Delegacion i Forumit rinor të PShDK-së pjesëmarrës në Kongresin e JCVP-së së Zvicrës

Delegacioni nga Kosova, i prirë nga kryetari i Forumit rinor të PShDK-së i Arion Thaqi, takoi shumicën e delegacioneve nga radhët e 15 vendeve pjesëmarrëse, ndërsa që sekretari gjeneral në YEPP, Colm Lauder , shprehi gatishmëri për një vizitë Kosovës

Rexhep Rifati

Ditë më parë në Zvicër qëndroi një delegacion i Forumit rinor të PShDK-së i prirë nga kryetari i saj, Arion Thaqi, i ftuar prej të rinjve demokristian të Zvicrës. Delegacioni nga Kosova bashkë me delegacionet e 15 vendeve evropiane mori pjesë në Kongresin e të rinjve të CVP-së në Basel, mbajtur më 9 e 10 nëntor.

Nga një bisedë që zhvilluam me Arion Thaqi në Cyrih (me të përfunduar të kongresit), shoqëruar  nga Gjokë Paloka, Koordinator i PShDK-së për diasporën, mësuam se pjesë e delegacionit nga Kosova ishin edhe Ormella Kabashi, Ferdinand Kolaj, Marjeta Lleshdedaj dhe Jeronim Berisha si dhe drejtuesit e Forumi Rinor të BD-PShDK në Zvicër : Prend Berisha, kryetar dhe Mërgim Krasniqi, nënkryetar.

Sa i përket tematikës së Kongresit të JCVP së Zvicrës, ku mori pjesë delegacioni nga Kosova, ai trajtoi çështjen e pensioneve, shëndetësisë dhe të energjetikës. Si edhe delegacioneve të tjera pjesëmarrëse edhe delegacionit nga Kosova iu dha fjala në nivel të barabartë. Delegacioni i demokristianëve të ri nga Kosova u kontaktua edhe nga Colm Lounder, sekretar gjeneral i YEPP, në mënyrë që Forumi rinor i PShDK-së, në fillim të ketë cilësinë e vëzhguesit e pastaj që edhe të anëtarësohet me të drejta të plota në këtë organizim politik evropian.

Nga biseda me Arion Thaqin, me profesion arkitekt dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, mësuam se pjesë e delegacioneve ishin edhe të rinjtë nga Evropa, respektivisht nga YEPP: Colm Lauder-Sekretar gjeneral ne YEPP (Irlandë), Tom Vandenkendelaere-nënkryetar në YEPP (Belgjikë), Alisa Ruban-sekretare internacionale nga Democratic Alliance (Ukrainë), Frank Visser-YEPP (Holandë), Koen Meersseman-Partia demokristiane belge. Me shumicën nga këto delegacione u takua delegacioni nga Kosova, me synim të thellimit të bashkëpunimit reciprok.

Arion Thaqi theksoi se: gjatë takimit që kishim me Sekretarin gjeneral në YEPP, z. Colm Lauder , atë e informuam rreth punës së të rinjve demokristian në përgjithësi, angazhimeve dhe synimeve të FR të PShDK-së, si dhe shfaqëm kërkesën për pranimin tonë në YEPP, me ç`rast Lauder konfirmoi që më parë të vjen për një vizitë zyrtare në Prishtinë me një pjesë të delegacionit nga YEPP, për të vëzhguar punën tonë dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në relacionin YEPP-PShDK.

Edhe kryetar i ri i JCVP, që u zgjedh në këtë kongres,  Jean-Pascal Ammann, premtoi vazhdimin e traditës së mirë të bashkëpunimit në mes FR-PShDK dhe JCVP, si dhe e konfirmoi vizitën e tij në Prishtinë. Delegacioni nga Kosova njëherësh falënderoi ish kryetarin e JCVP-së Simon Oberbeck, për krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit, duke i dëshiruar atij suksese në karrierën e mëtutjeshme.

Pjesëmarrja e delegacionit të Forumit rinor të PShDK-së në kongresin e lartpërmendur ishte edhe një konfirmim për përforcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm jo vetëm me JCVP e Zvicrës, por edhe me delegacionet tjera simotra nga Evropa, me shpresë se së shpejti demokristianët kosovar do të anëtarësohen edhe në YEPP, të këtij forumi evropian , ku përfshihen kryesisht partitë demokratike demokristiane dhe partitë e djathta.