Blerim Rrecaj: (Ç’)RREGULLIME DHE MAS(K)A (Poezi)

Ishulli ynë

Burim stërlodhjeje nga
Kjo lloj vetmie ndërvendore
Që rrjedh
Mpirë trup i tërë nga anestezion kohe
Veç gishtat të palodhur shfletojnë e bredhin kuturu
Si lopata varke
Mbi ekran telefoni sikur në det
Duke lundruar si bjerraditës
Duke kujtuar vetminë e pashoqe
Të Robinson Kruzos
Tash e sa ditë
Që duke ua lexuar fëmijëve
Pjesë-pjesë
Po e lexoj dhe për vete
Për herë të parë

Përsiatje mllefi

Lexova një shkrim,
Një përsiatje mllefi
Që para dhjetë vjetësh
E kisha pas shkruar.
Çdo t’i hiqja sot?
Ca pika e ca presje,
Do shtoja ca pikëpyetje e pikëçuditëse,
Do hiqja ca barishte, ca helme, ca therra,
E tre katër rreshta…
Po e lë kështu siç është
E hiç nuk po e prek,
Asgjë s’po i shtoj
Asgjë s’po i heq.
Edhe sot
Këtij shkrimi
I njejtë i mbetet thelbi:
Një përsiatje mllefi…

Pafajësi pluhuri

Një batalion pluhuri
Më sulmoi papritmas
U ngjit drejt gojës, hundës
Si drejt një kalaje ta pushtojë përbrenda
Dhe në brendësi të fytit
Depërtoi me bajonetat ngritur
Për të nisur betejën e madhe
Mes një kaosi zhurmash e bërtimash
Duke fërkuar sytë
Desha ta pështy
E ta shaj
Më tha komandanti sypatrembur që printe
Mos u ngut or mik
Se ju na formuat këtë ushtri të madhe batalionesh
Dhe prandaj ne jemi plotësisht të pafaj
S’po kemi ku të shkojmë
S’po kemi kah t’ia mbajmë
S’na latë asnjë vend
Çdo gjë shkulët me rrënjë

Bisedë kafeneshë

Dal të ec në këtë mbrëmje
Sot kur masa të reja
Janë vënë në qytezë,
Më duket se po bisedojnë mes vete
Gjithë ky numër i madh kafeneshë.

Njëra thotë:
-O shoqe të mia, kohë e mirë për bilanc, këtë herë.
Ja pret tjetra:
-Po ia fillojmë pra me këtë që tash kalon pranë nesh
Ta shohim sa herë e kemi pritë dhe e kemi përcjellë!

Mora me vete

Në njërën kafene brenda parkut
Të kryeqytetit
Në këtë ditë të premte
Si ketër lozonjar që një lajthi e bart
Hyra dhe e mora një kafe me vete

Ngulmim

Vazhdon avaz i vjetër
Debat, debat, debat
Sa të mundem po u shmangem
Se më duhet shërim i thellë emocional

Sytë në sytha

Për pak çaste
Te oazë
E shkretëtirës
Shkoj
Humbas tërë kujtesën
Në sytha trëndafilash