Blerim Rrecaj – “SIPËRFAQËSISHT”

Gaca breshëri

Ngutem të hyj brenda
Gaca breshëri
Më godasin gjithkah
Plagë tjera mora
Do i mërzis edhe muret e dhomës
Si gjithënjë
Ndonëse në përgjithësi
Rrjedha, gjendja, situata
Nuk duket që është aq mirë
Por dhe aq keq nuk është

Çaste jashtë mureve

Dielli djeg
Mbase në prag pret shiu
Për t’u hedhur poshtë
Duke ecur nëpër bar
Padashje shkela një kërmill
Më erdhi keq
Kushedi a do të mund ta marr veten
Kujtohem atëherë kur më pat zënë shi i rrëmbyeshëm
Dhe pata shkelur kërmijtë që më patën dalë në udhë papritur
Derisa ecja një hapësire me bar matanë bjeshkëve me ndërtesa
Tash sa gjeta një pendël pëllumbi
Me të u afrova të shkruaj
Mbi petale të verdha të dy luleve të përqafuara
Mbështeta telefonin për ‘duksa’ fëmijësh
E kurdisa
E pas dhjetë sekondash shkrepi kjo selfie
Që pikturoi profilin tim
Në një sofër natyre
Me retë mbi kokë duke vallëzuar

Qenush i kalamendur

Sa dalim nga vetura në mesditë
Në hyrje të objektit kryesor të shkollës fillore
Për ta parkuar
Të gëzuar që gjejmë një vend të lirë
Ia prishim gjumin këtij qenushi të bardhë si qengj
I cili kalamendshëm skajohet pak më tej
Mbërrijnë pikëza shiu mbi ne
Në flokë, në duar, fytyrë
Më pas
Zëmë vend në një qoshk kafeneje
Pranë një rafti librash
Që mban veprat e një autori
Dhe dy-tri libra me vulën “bestseller”
Jashtë rrugë e lagur
Shije espresoje brenda
Zëra e cakërrima gotash e enësh këtej
Matanë lëvizje e hapa kalimtarësh
Një fëmijë duket në dritaten e shumëkatëshes përballë
Roletë e bardhë gjysmëmbuluar
Gjysmë zbuluar
Gota e mbushur me ujë
Pranë filxhanit të zbrazët
Me shtresën ngjyrë skretëtire që po thahet ngadalë
Dikë e lag shiu në mungesë të ombrellës
Dikush më komod nën të hapa hedh
Derisa dremitemi nën strehë
Mbi një gropë rruge kryshyten pika shiu
Që lënë gjurmë, formojnë rrathë
Sekush një refren të turbullt ngeshmërie pëshpërit:
“A po shkojmë, a edhe pak po rrijmë…”

Përballë Aneksit 1 të Shkollës “Mihal Grameno”

Ulur përballë dy palë dyersh të hapura
Me ca fletënjoftimesh ngjitur
Që na kanë kthyer shpinën
Duke pritur zilen të bie
Ca vogëlushë në ulëse tjera
Që nisin lojën
Para se të nisin mësimin sapo t’u vije radha
Ca të tjerë që kanë përfunduar për sot
Ngasin biçikleta, (disa prej tyre të mëdha për ta)
Brenda e jashtë oborrit të shkollës
Fryen erë që hy për dyersh në korridore
Përkëdhel pëllumba paqeje vizatuar në mur
Me portretin e Naim Frashërit në ballë të pushimores mes shkallëve
Bie zilja, pasi bëhet bashkimi familjar: prindër-fëmijë
Shpërndahen udhëve të veta
Dikush kalon pranë dyqanit hapur së fundmi
Për gatime tradicionale edhe me porosi
Dhe fillojnë të bien me vrull pika kokërrmëdha shiu tek-tuk
Që bijnë mbi një gëmushë të gjelbër jargavanësh të mërguar
Duke lënë gjurmë të lagura si hije fruta qershish
Që sapo kanë nisur të piqen

Pëllumb me lugë në sqep

Ky pëllumb sa e mori
Në trotuar
Pranë një restauranti
Siç e merr fije bari nga ato që i shihnim në vizatime
Dhe fluturon e kushedi kah shkon
Me lugë të bardhë plastike
Me shkronja të mëdha ku rri ai mbishkrim
Në bishtin e saj

Gjelbërim i larë

Shiu i pragverës
Dhe ai i verës
Që bie rrebesh
Dhe ndalet
Sa më pëlqen
Të shihemi sy me sy
Me gjelbërimin e larë
Të freskët
Të heshtur

Mace matanë

Në një mjedis kaosi urban
Në trotuarin mbushur makina e kalimtarë
Një fëmijë me agresivitet i turret një maceje të murrme
Macja ik e trembur
Frenon përpara veturës që kalon
Shpëton përpak
Sa mirë
Pastaj del në anën tjetër të rrugës
Kthehem në strehëzën time
Për ta plakur ditën e tejdukshme pa emër, pa datë e pangjyrë
Në ëndërr më vizitojnë ca mace
Me sy vezullues drite

Rrugë

Dikush përpiqet të dalë jashtë shtetit
Dikush ta lë një vend më të qetë
E të vij e të futet në super-rrëmujë

Monolog për dialogun

Dialog në kokë
Dialog në tryezë
Dialog në medie
Dialog në ëndërr
Të mëdhenjtë a po mbesin të papjekurit e përhershëm
Derisa këta fëmijë po luajnë lojën mes dy zjarresh

Për mëdyshjet e mia

Ndalu pak i them vetes,
Ndalem pak edhe rri.
Ç’po bën kështu, pëshpëris,
Çohu, fillo, me vrull të ri.

Përsëri më thotë mëdyshja
Pse po ngutesh kështu ti,
Kacafytem me të paksa
M’kaplon vetëbesim i ri.

Gabimet janë të pashmangshme
Të domosdoshme janë ato,
Ç’është ky zë nga jashtë e mbenda
Që herë i përgjigjem, e herë jo.

Dhe kështu vazhdon jeta
Mes përpjekjesh e dyshimesh,
Dhe diçka s’të lë rehat
Të hedh në fushëbetejë tundimesh.

Endesh, sillesh e pështillesh
Të mbërthen një jo e vogël çudi,
Ç’është ky koktej ndjenjash të përziera,
Timonin e mban në duar, dikush tjetër apo ti?

Dhe i vë gishtin kokës,
Dhe e vë dorën në zemër.
Dëgjo njërën, dëgjo tjetrën,
Dëgjo shpirtin, dëgjo qenien!

Dyer hapur lë për mëdyshjen,
Për vetëbesimin gjithashtu,
Se ku do dalë nuk e di,
Tash unë jam ky, e tash unë jam këtu…