Blerim Rrecaj: “KRONIKË ME VARGJE”

Shtëpi e shtetësi

Punët e shtëpisë
Janë si punët e shtetësisë
Shtëpisë i duhet mirëqenia
Rregulli, harmonia, begatia
Shtëpia-shtet
Shteti-shtëpi
Krahë shqiponje le t’i këtë
Lirinë dhe dashurinë
Që me këmbë n’tokë të qëndrojë
Dhe lart të fluturojë

Dhembje e nervozë

Atdhe të flas me ty
Më pranon a jo?
Mbase ti dhe unë
Së pari duhet ta qetësojmë
Këtë dhembje dhe nervozë

Mërzitje

Shumëçka e ftohtë akull
S’dijmë ku e kemi kokën
Kalojmë nëpër ditë
E nëpër rotacion stinësh
Shumëçka mbet e ngrirë
Zemrat nuk po ngrohen

Buqetë shpirtbardhë

Ca flutura të bardha
Përreth një tufe lulesh të bardha
Këto buqeta shpirtbardhash
Në këtë copë vendi të pishëzuar
Largojnë nga unë një trishtim
Që pa prit e pakujtuar
Më pat pushtuar

Prej kah po vijnë këto dallëndyshe?

Prej fundprilli
E gjatë majit
E në vazhdim
Një tufë dallëndyshe
Harlisshëm enden
Copëzës së qiellit
Mbi ballkonin tim

Shi mbi kaos

Fillojnë pika shiu
E pluhur i shkretëtirtë
Bëhet lëng çokolate
Një nënë me vogëlushin për dore
E një punëtor xhaketën vë mbi kokë
Në vend të çadrës

Për një muaj

Për një muaj
Një libër e lexova
Me tregime e novela të zgjedhura
Të Gi dë Mopasanit
Përkthyer nga Anton Çetta
E te librat e mirë
Kthehem me dëshirë

Për një kënd lojërash

E paskan hequr këndin e lojërave
Te kjo hapësirë
U pat vjetëruar
E pat hyrë në moshën e pleqërisë
Pse e paskan hequr mirë kanë bë
Po nuk po shohim
Se një të ri janë duke e vë

Me fare pak frymëzim

Përsëri shkrova një kronikë me vargje
Diç seç më ngacmoi e nuk më la rehat
Nga skena e përditshmërisë
Edhe njëherë u hapën e u mbyllën perdet
Ndonëse me pak frymëzim
Oh, me sa pak