Në Sirnach, në praninë e përfaqësueseve të shoqërive simotra, si dhe mysafirëve nga Kosova e mërgata, u shënua rrita e kësaj trupe të respektuar dhe të vlerësuar nga artdashës shqiptarë e zviceranë, si dhe u promovua një monografi kushtuar rrugëtimit të saj
Rexhep Rifati
Në mesin e ansambleve muzikore që tash më kanë shkelur pragun e pjekurisë, jo vetëm për kah mosha, por edhe cilësia është edhe Ansambli “Arbëresha” në Sirnach të Kantonit Thurgau, i cili më 25 janar shënoi 10- vjetorin e veprimtarisë. Në këtë manifestim të përshkuar me disa pika artistike, merrnin pjesë, pos përfaqësuesve të grupeve artistike, simotra edhe mysafirë nga Kosova e mërgata. Të pranishëm ishin Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, Mustafë Xhemaili, Ministër këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, konsulli i Kosovës në Cyrih, Dr. Salih Sefa, si dhe Don Albert Jakaj nga Famullia e Stubllës dhe autori i monografisë së posa botuar Ndue Ukaj.
Ishte kjo një mbrëmje sa festive aq edhe e përmallshme për shkak të vdekjes disa muaj më parë të ish-kryetarit të ansamblit dhe njërit ndër anëtarët më të dalluar, Lulzim Saliqunit. Ndaj edhe një pjesë e programit iu dedikua atij, si edhe një portret i piktorit Arsim Berisha.
Në këtë dhjetëvjeçar të “Arbëreshës” , një fjalë rasti e mbajti kryetari i ansamblit Ndue D. Uka , i cili që në fillim tha se: “ Jemi tubuar, në këtë përvjetor me rëndësi për Ansamblin “Arbëresha”, pas një rrugëtimi dhjetëvjeçar, dhe një rruge të shoqëruar me sfida, gëzime, dhembje, humbje, për të shtuar se: Sot, ky përvjetor është më i zbehtë, më i zymtë, më i trishtueshëm, sepse mes nesh nuk e kemi njërin nga anëtarët më të devotshëm, kryetarin tonë që kaloi në amshim, Lulëzim Saliqunin.
Një dekadë, është një kohë e gjatë, e shoqëruar me plotë sfida të shumta, vështirësi të panumërta, por edhe suksese të vazhdueshme, që na kanë motivuar dhe nxitur, asnjëherë të mos ndalemi në rrugëtimin tonë. Ne, si një familje, të bashkuar dhe të bindur ne idetë dhe idealet tona, ja kemi dalë, jo vetëm të mbijetojmë, por edhe të bëhemi një Ansambël i respektuar dhe i vlerësuar në Zvicër dhe me gjerë.
Ansambli “Arbëresha”, përgjatë kësaj dekade, me të vërtet është bërë vatër që ngrohu zemrat e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër, me këngë e valle, me shfaqje, duke i ndihmuar ata të kenë një copë atdhe, në ftohtësinë e jetës në mërgim.
Për këtë, falënderojmë Zotin, por edhe gjithë juve, që pa lodhje na qëndruat pranë. Përgjatë këtyre 10 viteve, secili nga ne ka dhënë kontribut të barabartë, por shtylla kryesore e Ansamblit tonë, janë fëmija dhe prindërit, sepse me vullnetin e tyre për t’i prurë fëmijët në ushtrime, ata i dhanë jetë ansamblit dhe na motivuan ne.
Këtij jubileu, i shtohet rëndësia, sepse Ansambli i ynë, e ka bërë një monografi, në të cilën ka përfshirë aktivitetin e vet dhjetëvjeçar dhe kjo dekadë, kështu mbyllet suksesshëm me një libër që flet shumë për ne, për domethënien e ekzistimit tonë, për historinë tonë, për kontributin tonë, të shoqëruara me mendime të çmueshme nga personalitete të shumta.
Gjatë këtij evenimenti kulturor, me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua edhe Don Marjan Marku, njëri nga ideatorët për themelimin dhe mbështetësit kryesor të “Arbëreshës” që nga ditët e para. Ai theksoi se ruajtja e traditave dhe bartja e tyre te brezi i ri si dhe prezantimi me vlera para auditorit vendës kanë qenë synimet kryesore për themelimin e “Arbëreshës”, ndaj edhe Ansambli pati mbështetjen dhe u themeluar në kuadrin e Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach, si përkushtim për ruajtjen e kulturës sonë në mërgatë. Me fjalë përurimi u drejtuan edhe mysafirët nga Kosova, Gjermania e Zvicra. Ndërkaq autori i monografisë, Ndue Ukaj me këtë rast falënderoi si ansamblin për punën e bërë ashtu dhe bashkëfshatarët si dhe personat tjerë vullnetmirë që kanë ndihmuar realizimin e librit. Përshëndeti edhe profesor, Xhemali Berisha, koreografi i spikatur që ka ndihmuar edhe përgatitjen e disa valleve të “Arbëreshës”. Këtë ansambël nga ditët e para, apo më vonë e kanë ndihmuar koreografët Agron Bajrami e Arsim Berisha, të cilët si edhe të gjithë ata që e kanë mbështet “Arbëreshën” u shpërblyen me monografinë e posa botuar.
Me këtë rast me një falënderim të pranishmit i përshëndetën edhe familjarët e të ndjerit Lulzim Saliquni. Manifestimi u përshkua edhe me disa pika të përzgjedhura artistike të përgatitura nergut për këtë jubile nga ansambli i vyeshëm “Arbëresha.