Blerim Rrecaj
Prag 17 shkurti
Pasi e lë djalin në shkollë
Të veshur solemnisht
Vazhdoj të ec për një orë
Dëgjoj copëza fjalësh për zgjedhjet e fundit, të sapopërfunduara
Pastaj ulem në verandën e kafenesë
Mbrenda dhe Jashtë
Porosis një espresso 70-she
Nga kutiza zërore varur në një cep
Si nga farë arke e vjetër, e çuditshme
Dalin tinguj e fjalë reperësh që shpërndahen me mllef
Veturat gërrhasin asfaltit
Shihet zhurmë e heshtur e hapave të kalimtarëve nëpër borë e skllotë
Trumcakët vijnë e largohen
Nëpër shtyllat e tejngarkuara telpërçuesish
Dielli rrezon e sikur do t’i djeg
Por ndriçon edhe
Shtatoren e Ademit
Dhe flamujt përreth
Vargu i Mjedës më bën shoqëri
Po pra
“Bora po shkrihet”
Pranvera po vjen…
Kështu po pëshpëris
Kështu po më pëlqen
Mendova se këtu mbarova këtë që ia nisa
Duke lënë dhe një shenjë shkrimi
Por vijnë një grup fëmijësh me mësuesen
Bëjnë një fotografi me komandantin
Duke mbajtur në duar punimet e dhuratat që kanë përgatitur
Dhe shpërndahen më bukur se çdo tufë pëllumbash
Shpërndahen më bukur se çdo gjë
Duke u bërë hijeshia e kësaj dite që ec