Bedri TAHIRI

KARANTINA

Sigurisht na është ber ves
Ta harrojmë prore historinë
Nuk e di kur ishte kështu
E gjithë bota në karantinë

Pa betejë, luftë a përleshje
Përveçse një si bubuzhel
Si gjyshja kur na frikësonte
Kur pa dritë, rrinim në terr

Një armik shumë misterioz
Mikroskopi nuk e kap dot
Na bëri të flasim me vete
U shndërruam në Donkishot

Sprovë e madhe për njerëzinë
Për më shumë paqe e dashuri
Mbase po lind një epokë e re
Kur ta mundim këtë epidemi

Galicë, 18 mars 2020

 

VIRUSI

Mbrëmë, seç më iku i ziu gjumë
Duke medituar për këtë zezonë
Mbushur plot e përplot viruse
Pa ditur se si t’i vë në rabush

Covid-19, i padukshëm fare
Frikën na e ka futur në palcë
I dyti, politika jonë mjerane
Për teke e inate na çoi n’grackë

Populli i ngratë, mbyllur brenda
Bën sehir dhe rri ashtu nemitur
Hip se t’vrava, zbrit se t’vrava
Dreqi na mori disi papritur

Virus t’mirë kurrë s’ka pasur
Ai luftohet veç me (im)unitet
Jo me përçarje e me babëzitje
Për pasuri, për karrige, për pushtet

Fare vonë, mu qetësua mendjeshkreta
Dilemën hamletiane sikur e godita
Virusin vdekatar, në rend të dytë
Ia pari, shkatërruesi ynë- POLITIKA

Galicë, 25 mars 2020

 

MJEGULLNAJË

Tashmë, ne që provuam luftën
Përjetuam e çka nuk përjetuam
Vrasje, djegie, dhunë, mjerime
Por, ia dolëm, dhe e mbijetuam

Por, sot, disi krejt më ndryshe
Gjithë bota në një katandisje
Mbyllje, izolim, në karantinë
Rrimë në ethe, pa shijuar lirinë

Ca thonë grip, ca virus misterioz
Dikush thumbit, dikush patkoit
Orë e qaste masa shtrënguese
Kjo po del luftë e shkuar lufte

Nuk po e njeh as qeni të zotin
Herë-herë harrojmë sëmundjen
Politika veç rrëmujë e piskamë
Populli përhumbur n’mjegullnajë

Galicë, 16 prill 2020

 

MËDYSHJE

Mund të vijë një ditë, që do të themi:
Ore, si u bë dje, na mbyllën në shtëpi
E ata (politikanët), harliseshin lirshëm
Vallë, mos dhe virusi qenkësh hilegji!

Mëdyshje që shpijnë deri te Çajupi
Kur Efgjeninë e humbur vajtonte:
-“Rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rrojë
Se edhe Perëndinë tani s’e besoj”!

Por, jo, jo, ne s’jemi aspak skeptikë
Përkundrazi, shpejt kemi me ia dalë
Ama, mos i zbrisni gjithë nga bishti
Se u katandisët, u bëtë fare përrallë…

Galicë, 1 Maj 2020

 

PANDEMIA

(Motërzim)

Sërish për armikun e ri tekanjoz
Që na bëri të flasim me vetveten
Mbase edhe të tallemi keq me të
Pa e kuptuar asnjëherë të vërteten

Si det i trazuar përhapet valë-valë
Më rastisi të rri dhe me të sëmurë
Por kurrë nuk e mora seriozisht
Mund të më dalë dardhë me bisht

Nuk po e mohoj ekzistencën e tij
Por e mbaj vath në vesh një urti:
Mërzia dhe frika të rëndojnë kot
Ato nuk të ndihmojnë në jetë dot!

Viruset politikë më të bezdisshëm
Me sjelljet e tyre prej kameleonësh
Më bën që të shkas deri në blasfemi
Sa të them: Jo, ore, nuk ka pandemi!

Galicë, më 12 korrik 2020

 

TJETËRSIMI

Covid-19 papritur ndryshoi botën
Na vuri maska e na lëshoi mjekra
Fillikat, kaptuam male e bjeshkë
Sikurse dikur eremitët në Mesjetë

S’vëmi të njëri-tjetri, as për mort
Rrojmë n’kujtime të së shkuarës
Fare në tymnajë fati i së ardhmes
Lëvizim n’shëmbëllim të gaforres

Obobo, sa keq u katandisëm, ore
Të hutuar ecim, duke mërmëritur
Në heshtje shumëçka dhe harruam
Dhe, dalëngadalë seç u tjetërsuam

Galicë, 25.8.2020