Botimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjermanisht para publikut të Cyrihut

Pas promovimit në Lucern, Botuesi Martin Schällebaum i Kanunit të Lekës, “Der Kanun”, me përkthyesin Bardhec Berisha, në mbështetje të konsullit, Islam Spahiu, sollën këtë vepër edhe para publikut në Cyrih, duke nxit interesimin e publikut shqiptaro-zviceran

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Kanë kaluar gati nëntë vite prej shkrimit tim të parë: se do të dalë në dritë dhe botohet versioni i Kanunit të Lek Dukagjinit, në gjuhën gjermane. Atëbotë dy miq të vjetër: Botuesi Martin Schällebaum dhe përkthyesi Bardhec Berisha ( autor i disa veprave letrare) ishin në Shkodër, ku edhe morën leje nga  Provinca Françeskane Shqiptare e cila edhe ishte trashëgimtarja e vetme e kësaj të drejte.

Përpjekja disavjeçare e dy miqve, duke pas edhe ndihmën e profesor Prend Buzhalës, në përshtatjen e kanunit në gjuhën e sotme, rezultoi me botimin e librit “Der Kanun”, i cili pas promovimit të parë në Lucern, po me të njëjtin interesim u prit edhe para një auditori të Cyrihut në organizim të konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Islam Spahiu.

Në hapjen e promovimit të këtij botimi të kanunit në gjermanisht ( pas versionit të parë të përkthye në vitet e 30` ), në cilësinë e nikoqirit, konsulli Spahiu potencoi se:  “Dalja në gjuhën gjermane e librit për kodin e dokeve zakonore shqiptare, bën që të tjerët të kenë mundësi ta njohin traditën tonë zakonore në histori. Ngase deshëm ne ose nuk deshëm, etnopsikologjia jonë kolektive, ka qenë e karakterizuar nga cilësi dhe elemente që rrjedhin nga e drejta kanunore,

Lidhur me punën disa vjeçare, jo edhe pa sfida foli si përkthyesi, Bardhec Berisha, ashtu edhe botuesi Martin Schällebaum. Në fjalën e tij Berisha, përmendi se në momentin kur në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë është e rëndësishme që ne të promovojmë shumë gjuhësinë, por edhe pjesëmarrjen tonë aktive kulturore në shtetin helvetik. Ndaj edhe ketë promovim duhet shikuar si një hap të vogël në këtë drejtim.

Sa i përket vet Kanunit, Bardhec Berisha, potencoi, se atë e sheh si një relikt historik, i cili lejon mundësinë që përmes tij ti bëhet një pjesë analizë hapësirës kulturo-historike shqiptare.  Dhe se, ai ka rregulluar shumë fusha të jetesës ndër shqiptarët, në mungesë të shtetit, ka thënë më tej Berisha. Ndërkaq botuesi Schallebaum tërhoqi një paralele mes disa dokeve zakonore të vendeve të ndryshme por edhe vet Zvicrës, me ato shqiptare, duke nxjerr në pah se:  Një kod  zakonor, që vjen nga poshtë lart dhe jo nga lart-poshtë, tregohet më realist dhe i drejtë për vet kohën kur është aplikuar , se sa sot kur ngjet e kundërta, kur pushtetarët donë ta fillojnë nga vetvetja.

Autori i përkthimit, Bardhec Berisha ka sqaruar rrethanat në të cilat është bërë ky përkthim. Ai është ndalur në shpjegimin e shkakut përse ky libër është përkthyer së dyti gjermanisht, në një kohë që një përkthim tashmë ekzistonte prej vitesh. Berisha ka theksuar në këtë kontekst se përkthimi i mëparshëm, i para rreth 80 viteve, ishte i fjalëpërfjalshëm dhe i shkruar në një gjuhë të vështirë sidomos për lexuesit e sotshëm. Përse ndihmës në këtë drejtim ka dhënë profesori dhe shkrimtari Prend Buzhala, ngase gjuha e përdorur nga e Gjeçovi, që bëri përmbledhjen e kodeve në një libër si ky,  para rreth njëqind e sa vjetësh, tash është e vështirë të kuptohet nga lexuesi.

Vet përkthyesi Bardhec Berisha ka lexuar në gjuhën shqipe disa pjesë të zgjedhura nga kanuni, duke e pas ndihmën e  të resë, Angela Keel, në leximin e teksteve në gjermanisht.  Vet përmbajtja e kanunit nuk kaloi edhe pa interesimin e të pranishmëve për të marr pjesë në diskutim dhe për ta bërë këtë promovim jo edhe pa peshë.