Lindje-Perëndim

Dielli lindi…e perëndoi
Zemrën time (s’)e trazoi…

Përhumbje perëndimi

Kur dielli perënduaka si kjo jetë, si kjo botë
Atëherë atë askush s’mund ta fotografojë…

Hëna

Hëna si nënë e kësaj nate
Bisedon diç me yjtë-të bijtë…

Ëndrrat

Gjatë një ndeje familjare
Njëri tregoi se kishte parë në ëndërr
Shtëpi të djegura
E tjetri
Drita të ndezura

Magjepsje

Kur të magjepsin
Fusha, kodra,
Re, dallëndyshe
Fletë gjithësie shpirti shfleton
E Krijuesin falënderon

Veçanti

Unë trungpeme kaqvjeçar
Personazhi
I një tregimi
Të papërsëritshëm

Sot, tash

Ditë me diell e me erë,
E vranët e me re,
Sot, tash, ditë e qetë,
Nga ajo që na rrethon.
Këtu ku gjendem sot-tash
Dy gëmusha trëndafilash
Të kuqe flakë kanë çelë…

Çastdëshirë

Ku ta gjej një fije shprese
Dhe do lot të pastër
Ku t’i gjej
I kërkoj,
I kërkoj,
I kërkoj
Dhe le të më rrëmbejnë

Sytë e asaj vajze

Pas pak më shumë se dy vjetësh
Përsëri i pashë sytë e asaj vajzeje
Apo më mirë të them sytë tanë u takuan,
Ose kështu më ngjau
Tek unë u zgjua përsëri ajo ndjenjë simpatie
Dhe një freski me erë lulesh në mua hyri

Pas një viti e një apo dy muajsh
I pashë ata dy margaritarë të shndritshëm
Sytë e tu
E tash për ta shkruan dora, zemra, shpirti…

Takime

Ato takime
Pjesë të jetës sime.
Cila vashë-nuse-grua
Do të jetë për mua?

E dashur, eja qetësisht
Me hapa të thjeshtë
Ta duam njëri-tjetrin
Për hir të drejtpeshimit

Së bashku

Në qerpikun tënd luhatet bota
Dhe unë mbret i saj
Në qerpikun tënd luhatet bota
Në një fillim pa fund
Dhe në një fund pa skaj
Unë e ti së bashku në këtë botë,
Unë e ti së bashku në përjetësi

Fruta dhe lule

Duart e tua kanë aromë mollësh
Më përqafo!
E gjitha ti mbart aromë frutash e lulesh
Mos më lësho!

E diel me diell e shi

Diellit po i afrohen ca re
Në këtë pasdite të vonë të diel
Dielli s’do t’ia dijë e shndrit
Edhe pse bie shi
Ndodhet mbi Pallatin e Rinisë
Majave të tij që u ngjajnë majave të maleve të Sharrit
Siç e pamë në një katalog
Në një strehë të një lokali
Dy-tre hapa me tej ca panja trupdrejta e gjethemëdha
Në njërën nga to mbështetur një biçikletë rri e vështron
E në njërën nga degët rri varur kjo çadër ngjyrylberi
Mbi të cilën bie diell dhe shi njëkohësisht
Si mbi të gjithë ne
Udhëtim
Me biletë autobusi bëj aeroplan
E hedh në ajër
E gëzohem si fëmijë

Dua të këndoj

Sot dua të këndoj
Këngën e jetës sime
Pa përmendur fjalët fund e fillim
Sot dua të këndoj
Këngën e jetës sime
Dhe fotografi t’i bëj
Një tik-taku zemre
Një tik-taku ore
T’i kem si kujtim