Brunilda Lato, një primabalerinë që afron artistët nga Shqipëria, Kalabria e Kosova

E lindur Tiranë (më 17.07.1962), ku edhe në vitin 1979 diplomoi në Institutin e Arteve, për të qenë një dekadë Balerina e Parë në Ansamblin Shtetëror të Shqipërisë.- Pas migrimit në Itali, themelon Qendrën e Vallëzimit “Paganini” në Firmozë ( Acquaformosa), ku edhe jeton, duke u bërë kështu një urë lidhëse midis artistëve nga trojet etnike dhe Kalabria, ndërsa nga Kosova ka sjell edhe Trupën e baletit në Itali.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Me zonjën Brunilda Lato njihem tash e dy vjet, meqë rast jemi takuar në Shqipëri kur erdhi me disa grupe artistike arbëreshe e sivjet edhe në Kalabri, në manifestimin e madh “Vëllazëria” në Kazallveqi apo Casalvecchio di Puglia. Ajo jo vetëm që është pjesëmarrëse aktive në këto manifestime, por atyre ua jep edhe lojën edhe sharmin, por edhe afërsinë njerëzore, ndaj edhe gëzon simpatinë e shumë miqve nga anë të ndryshme të botës shqiptare.

Por ti kthehemi edhe njëherë rrugëtimit të saj jetësor. Ajo, pos që rrjedh nga një familje artistësh nga Tirana, tërë jetën e saj e lidhi me botën e artit. Ndaj edhe në saje të afinitetit dhe ngritjes së saj profesionale shquhet me shumë suksese në jetë edhe në vendin e migrimit, që nga viti 1981 kur erdhi në Itali.   Ndër sukseset e saj më të mëdha, gjithsesi do përmend vitin 1998, kur Brunilda Lato mori pjesë në finalen madhështore, në shfaqjen Rai TV “Fantastica Italiana”, duke korr sukses të jashtëzakonshëm në finale dhe zënë vendin e parë. Kështu popullariteti i saj u rrit edhe më tepër edhe në botën e kulturës italiane.

Gjithashtu Brunilda Lato ka qenë Drejtore Artistike e “Festivalit të Vallëzimit” shumë të rëndësishëm për 17 vjet në Altomonte – Costantino Belluscio Memorial. Në secilën nga edicionet e kaluara ishin të pranishëm dhe morën pjesë më shumë se 50 shkolla, si mysafirë nderi, valltarë profesionistë me famë.

Ajo ka marrë pjesë në një sërë turnesh e festivalesh kombëtare e ndërkombëtare si në Zvicër, Egjipt, Gjermani, Greqi, Itali e gjetiu dhe është shpërblye me mirënjohje përkatëse. Ndërsa edhe shteti shqiptar duke e shpall edhe qytetare nderi e ka shpërblyer me motivacion “Për kontributin e rëndësishëm të dhënë për forcimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit kulturor midis Arbëreshëve dhe Shqipërisë, si dhe për promovimin e artit, kulturës, folklorit dhe vlerave shqiptare në Itali”.

Ajo nuk u mjaftua vetëm me relacionet e bashkëpunimit ndërkulturor midis grupeve artistike arbëreshëve dhe atyre nga Shqipëria, por punën dhe kontributin e saj e shtriu edhe në Kosovë, duke organizua një turne të Grupit të Baletit të Kosovës në Itali të përbërë prej 20 çiftesh, meqë rast kjo grupi i balerinëve nga Kosova u prit me shumë simpati tek publiku arbëresh e italian edhe për shkak të lojës së bukur që demonstruan artistët nga Kosova.

Projektet e saja në këtë drejtim nuk kanë të sosur, se pse Brunilda nuk din s’është pushim, pasi që artin nuk e ka vetëm profesion, por edhe si pasion nga i cili nuk din të shkëputet, sepse për te arti, mirësie a miqësia janë pjesë të pandashme të saj. Aq më parë që ajo çdo manifestimi arbëresh apo shqiptar e më gjer i jep edhe shpirt e jetë dhe e vënë në lëvizje të përhershme, si në lojën e saj brilante prej një primabalerine.