Bilanci DIASPORA FLET 2020: mbi 2800 pjesëmarrës, nga 26 shtete, me 25 sesione tematike

Nga 19 deri 21 nëntor 2020 Germin organizoi konferencën virtuale “Diaspora Flet 2020”. Me një program të ngjeshur prej 25 orësh: me sesione debatuese, fjalime inspiruese, biseda të përqendruara, panair virtual, hapësirë rrjetëzimi dhe interaktivitet mes folësve e pjesëmarrësve, përmbyllet suksesshëm kjo konferencë shembullore.

Të bashkë-krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë!

Për të bërë një bilanc të përgjithshëm mbi këtë konferencë të suksesshme e produktive, prointerga.ch si partner me vite e Germin dhe mbështetëse edhe e kësaj konference të Germin, zhvilloi një bisedë si në vijim me dy drejtuesit e saj: Sihana Bejtullahu e Lirim Krasniqi.

prointegra.ch:  Sa jeni të kënaqur me rrjedhën e përgjithshme dhe cili është bilanci juaj mbi konferencën virtuale DIASPORA FLET 2020 dhe synimet e saj?

GERMIN: Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me rrjedhën e përgjithshme të konferencës. Përgjatë tre ditëve, “Diaspora Flet 2020” ka qenë platforma virtuale kryesore në diasporë dhe vendet amë, ku janë diskutuar tema nga më të ndryshmet dhe ka pasur vijueshmëri dhe interaktivitet mes pjesëmarrësve. Konferenca është ndjekur nga 26 shtete të ndryshme. Vlerësomë që kemi arritur të ofrojmë një hapësirë për diskutime cilësore dhe adresim të temave kryesore rreth diasporës dhe lidhjeve me vendet amë.

prointegra.ch: Sa jeni të kënaqur me kontributet e penalistëve pjesëmarrës dhe me numrin e ndjekësve virtual të aktiviteteve të konferencës në fjalë?

GERMIN: Jemi shumë të kënaqur me cilësinë e kontributit të panelistëve dhe po ashtu me numrin e ndjekësve. Janë realizuar suksesshëm 25 sesione tematike, ku secila ka pasur mbi 150 ndjekës në kohë reale. Në total, të gjitha sesionet (përfshirë hapësirën e rrjetëzimit dhe panairin virtual) janë ndjekur nga mbi 2,800 pjesëmarrës.

prointegra.ch: Sa ishit të sfiduar sa i përket një organizimi të një konference kaq të madhe në kushte të pandemisë globale? Çfarë përfundimi nxirrni nga ky organizim?

GERMIN: Organizimi i konferencës në kushte të pandemisë globale ishte sfidë me vete dhe paraqiste rreziqet por edhe përparësitë e veta. Rreziqet sepse ishte hera e parë organizimit të një konference në një platformë dixhitale, si prej perspektivës sonë si organizatorë por po ashtu edhe prej perspektivës së shumicës pjesëmarrësve. Kishte shumë detaje teknike të cilat kërkonin kohë dhe resurse shtesë. Ndërkohë, ky format paraqet edhe mundësitë apo përparësitë e veta sepse mundëson qasje dhe pjesëmarrje më të lehtë nga shumë më shumë njerëz anë e mbanë botës. Kjo na mundësoi që të kemi folës dhe pjesëmarrës të cilët në rrethana tjera mbase nuk do t’i kishim pasur pjesë të konferencës.
prointegra.ch: A jeni përballur me ndonjë të papritur apo pengesë – qoftë edhe teknike – gjatë konferencës?

GERMIN: Në ditën e dytë të konferencës kemi pasur probleme me transmetimin, përkatësisht përçimin e videos nga dhoma e folësve tek pjesëmarrësit. Gjithsesi, kjo gjë nuk ishte nën kontrollin tonë dhe në njëfarë mënyre na e kujtoi faktin e të qenit në një platformë virtuale ku për shkaqe të ndryshme objektive (interneti, transmetuesi, etj.) mund të shkaktohet shkëputje mes pjesëmarrësve dhe folësve.
prointegra.ch: A do të ketë një publikim të veçantë me material përmbledhës të temave të trajtuara në të gjitha panelet dhe me rezultatet e përgjithshme të konferencës?

GERMIN:Ne jemi duke punuar në përmbledhjen e diskutimeve dhe temave kryesore në një publikim të veçantë i cili pritet të botohet në format dixhital dhe të shtypur. Po ashtu, në formë të info-grafikave do të publikohen rezultatet e konferencës të matshme në numra.

prointegra.ch: Cilat janë aktivitetet e ardhshme të Germin?

GERMIN: Germin në vitin 2021 do të zgjerojë aktivitetet edhe në Republikën e Shqipërisë. Atje tashmë kemi themeluar zyrën tone dhe jemi duke u marrë aktivisht me çështjen e votës së diasporës (jemi pjesë e grupit punues/këshillëdhënës të formuar nga KQZ), e cila pritet të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme, në pranverë 2021. Po ashtu, në vitin 2021 do të zgjerojmë rrjetin e profesionistëve dhe do të fillojmë me një format të ri të programit “Angazhimi i Profesionistëve të Diasporës”, ku për dallim nga viti i kaluar, ekspertët nga diaspora do të angazhohen në periudha të shkurtra kohore edhe në sektorin privat dhe atë të shoqërisë civile, përveç sektorit publik. Një iniciativë tjetër e filluar në vitin 2020 e cila do te jetë e përdorshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë shumë shpejt, është edhe “Diaspora Shop” e cila ofron një mënyrë të përshtatshme dhe të sigurt për anëtarët e diasporës për të blerë produkte artizanale nga prodhuesit vendor, duke i mbështetur ata dhe në këtë mënyrë duke forcuar lidhjet me atdheun. Në pjesën e parë të 2021-shit, planifikojmë organizimin e dhjetëra takimeve me ndërmarrës dhe novatorë nga diaspora në vendet gjermano-folesë për të promovuar Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren si vend atraktiv për investim në Kosovë. Në të njëjtin vit ne do të fillojmë procesin e bashkë-krijimit me profesionistë dhe organizata në diasporë për organizimin e konferencës “Diaspora Flet 2022”, të cilën planifikojmë ta organizojmë në Gjermani.

Shkrimet tjera të prointegra.ch mbi aktivitetet e zhvilluara gjatë konferencës virtuale “Diaspora Flet 2020” mund ti lexoni këtu!