Buzëqeshje prej shiu – tri poezi

Në prag kryefeste

28 Nëntorin e pritëm dhe e presim
Ndjenjëpërzier sa qajmë e sa qeshim

Është përvjetori i 110 me radhë
Gëzim e mërzi në sy zemër ballë

Gëzohemi për të mirat që ka kombi ynë
Për rrugën e përbashkët deri në bashkim

Mërzitemi se mund të bënim më shumë
Mund të bënim ne e ajo e ti e unë

Në kalanë e kombit një vepër më tepër
Të ecim rrugës së amanetit të vjetër

Të ruhemi prej syrit të keq e gojëve të këqija
Që kot llomotisin se s’bëhet dot Shqipëria

Ndaj sot kemi kaq ndjenja të përziera
Trazimi na shkund në shpirt por do fitojë e mira

Çdo 28 Nëntor kur të niset e të vijë
Çdoherë më shumë gëzim e më pak mërzi

Buzëqeshje prej shiu

U zgjova në mëngjes
Në shtatë dola në ballkon
Vështrova për pak minuta
Fytyrë e mrroltë qielli
Hidhej binte e vinte shi
Po një re e ndritur buzëqeshte
Më shtyu ta merrja telefonin
Të shkrepja këtë pamje
Kjo pamje që pashë ishte poezi
As shkrepja e as përshkrimi im i çastit

Historizë me arra

Në tavolinë kuzhine një qese me ftonj
Pranë të shpërndara kokrra arrash
Ca mandarina aty pranë
Tik-taku ecën e pothuajse mesnatë

Kërkoj darët e arrave e nuk i gjej
I afrohem çekiçit të drurit si çekan gjyqtari
E lë e se marr se gjumin mund t’ia trazoj diku
Mbrenda mureve tona e përtej e këtupari

Ma bënin me sy këto arra kryeçykë
Mendova ta provoj një të moçme metodë
T’i marr në grusht e t’i shtrëngoj fort
Duke i përplasur si deshët kokë më kokë

Provo një herë e provo herën tjetër
Më në fund një lëvozhgë kryeneçe u dorëzua
Se lashë këtë natë pa shijuar një thelb arre
Që dhuratë nga fshati i sollën për ne e për mua

E shijova shumë si të haja përsëpari
Dhe provova dhe një tjetër
Po kaq e mirë edhe kjo doli
Të tjerat mbi tavolinë po presin

Duken kaq të mira e kaq të ndritshme
Po i lë kur dita të zbardhëlloj
Kështu e kanë arrat si gjithmonë
Kërkojnë goditje të forta para se t’i provojmë

Kaq ishte kjo historizë e kësaj nate
Fola si të flisja për ngjarje të papara
Një varg fëmijërie pakëz e ndryshoj
Përralla-përralla ha gjyqtari ftonj e arra