Cilat vepra shënohen në regjistrin zviceran të dënimeve (gjendjes gjyqësore)?

Në regjistrin e gjykimeve (apo dënimeve), siç i themi “Strafregister” (gj.) apo “Casier judiciaire” (fr), evidentohen shënime për të gjithë personat e dënuar në territorin zviceran, por edhe për shtetasit zviceran që janë dënuar jashtë vendit.

Sa iu përket veprave, në regjistër evidentohen aktgjykimet që kanë hyrë në fuqi (d.m.th., pas shpalljes definitive të një dënimi).

Aty i gjejmë posaçërisht shënimet për veprat vijuese :
• Të gjitha aktgjykimet që kanë të bëjnë me veprat penale siç janë krimet apo deliktet, por edhe kundërvajtjet;
• Dënimet me gjobë që tejkalojnë shumën prej 5000 franga;
• Masat e shqiptuara të quajtura «punë në dobi të përgjithshme » prej 180 orësh e më tepër;
• Ndalesat për me ushtruar një aktivitet të caktuar (p.sh., në mjekësi, avokati, etj.);
• Veprat për të cilat është e hapur një procedurë penale për krim apo delikt, edhe pse akoma nuk është pruar një vendim definitiv.

Sa iu përket termeve të përdorura, sipas së drejtës zvicerane, krimi është një vepër penale e ndëshkueshme me burgim mbi 3 vite, delikti ndëshkohet më së tepërmi me 3 vite burgim ose me dënim me gjobë, kurse kundërvajtja ndëshkohet vetëm me gjobë.

Përgatitur nga www.zyra-begzati.ch