Brnabic përsëri me akuza të rënda për liderët kosovarë

Kryeministra e Serbisë Ana Brnabiq, ka vazhduar me akuzat e saj për popullin e Kosovës, duke thënë se nuk e ka ndërmend të kërkojë falje që ditë më parë i quajti ata “njerëz të malit”. Pavarësisht se këto komente ajo i bëri në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropina, ka thënë se nuk është penduar aspak për cfarë ka thënë.

Madje, akoma më keq, ajo ka thënë se nukmund ti quajë ushtarak liderët kosovar, sepse sipas saj ata i përkasin “organizatave terroriste”, duke shtuar se është dëshmuar se me ata nuk mund të flitet.

“Nuk e di si duhet quajtur këta njerëz, që ta kuptojnë të gjithë me kë kemi punë. Është shumë e vështirë, dhe është dëshmuar se me këta njerëz është e pamundur të bisedohet. Ata vazhdimisht thonë se nëse nuk arrijnë që Serbia ta njoh Kosovën do të kthehen në male”, ka shtuar kryeministrja serbe.

Ajo ka vazhduar me ofendime duke pretenduar se do të dëshironte që nga të dyja palët, bisedimet t’i udhëheqin profesorët.

“Fatmir Limajn, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn nuk i respektoj dhe do të dëshiroja të mos isha në të njëjtën hapësirë me Haradinajn, por kjo është puna ime dhe e bëjë për shkak të paqes, stabilitetit dhe të ardhmes së gjeneratave të reja”, ka shtuar Brnabiq.

Kryeministrja serbe thotë se “është hidhëruar” në Bashkimin Evropian dhe SHBA-të që e detyrojnë “një femër” të “ulet me njerëz që “janë përgjegjës për gjërat më të tmerrshme”.

Ndërkaq e pyetur se çfarë pret nga takimi i paralajmëruar në Paris, ajo tha se “nëse e organizon Franca, atëherë “do të jetë atje”.

Sipas saj Beogradi dëshiron uljen e tensioneve dhe për këtë po do të jetë në Paris, për të tentuar të krijoj hapësirë për dialog, por sipas saj liderët kosovarë nuk janë të interesuar për paqe, stabilitet dhe sundim të ligjit.