( Përvjetor i Mujë Krasniqit, kësaj rreze të ndritshme të lirisë )
-Merre çiftelinë e krisja këngës, o trimosh, se kullat tona nuk durojnë heshtje e zymtësi.
-Sa ta pijë Hamza kafen, o komandant, do t’ia krisim e do t’ia themi deri sa të zbardhi dita.
Dhe, s’bëhej pak e tingujt lozonjarë shpërthenin vrullshëm, duke i dhënë shpirt odës së madhe të Jasharëve:
Oj Kosovë e bukur do ta sjellim dritën
Gryka jonë e skuqur ngjall Azem Galicën
Toka jonë e djegur po lahet me gjak
Ty ta falim jetën e na duket pak…
Bacë Shabani, ulur këmbëkryq, bri oxhakut çemerli, si një orakull ndjellamirë, dëgjonte vëmendshëm dhe ngazëllehej e përjetonte me shpirt. Zemra i bëhej mal me dëborë. Herë¬ here ua hidhte nga një bisht syri luleve të rinisë.
O Madhëri, secili më i zoti se tjetri. Sa mirë, mrekullia vetë. Pika e djalërisë. Të tillë ditë kishte ëndërruar moti, edhe atëbotë, kur hienat të përgjonin edhe në gjumë.
Dhe, këngë e krisma, krisma e këngë.
-Kënga del prej grykës së pushkës!- iu kujtua beftë dhe fët i vanë sytë tek armët varur në mur. Të bekuarat, shkëlqenin në të buzëqeshur. S’kishin faj, ashtu ishin mësuar, te pandara, si vëllezërit siamezë. Jetë i thënçin asaj ndryshe! Të dyja tok siguronin pavdekësinë.
Por, ah, të keqen! Kjo dhunti nuk e stoliste secilin. Jo, jo, ajo u takonte vetëm atyre që vrisnin frikën dhe ngulmonin lirinë. Të tillë janë gjithë këta djem, mendoi plaku, duke i fshire ca lot që e kishin tradhtuar dhe heshturazi i rrokulliseshin faqeve të parruara. I tillë ishte edhe djaloshi me zë bilbili e me trup të lidhur deng, që i thoshin Mujë Krasniqi. Sa i ngjaka Ademit!- përfundoi me vete, duke mos ia shqitur sytë.
Me një lule s’vjen pranvera
Muaji i bukur i qershive zakonisht vjen me këmbë të mbarë. Ashtu erdhi edhe ai i vitit 1967. Kur hodhi çapin e gjashtë, Çabiqit iu shtua edhe një çifteli, iu shtua edhe një pushkë, iu shtua edhe një gëzim: U lind Mujë Krasniqi!
Ç‘është e vërteta, nga kjo derë fisnike, edhe shumë herë të tjera rrodhi gëzimi i jetës. Me një lule s’vjen pranvera,- thoshin Halili e Shehidja, dhe shtonin hisen e tyre e të atdheut. Ndryshe as që mund të mbijetohej zezona që na kërcënonte mbi kokë. Ata lindën njëmbëdhjetë fëmijë. Satanait, që planifikoi ndryshe, i theri fort në zemër dhe klithi përvajshëm: Më mundi Nëna shqiptare!
Djaloshi topolak rritej me ëndrra të mëdha lirie. Shpirti i tij njomëzak depërtonte thellë e thellë në labirintet e mugëta të historisë kombëtare. Aq shumë u mishërua me këngët historike saqë edhe e morën me vete, e bënë histori…
Lisat e mëdhenj i rrahin erërat më shumë, andaj edhe i lëshojnë rrënjët më thellë. Muja herët u ra në sy pushtetarëve serbo-sllavë. Veprimet e tij atdhetare rrezatonin në gjithë rrethin. Në çdo protestë e demonstratë ishte i pari. Veçan u dallua në ato të vitit 1989. Edhe përndjekjet ndaj tij u shtuan. Por, kot. Arra e fortë nuk thyhej lehtë. Atdhedashuria e tij veçse po rritej e lartësohej deri në ideal jetësor. Tashmë e ndihmonin edhe vëllezërit: Aliu, Avniu e Afrimi.
Kur lëvizja çlirimtare grisi tisin e ilegalitetit, Muja sërish i pari në grupet e armatosura. Në nismë, për ca kohë, qëndruan në truallin e shqipeve, në Prekaz. Adem Jashari kishte besim të plotë tek ai dhe e ngarkonte me detyrat më të rënda. A ndalej dielli të ndriçonte? A pushonte Drini i Bardhë? Aq mund të ndalej a të pengohej Mujë Krasniqi! Orët e tij frymonin në Drenicë, në Dukagjin e në Pashtrik.
Lajmëtari i ditës së re
Agu i së mërkurës u gdhi fare i zymtë. Qielli i mërrolur veçse s’lotonte. Drenica ende po nanurisej në djepin e ëndrrave liridashëse, kur lubia e përtej Tunës po futej në zemrën e saj…
Sakaq, te lugina midis Llaushës, Rezallës së Re e Rakinicës, dheu u trand në themel.
-Priti matanë, o komandant,- erdhi një zë nga maja e malit përballë.
Edhe tri fishkëllima therëse, shenja të moçme sulmi, jehuan dhe u përcollën tej e tej lugjeve gojëmëdha.
-Krisja malësorçe, o Mujë kreshniku,- thirri komandant Adem Jashari, që e kishte fare pranë, duke i dhënë zjarr mitralozit të madh. Helikopteri i gicur në bark, iku lart. Krisma e britma. Tym e flakë. Djajtë e humbën fare. Kukulelet e tyre i përpiu Manastiri heshtak…
-Asnjë të gjallë!- thërrisnin mrizet e Llaushës. Mëshirojeni, ore të keqen se u pëlcet zemra si lepujve!- zëronte lumthi zemërbutë. Ha-ha-ha, gajaseshin me qesëndi trimat maje kreshtash.
Bishat e harlisura nga plagët e nga paniku zunë te zhgërryheshin e të iknin se prapthi, si gaforrja. Gjaku i diturisë shënoi orën e madhe të historisë. Një yll u ngrit në qiell. Mësuesi Halit Geci u shndërrua në lulëkuqe lirie.
Lalushë, 28 Nëntor 1997. Lumenj njerëzish vërshuan drejt saj. Të gjithë tok i bashkonte flamuri kuqezi. Gjithë Kosova po vinte aty për ta përcjellë në amshueshmëri mësuesin e dashur.
Sakaq, nga kreshtat e larta zbritën edhe tri shqipe lirie. Të gjithë mbajtën frymën. Ndonjëri fërkonte sytë me mosbesim. Sa u shkonte uniforma laroshe! UÇK! UÇK! UÇK! ofshëtinë fusha e male.
-Ishim ëndërr apo na bënë sytë?- pëshpëritnin ca, që ende nuk po i besonin vetes.
-Si ore tutkunë, ende mësyheni?!- ua kthyen të tjerët gjaknxehtë e të xhindosur. Kjo është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që sot e tutje do t’i dalë zot atdheut.
Ashtu ishte vërtet. Mjaft më, të dalim hapur, gjykuan trimat, dhe zgjodhën tre lajmëtarë të ditës së re: Mujë Krasniqin („Kapuçin“), Rexhep Selimin („Dhjetëshin“) dhe Daut Haradinajn („Davidin“).
Kacafytja
Zjarri i luftës mori krahët e dragoit. Kudo luftohej: në Drenicë e në Llap, në Dukagjin e në Shalë të Bajgorës, në Anadrini e në Pashtrik. Pena e poetit skalit vargjet:
Kushtrimi del e pushton malet
Në njëqind Drenica ndezën idealet
As djaloshi i aksioneve të rrufeshme nuk pushonte dot. Trimave u prin fati, thuhej qysh moti. Ashtu ishte, edhe atë e gjeje kudo e kurdo në ballë të fronteve e të betejave. Sa e sa herë u plagos. Por, ashtu, me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë në shtat, kacafytej me bajlozët e zinj, të cilët mëtonin ta nëpërkëmbnin nderin e trojeve tona stërgjyshore. Shumë punkte policore i hodhi në erë e shumë arkivole nisi për në Shumadi.
Më 5, 6 e 7 mars 1998 iu ça zemra në dysh. Medet, nuk mundi t’i shkonte komandantit në ndihmë, por kolonës së gjatë serbe, që vinte nga Klina, ia preu rrugën. Bashkë me bashkëluftëtarët e tij shfreu dufin mbi somnambulët e hekurt, duke i paaftësuar. Snjaperi i tij ia kënaqte shpirtin.
Për bacë Shabanin!…
Për Hamzën!…
Për Adem Jasharin!…
Për gjithë të pavdekshmit!…
Kështu i numëronte ata që i çonte në atë botë.
Edhe më vonë avazi i njëjtë. Luftë, beteja, sakrifica. Me muaj e mbajti vijën luftarake Kijevë-Dollc-Dush. Dy muaj kalitje në frontet e luftës është njësoj si të mbarosh një akademi ushtarake,- thoshte një oficer i lartë shqiptar.
Në betejën e korrikut mbi shtatëmbëdhjetë orë qëndroi i palëkundur në istikam. Stoicizëm i pashoq. Taktika e tij luftarake qe e thjeshtë dhe unikate: i pari futej në front e i fundit tërhiqej. Nisur nga kjo, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, më 19. 8. 1998, e emëroi Komandant të Brigadës 113.
-Rroftë Komandant Kapuçi!- brohoriten luftëtarët që e donin shumë, saqë jehuan edhe male e fusha përreth.
Trimi sypatrembur në beteja përdorte edhe armën tjetër- këngën. Kur këndonte për legjendarin, të gjithë ngriheshin në këmbë dhe ishin të gatshëm për t’u hedhur në grykë të topit:
Na u bën kala kullat me bedena
Prapë n’këtë tokë po rriten Hamza e Adema
Amaneti i tyre ta fitojmë lirinë
Me pushkë mbrojmë Kosovën e nderojmë Shqipërinë
Koha ecte me ritmin e saj e ofensivat serbe nuk kishin të ndalur. Edhe numri i vullnetarëve rritej e rritej. Armët e municioni mungonin. Komandanti harroi plagët dhe u priu drejt Alpeve Shqiptare.
Rënie e madhërishme
Vallë ç’kishte Hasi i Thatë i Prizrenit që lotonte në heshtje mëngjesin e 14 dhjetorit 1998?! Këtë kurrë nuk e kishte pasur zakon. Lotët nuk ia pa kush as kur osmanët e zhvarrosen më të dashurin e tyre, Pjetër Bogdanin e madh, as kur cerberët nga pusia ia vranë atë Shtjefën Gjeçovin mendjendritur. E sonte ç’kishte që ishte ligështuar aq shumë?!
Një gjëmë më e madhe se ato e kishte pllakosur këtë fundvit të acartë. Një tog ushtarësh të lirisë kishte ngelur në pritat kobtare serbe…
…Ora 2 e 10 minuta. Terri i natës skëterrë u bë copë e grimë. Vëzhguesit pararojë ranë në pritë!
-Tërhiquni prapa!- bërtiti me gjithë zë komandant “Kapuçi”, duke zënë pozicion me shpejtësi rrufeje.
Dhe, sa keq! Lufta u ndez ashpër. Qielli u zbardh nga flaka e armëve. Komandanti, si përherë, në mbrojtje të bashkëluftëtarëve. Fare pranë edhe i vëllai, Aliu, edhe dhëndri Beqiri, edhe Rifat Mëziu, edhe…
O Zot! Gorozhupit i treti fare qetësia?!
Çirrje…britma…lemeri…Heroizëm…qëndresë…mbijetesë.
Krismat vinin duke u rralluar. Nuk po dëgjohej më as arma e komandantit. Të gjithëve u vajti mendja për keq, por s’folën. Nuk u bënte zemra. Gjaku i lirisë ujiti gurët e kufirit ndarës. Tridhjetë e gjashtë lulëkuqe stolisen dëborën e acartë… Edhe nëntë të zënë robër.
Por, fati u ra pas, në Shalë të Bajgorës u kapën tetë ushtarë serbë… Dhe, pasoi këmbimi i tyre. Një barasvlerësim shtetesh…
-Jam krenar që pata djem të tillë!- thotë xha Halili pasditën e ftohtë të 20 dhjetorit 1998, kur po i varrosnim, në Polacin e Hasan Prishtinës.
Edhe një toponim i ri- Kodrën e Dëshmorëve!
Aty do të zynë vend në Altarin e pavdekësisë: Mujë Krasniqi, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Ali Krasniqi, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Avni Kutllovci, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Beqir Gashi, Besim Qarri,Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hazir Kryeziu, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Luljeta Shala, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Maliq Karaçica, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Rifat Mëziu,Selim Selimi, Sylejman Elshani, Qenë Qenaj, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini dhe Xhevat Thaçi.
-I lehtë u qoftë dheu i Kosovës mëmë! Lavdi veprës suaj çlirimtare!- jehuan larg e larg lugjet përreth.
Aty fillonte pavdekshmëria e tyre e prej andej për jetë e mot do të shndrisin rreze lirie.






















