Dënohet rëndë sulmi me gurë ndaj autobusit me shqipëtarë që po kalonte nëpër Serbi

Ditëën e shtunë një autobus i cili udhëtonte nga Kosova për në Gjermani, është sulmuar në Krushevc të Serbisë nga persona ende të panjohur. Sulmi me gurë drejt autobusit ka shqetësuar pa masë udhëtarët të cilët gjendeshin brenda, ndërkohë që lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta, duke cilësuar se raste të tilla po e rrisin cdo herë e më shumë pasigurinë që po mbizotëron tek qytetarët.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje!, ku i ka bërë thirrje institucioneve të vendit  që të marrin masat e duhura në raport me Serbinë, që kjo cështje të ngritet deri në nivel ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovë.

“Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste. Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë.

Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin. Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje!.