Dhoma muze Aleksandër Moisiu në Durrës, që ia vlen të vizitohet  

 Shtëpia me çardak e gjysmës së dytë të shekullit 19-të e cila në vitet e `30-ta të shekullit 20 ishte seli e Konsullatës angleze, pas restaurimit dy dhoma me emërtimin “Dhoma muze Aleksandër Moisiu” i janë kushtuar aktorit tonë me famë botërore, Aleksandër Moisiut , pasi ai në këtë qytet kreu shkollën fillore dhe për këtë në vitin 1928 shkroi kujtimet e tij në formë skice me titull “Ëndërr fëmijërie”. Këto pak të dhëna figurojnë në një tabelë varur ne hyrje.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pas restaurimit, në vitin 1983, në këtë objekt u vendos “Ekspozita e Kulturës Popullore”, në mënyrë që tash aty tash ti gjesh tre dhoma ekspozite, ku shpalosen vlerat artizanale të trevës së qytetit të Durrësit me rrethinë. Ndërsa dy dhoma të tjera i janë kushtuar figurës së aktorit me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu (1879-1935) emërtuar “Dhoma Muze Aleksandër Moisiu”.

Gjatë vizitës, më 10 Korrik 2015,  me kolegët e portalit tonë prointegra.ch: Osman Osmanin dhe Skender Hajdarin, si dhe me kolegun Blerim Shabani nga albinfo.ch, vizituam këtë objekt ku u ndamë më se të impresionuar, sidomos me skulpturat e me portretin e Moisiut të punuara nga emra të njohur të artit shqiptar e evropian.

Edhe “Ekspozita e Kulturës Popullore”, ofron një pasqyrë të veshjeve, veglave dhe orendive shtëpiake durrsake në periudha të ndryshme kohore, ndaj edhe të shkosh në Durrës e të mos vizitosh këtë shtëpi- muze si dhe pjesën e qytetit antik, sidomos muzeun arkeologjik e amfiteatrin do të ishte një mangësi për çdo vizitor kureshtar që i donë dhe çmon vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, ca prej të cilave janë edhe pjesë e kulturës së përbotshme.

Ndaj edhe me këtë rast kur bëhet fjalë për aktorin e madh shqiptar me përmasa ndërkombëtare, po e jap edhe një vizitë timen në Lugano te varri i Aleksandër Moisiut në njërin nga përvjetorët e lindjes së tij.