Botohet libri “Qoshet ku fola me veten” i Blerim Rrecajt

Në janarin e këtij viti ka dalë në dritë libri “Qoshet ku fola me veten” nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”.

Libri duket i realizuar mirë nga pamja ideo-estetike, ndërsa për përmbajtjen e tij studiuesi e kritiku Berat Dakaj është shprehur kështu: “Qoshet ku fola me veten, mund t’ju gëzojë a trazojë, thotë autori i tij sepse, shtojmë ne, është shkruar sa autori mbante distancë fizike me njerëz për shkak të pandemisë së virusit me kurorë. Më tutje, nuk është libër i zakonshëm. Është libër i shkruar në kohë të frikës kur njeriu siguri dhe qetësi gjen vetëm në qoshe dhe aty, i izoluar, pa pasur motiv të bisedojë me asnjë njeri jashtë rrethit të familjes, nis të shkruajë për përditshmërinë e vet dhe për ndodhitë që ka parë, që ka dëgjuar e që bëhen lajme brenda dhe jashtë Kosovës gjatë ditës. Rrecaj, ky vrojtues lirik, ky shtegtar qytetesh e parqesh, ka hartuar një hartë poetike, relievin e së cilës e ka mbjellë me miniatura dhe e ka shkelur këmbë, pjesën më të madhe të saj i vetëm, siç do të mund të shihni edhe teksa lexoni poeziminiaturat e tij që janë, njëkohësisht, edhe të lexuesve”, thekson Dakaj.

Ndërsa poeti Bekim Muhaxheri shprehet:”Poezitë e Blerimit janë poezi Kosove, të gjitha kanë vende ku kanë lindur, histori frymëzimi e adresa. Dhe ngjyra të ndryshme. Disa mund të jenë të zeza si korbat që autorit i duken se dalin nga tymtarët e KEK-ut, të tjerat janë të gjelbra si shpërthimi i blertë i Gërmisë, ka edhe të kaltra si qielli i verës ose edhe shumëngjyrëshe si lulet tona.

Por Blerimi nga modestia nuk e merr përsipër autorësinë. Thotë se kur i shkroi poezitë vetëm muza kaloi pranë tij”, thotë pos tjerash Muhaxheri.
Ky libër i Rrecajt vjen pas librit të tij të parë me vargje e skica “Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh” dalë në dritë, në marsin e vitit të kaluar, pikërisht atëherë kur filluan masat shtrënguese për shkak të shfaqjes së pandemisë.

Tri poezi nga libri i sapobotuar

Në vend të hyrjes

Ky libër mund t’ju gëzojë a trazojë
Mbase do të jetë farë e hedhur vlere
Që s’është e thënë të zë vend as në krye,
A të digjet mes sheshi a oxhaku,
Por as të hidhet për dritare,
A të fshihet në një qoshe pas dere
Është një rrugëtim jete ku unë jam pjesëmarrës
Ai që shoh dhe ndiej
Dy anët e medaljes së hapave të mi në këtë pjesë gjithësie
Siç mund t’i shihni dhe ndieni edhe ju herë pas here
Sa herë që perin e saj si litarin do ta heq prej qafës
Si shenjë triumfi të përbashkët
Me buzëqeshje fytyrëshpirti
Ndritur nga shkëlqim rrezesh

Vargje që më diktoi jeta

Jeta më thotë shkruaje një rresht
Dhe një varg
Nisja një kënge
Bëj një shkrepje
Më thotë përmende
Një titull që dikur t’u vërtit nëpër mendje
Ose përmende veten
Se si sot
Në një ditë me diell të bukur vjeshte
Ece nëpër rrugët e kaosshme të qytezës
Me një shishe ujë mineral me limon

Çantat mbushur libra

Për të tretën herë
Çantën me libra plot
Me kopjet e librit tim të parë
Po nisem edhe sot

Po nisem me librin tim në shpinë
Drejt kryeqytetit
Me emrin Prishtinë

Po nisem me kopjet e librit tim të parë
T’i shpërndaj
Te shokë, miq dhe dashamirë

(Poezitë nga libri “Qoshet ku fola me veten” botuar nga “Armagedoni”, 2021)