmbët në gojën e të moshuarve
Dhe shpeshtuar ndërtesat
Si ushtarët në parada
Kjo gjë nisi moti
Që në ditën kur njëra nga degët
U bë bisht sëpate
Dhe i pari që u pre
Ishte druri që ndihmoi tehun e metaltë
Të bëhej armë në duart e njerëzve
Kështu ndodh gjithmonë me tradhtarët,
Me ata që kthehen në vegla të tjetrit
Nga atëherë kemi hyrë në pyje
Si ujku ndër dele
Drunjtë s’kanë gojë as të blegërijnë,
As të bërtasin mjaft!
Kur të bjerë druri i fundit
E tëra që do të mbetet
Do të jetë një pyll betoni
Me vinça si degë të thara përreth,
Por në botë nuk do të lindin më
Fëmijë me sy të gjelbër

Tri poezi nga libri “Në zemrën tonë dimri ka mbetur” i botuar nga “Armagedoni”.