Dan Gashi, ti ike, por veprat dhe zëri i fyellit Tënd do të na shoqërojnë në jetë!

Mërgata jonë e madhe në Perëndim prej dje është me e varfër për një njeri të devotshëm atdhetar e tejet fisnik: poetin, piktorin dhe veprimtarin Dan Gashi. Ishte ky edhe një artist i rrallë me shpirtin e tij të bardhë që na zbukuronte çdo takim e manifestim të krijuesve në mërgatë.

Ndaj edhe me këtë rast do të ndaj me anëtarët e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe familjarët e miqtë , disa nga fotot që kam shkrep aty ku e takova përshpirtërova këtë artist dhe idealist të ditëve tona.

Mërgimtarin Dan Gashi për herë të parë e takova në një qytetet të Gjermanisë, një akademi kushtuar vëllezërve Gërvalla ku ai përcolli me fyell vargjet e poetit Mentor Thaqi. Ishte kjo një pikë shumë simpatike artistike.

Ndërsa herën tjetër, Danin e takova edhe me 11 gusht në Shtëpinë e Kulturës “ Hasim Vokshi” në Gjakovë, ku ai kishte hap ekspozitën e tij e tij të 56 me radhë, vërtetë një bilanc i shkëlqyeshëm për një piktor që nuk e ka pas fatin të kryej një akademi arti, por që artin e ka dhunti edhe në zemër edhe në shpirt: herë në pëlhurë e herë në vargje apo fyell e kavall!

Me ç`lloj arti nuk merrej ky mërgimtar, kurdoherë i madh në shpirt, bamirësi e art. Ky art i tij që na përfaqësoi jo vetëm në Kosovë e mërgatë , por edhe në shumë shtete të largëta, madje deri në Spanjë, Rusi dhe Egjipt.

Në një shkrim kushtuar Danit me 12 gusht 2017, në përmbyllje të tekstit pata këta dy rreshta për te: “Të lumtë Dan Gashi që me duart, shpirtin, talentin e pasionin e përhershëm për të bukurën na bënë krenar si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë!”, pa e ditur që do të ndahet kaq herët nga mesi ynë.

Nga bashkëpunëtorët e bashkëvepruesit e Tij, mësojmë edhe për: “Punën dhe përkushtimin e tij për atdheun, si njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Sali Çekut, Shaban Bobajt, e shumë atdhetarëve të tjerë, që u bënë nyje e fortë e organizimit politiko-ushtarak për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës në Diasporë”.

Prehu në paqe miku ynë i madh: Njeri fisnik, atdhetar e artist!