Shteg
Pas mesnatës
Ca punëtorë
Të ministrisë
A të komunës
Me jelekë shëndritës
Shkojnë pas kamionetës
Duket se me gjakun e mbledhur
Nga plagët e qytezës së betontë
Këtë qilim të kuq
Këtë shteg të ngushtë
Që po hamendësojmë
Se mund të jetë për biçiklistë
Shenjë
Shenjë e mirë
Përderisa dallëndyshet
Lënë ndonjë glasë
Si kjo në dritare
Si krrabë
Në biçikletari
Për të rregulluar
Biçikletën e djalit të vogël
Në këtë biçikletari
Pastaj hedhim monedha në një aparat
Për të marrë dy çolollata të nxehta
Për t’u ulur për t’i pirë në një ulëse
Përballë ish objektit të komunës
Që po meremetohet kushedi për çka
Më pas hipim me biçikletë në autobusin e verdhë
Të cilin e nis shoferi
Me mua e fëmijët
Dhe me ato dy vajza
Stacion pas stacioni autobusi mbushet me udhëtarë
Në të më pas dhe katër-pesë karroca
Me vogëlushë
Pranë nënave të tyre
Autobusi ndalet e ec
Dikush hipën
Dikush zbret
Në këtë pasdite me diell maji
Me një puhi që përkund fijet e barit
Lulet, gjethet,
Nostalgjinë, mallin
Andej-këndej
Afër dhe larg
Te kënetë e qytezës
Marr rrugën
Për te kënetë e qytezës
Tej diku në periferi
Zëra të thekshëm bretkosash
Kuak-kuak-kuak
Dhe pastaj shikimin e hedh rreth e përqark
E larg
Te ligatinë e Hencit
Bretkocat këndojnë
Për ujë e për tokë
Dallëndyshet fluturojnë
E këndojnë për qiell
Mbi ujë ligatine duke u dredh e përdredh
Dy pata përqafohen notojnë e shyten e kryshyten
Tutje një lejlek
Shpezë të tjera disa krahëmëdha
Sa duken, bien, ngrihen, duken e zhduken
Sikur aeroplanët përballë Aeroportit
Dielli e era ndiçojnë e ledhatojnë
Edhe këtë zog të verdhë që këndon
Te kjo degë
Te shtëpi e mërgimtarit
Bari është rritur
Edhe pipiliat
Oxhaku nxjerr tym resh
Pemët janë gjelbëruar e rritur
Po rriten frutat e mallit
Një flutur endet ngazëllyeshëm
Sikur po ndjen aromën e stinës së kthimit
Një trokitje në derën e mbyllur
E leskëruar kjo kokë e hekurt shqiponje
A kokë gjarpëri
Te shtëpi e mërgimtarit
Saç satelitor
Në kulmin e kësaj ndërtese
Fare pranë një oxhaku kryekëndues
Ky saç satelitor
Kthyer me fytyrë kah lindja e diellit
Sjell valët e saçit tonë satelitor
Dikur mbi shtëpi
Që na pat dërguar
Vëllau nga mërgimi
Saç i rrallë satelitor
Ngjyrë qumështi ky
Ai yni ishte i murrmë si saç
Mbi të cilin hidheshin gaca prushi
Për të pjekur rendat e flisë