Çifti Kallaba pritet nga Antonio Bellusci me flamurin e Kosovës

Këto ditë kolegu im Xhevdet Kallaba është në realizim të një vizite në Kalabri. Këtu po shkëpusim pjesë nga vizita e tij në ndalesën e parë që e ka bërë në Frasnitë te biblioteka e Atë Antonio Belushit. Në ditarin ditës së djeshme Kallaba shkruan se si u prit me të shoqen e tij Nexhmijen, me një gëzim të papërshkrueshëm nga Belushi dhe motrën e tij Rina. -.Për bibliotekën e Atë Belushit i dhurova librin tim të fundit “Kallaba – gjurmë në kujtesë”, si dhe dy ekzemplarë të librit të mikut tim Rexhep Rifati “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, parathënien për të cilin e kishte shkruar vetë Atë Antonio.”

 Teksti e fotot: Xhevdet Kallaba

Nga Ditari im: 27 tetor 2022

Pas vizitës në Romë, me Nexhmijen vazhduam drejt Napolit. Në Napoli nuk u ndalëm gjatë për shkak të ndotjes së ambientit që kishte qyteti me rrethinë këtë ditë, mbase shkaku i ndonjë ndezje mali ose …?!!

Caku i radhës ishte qyteti bregdetar Salerno. Sikur edhe në qytete të tjera italiane edhe këtu shtëpitë ishin njëra pranë tjetrës, rrugët me trafik të dendur dhe me shumë vizitorë. Moti me diell mundësoi edhe realizimin e fotografive të mira.

Më pas arritëm në qytetin e synuar qysh nga nisja e këtij rrugëtimi. Fjala është për Frasnitën – fshatin arbëresh që aktualisht ka vetëm 1006 banorë, ngase shumë banorë të Frasnitës kanë mërguar në Perëndim.

Në rrugën “Udha e Pullinit” ishte biblioteka arbëreshe “Antonio Belusci” e cila udhëhiqej po nga vetë Atë Antonio Belusci. Trokitjes së derës iu përgjigj Katerina, e motra e Antonios, me fjalët arbërisht “Mirë se erdhët”. Hapi derën dhe u futëm brenda. Na tha se Antonio kishte mysafire një profesoreshë dhe studiuse shkencore, zonjën Braite Rozita dhe të ëmën e saj Vavolisse Ilde. Zonja Rozita kishte ardhur në bibliotekë për të kërkuar materiale për shkrimtarin dhe intelektualin Frasnitës, Vicenzo Dorsa, ndërkaq profesori Belusci ishte vënë në dispozicion bashkë me bibliotekën e tij, me mbi gjashtë mijë tituj.

Me të mësuar për vizitën tonë erdhi bashkë me mysafiret në dhomën e pritjes. Mikpritja ishte më shumë se vëllazërore, saqë pas një vizite të bibliotekës dhe shpjegimit rreth grumbullimit të të gjithë atyre librave dhe arkivimit të tyre, Atë Belusci gëzimin e mikpritjes e shprehu me një dolli mikpritjeje dhe me fjalinë: “Sot kam festë, sepse kam mysafirë nga Kosova”, dhe shkoi drejt këndit ku e kishte flamurin e Kosovës në mes të atij shqiptar dhe italian. Gëzimi shihej në fytyrën e tij ngazëlluese. Ndonëse në dekadën e nëntë të jetës së tij, Atë Belusci pa përtesë fliste për autorë të shumtë që kanë zënë vend në vitrinat e bibliotekës së tij. Për bibliotekën e Atë Beluscit dhurova librin tim të fundit “Kallaba – gjurmë në kujtesë”, si dhe dy ekzemplarë të librit të mikut tim Rexhep Rifati “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, parathënien për të cilin e kishte shkruar vetë Atë Antonio.

Natyrisht, emocionet nga kjo mikpritje na kishin kapluar edhe mua e Nexhmijen. Më pas Atë Belusci na shoqëroi deri në hotelin e fshatit “Tre stelat” ku edhe kaluam natën.