Defektet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë kërkojnë reformë

Parregullsitë e evidentuara në procesin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, që u shfaqën sidomos gjatë fazës së numërimit të votave, pasuar nga problemet e votave të ardhura nga Serbia, atyre me vonesë nga diaspora si dhe pjesa e administrimit teknik të ditës së zgjedhjeve, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, duhet të trajtohen që të mos përsëriten në proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë.

Përveç këtyre problemeve, si defekte janë veçuar edhe numërimet e votave për kandidatët e partive për deputetë. Për shkak të gabimeve gjatë numërimit, KQZ kishte urdhëruar numërimin e votave për 530 vendvotime. Pas rinumërimit, ishte vërejtur se disa kandidatë ishin favorizuar e të tjerë ishin dëmtuar brenda subjekteve politike, duke hedhur kështu fajin kah komisionerët e partive politike për këto devijime.

Ata thonë se parregullsitë që e përcjellën këtë proces zgjedhor, treguan për domosdoshmërinë dhe nevojën e zbatimit të reformës zgjedhore.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se procesi zgjedhor deri në ditën kur filloi votimi dhe pas mbylljes së votimeve, u përcoll me disa shkelje të vogla, por që nuk ndikuan në cenimin e integritetit zgjedhor.

Cakolli shton se mësimi kryesor që duhet marrë nga këto zgjedhje është të kuptohet ndjeshmëria që ka procesi i numërimit të votave.

“Aspekt tjetër i këtyre zgjedhjeve është votimi jashtë vendit që paraqet një nga hallkat tjera tejet të ndjeshme dhe më komplekse të tërë procesit zgjedhor. Kjo për shkak se i tërë procesi i votimit është ndarë në dy karakteristika kryesore që i kanë shoqëruar. Në njërën anë kemi pasur votat nga Serbia për të cilat ka pasur dyshime për helmimin e zyrtarëve, për fabrikim, ardhje të organizuara e të tjera, dhe në anën tjetër kemi pasur votat e ardhura me vonesë nga diaspora shqiptare. Këto dy elemente janë me rëndësi për t’u trajtuar”, thotë Cakolli.

Afër një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka përmbyllur procesin që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të vlerësohet i gjithë procesi zgjedhor dhe në ato faza ku ka pasur dobësi, në të ardhmen duhet të parandalohen dhe mos të përsëritën./Telegrafi