Dhjetori i Dytë kundër Dhjetorit të Parë

I.

Dhjetori i Dytë. Kështu shënon në parullat e studentëve që kanë mbushur këto ditë sheshet e Tiranës. Kështu lexohet shpesh edhe nga analistët në debatet për kualifikimin historik të kësaj proteste studentore.

S’është një blasfemi të thuhet se ky vlerësim nuk qëndron. Madje se këto lëvizje në një farë mënyre janë të kundërta. Në të vërtetë kjo kryengritje e studentëve përbën atë që i përshkruhet asaj lëvizjeje. Si antisistem. Antiestablishment. Studentët e dhjetorit 2018 në të vërtetë po protestojnë kundër studentëve të dhjetorit 1990! Po ta qëmtosh pak më imët, sheh se e gjithë klasa politike sot vjen nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit të 1990-tës. Duke filluar nga Presidenti, duke vazhduar me Kryeministrin dhe duke mos përfunduar te deputetët e Parlamentit.

Pastaj parakalimi këtyre ditëve nëpër ekranet e televizioneve të studentëve protestues sugjeron një profil të tyre socilal kryesisht nga segmente të paprivilegjuara. Në anën tjetër, në Shqipërinë komuniste vërtet vështirë e fitoje të drejtën për të studiuar në drejtimin e preferuar, por pjesëtarët e familjeve me behane në biografi nuk studionin dot as në drejtime të padëshiruara. Këta ishin vetë të padëshiruar. Pra të ishe atëbotë student ishte privilegj.

Teza se ndërrimi i sitemeve në Shqipëri nuk ishte tërësisht prodhim i një revolucioni nga poshtë, por në një masë i negociuar me kreun e shtetit komunist (Ah kjo negociata!), nuk del e përgënjeshtruar. Kjo e shpjegon në një mënyrë pse janë kaq dendur të përfaqësuar ish komunistët dhe pinjollët e tyre në klasën politike shqiptare. Jo vetëm te partia trashëgimtare. Sistemi ndërroi, sepse ishte detyrim i kohës, por nuk ndërroi mendësia politike, sepse sistemi i ri përfundoi në duart e fëmijëve dhe ndjekësve të nomenklaturës.

II.

Para disa muajsh e tematizuam një hulumtim të Fondacionit Friedrich Ebert për barazninë sociale në Evropën Juglindore. Ai nxirrte që në Shqipëri vetëm një për qind e popullatës së varfër kanë akces në shkollim të lartë. Si në asnjë vend tjetër të rajonit! (Dhe kemi shtruar pyetjen sesi është e mundur kjo në një vend ish-socialist, ku më shumë se gjysmën e kohës së pluralizmit ka qeverisur partia që e ka trashëguar drejtpërdrejt partinë komuniste?)

Gjithsesi studimi e zbulon problemin që ka njëmend Shqipëria me shkollimin e lartë. Ai i përligj demonstaratat studentore të këtyre ditëve. Por kjo i erdhi e pakujtuar qeverisë. Ajo s’e bënte hesap askënd. I pandehte të gjithë si opozita… Së cilës ia njeh dhëmbë e dhëmballë. Për të kush kishte emër, kishte edhe çmim! Po asaj që s’ka emër, s’ka mëkate dhe është e qartë për atë që do, s’ka ç’i bën as magjistari i kryeqytetit. Ai i cili punon 25 nga 24 orë të ditës dhe në të njëjtën kohë mund të qëndrojë në dy vende të ndryshme, edhe kur këto janë mijëra kilometra larg njëri tjetrit!

Sfida e parë ishte rezistenca prej dhjetë ditëve në protestë. E dyta, ata me gurrën e imagjinatës së tyre ia thyen kryeministrit monopolin e ironisë. Aq më tepër që fjala djeg më fort kur është e vërtetë. E treta, mendohet që kjo lëvizje në fund mund të prodhojë një forcë konkuruese politike. Dhe, kjo do të ishte një risi në skenën politike shqiptare. Një revolucion që hë për hë do t’i diskualifikonte nga pushteti elitat e mendësisë së vjetër.

Nga kjo perspektivë Kryetari i ministrave ka të drejtë kur thotë se lëvizja studentore i ka dhënë pushtetit një shuplakë, opozitës një grusht dhe shoqërisë një shpresë. Domethënë më tepër opozitës, sesa pushtetit! Por kjo nuk e qetëson atë dhe s’i bën të pabesueshme pohimet e studentëve dhe medieve se janë mobilizuar institucionet për shantazhimin e studentëve për ta shuar protestën.

II.

Një akademik i ri iu është qepur politikanëve. Ai iu parapriu protestave të studentëve me zbulimet se bartës të pushtetit kanë diploma të rreme. Me këtë në fillim e tërhoqi vëmendjen e Kryeministrit, i cili e joshi atë me funksionin e zëvendësministrit të Arsimit. Por ai vrik ia përplasi derën, kur pa se meraku i Kryetarit ishte performansa e ministrive në rrjetet sociale… Me këtë ai ka tërhequr mërinë e tij. I është bërë halë në sy. I është bërë gjemb në këmbë. Kafshatë që s’kapërdihet. E ka mërzitur. Po e bën verem.

Akademiku i ri është afirmuar në një mentor të zbuluesve të plagjiaturave. Nuk duhet lënë pa e përmendur se ai angazhohet nga Zvicra! Ai e sfidon Kryetarin e ministrave ta nxjerrë diplomën e tij. Në rrjetin e „mentorit“ kanë rënë një sërë figurash publike. Ndër ta edhe Kryetarja e partisë së dytë opozitare. Këta në vazhdën e rrëmujës kanë luksin të heshtin.

Ndërkohë është tërhequr një profesor i denoncuar nga studentët se kërkonte shërbime seksuale për provimet.

A do t’i frymëzojë kjo lëvizje studentët në Kosovë dhe në Maqedoni? Tani që mbaroi puna e ushtrisë. Në Kosovë në fakt janë denoncuar disa plagjiatura prej kohësh. A do t’u falen ato atyre? Në Tetovë universitetit po ia çojnë kazinotë te hunda! Atje nuk dalin kuadrot e partive nga universiteti, por kuadrot e universitetit dalin nga partitë. Po profesorët sevdallinj do t’i denoncojë dikush? Apo të presim sa t’i zhdëp ndonjë në dru në mes të qytetit?