Johann Caspar Lavater
KËNGËLUTJE E NJË ZVICERANI
(Fragment)
Qofshim dritë përmbi dhe,
E shembull i gjallë i besnikërisë;
Të tjerët u bëfshin të lirë si ne,
Dhe i rëntë shkelmi tiranisë!
Paçin të gjithë kulm mbi kokë
Sa perde e kohës të lëshohet;
Sa nga kombet ç’janë mbi tokë
Një i vetëm të formohet!
Heinrich Leuthold
PËR RECIPROCITETIN
Rrojmë në një kohë praktike vërtet
Dhe krejt shkon komercialisht,
Kur sillesh me reciprocitet
Çdo maskara rron pavdekësisht.
Prandaj, yllit tim nëse i beson,
Atëherë e lidhim fjalën këtu,
Dhe hebrenjtë e mi nëse i qëllon,
Unë t’i qëlloj hebrenjtë e tu.
Porse me zell sipër lustron,
Atëherë tunxh e ar duken njësoj;
Dhe nëse me Gëten më krahason,
Unë me Lesingun të krahasoj.
Conrad Ferdinand Meyer
VAPË
Turbull fiket ditë e nxehtë verore,
Zishëm mbytet hov i rremit përdore –
Yje, yje – nata erdhi për ju –
Yje, pse nuk jeni ende këtu?
Jetë e zbehtë! Faqe shkrepi e zbehtë!
Kulmak, ç’je kaq harbut e zemërlehtë?
Qielli larg dhe thellësia tëhu –
Yje, pse nuk jeni ende këtu?
Një zë, zë i ëmbël ç’më grish
Nga gropë e ujit vazhdimisht –
Fantazmë që më vardisesh, phu!
Yje, yje, a nuk jeni më këtu?
Më në fund përmes errësirës zbret –
Ishte koha! – një vezullim i zbehtë –
Paj nuk e di sesi më rastisi.
Yje, yje, mos më braktisni!
Gottfried Keller
NATË DIMRI
Një zog i vetëm nuk nxori krye,
Bora shtrihej verbuese dhe e urtë,
Një rezë s’u var në çadrën me yje,
Një valë s’e trazoi liqenin e ngurtë.
Pemë e liqenit nga thellësia u ngrit,
Sa maja i ngriu në akullin e acartë;
E bukura e ujit në degë u ngjit,
Mes jeshilit të akullit shihte lart.
Unë në xhamin e hollë po rrija,
Që më ndante nga thellësi e nxirë;
Dendur e dallova nën këmbët e mia
Floçkën gjymtyrë për gjymtyrë.
Ajo prekte me një ankim të shastisur
Tavanin e fortë vend e më vend.
Kurrë s’e harrova fytyrën e ngrysur,
Përherë, përherë e kam ndër mend!
Adolf Frey
MOS E HARRO KURRË!
Dashuria ime, zemër e gjorë sot më ka një barrë,
Ajo që me dëshirë të ka falur dhe duruar.
Vetëm edhe një dua nga ti, o thesar:
Mos e harro kurrë sa të kam dashuruar!
Ti sot po ikën e nuk më kthehesh përsëri;
E kuptoj që gëzimi im tani është shuar.
Larg, larg nga unë, në fatin tënd të ri,
Mos e harro kurrë sa të kam dashuruar!
Atë që dashuria dashurisë hirshëm i fal,
Tjetër unë nga ti nuk kam dëshiruar.
Tani më lejo vetëm edhe një fjalë:
Mos e harro kurrë sa të kam dashuruar!
Nga libri «101poezi zvicerane»
Përzgjodhi dhe përktheu: Kujtim Shabani
Redaktore: Vjollcë Berisha
Recensent: Prof. Dr. Dr. Naxhi Selimi
Përgatiti për shtyp: Skënder Hajdari
Shtypin e mbikqyri: Besnik Emini
Botues: b’identitas, Zürich & syth, Tetovë 2021
Gjendet në Tetovë dhe Shkup.
Së shpejti edhe në Prishtinë.
Në Zvicër ndiqni linkun https://biidentitas.ch/publikationen/


















