Bedri TAHIRI: SHPEND BALI BISHEVA-DRAGOBIA (1865- 1957)

                           

Burra t’rrallë ka rritë Tropoja
T’rreptë nga gishti e mjalt nga goja
T’drejtë e t’matun nga urtia
Midis tyre Shpend Balia…

(Matish Gjeluci)

       Po t’ia hedhim një sy të mprehtë mësueses së jetës, secili vendbanim i Tropojës heroike është histori në vete. I tillë është edhe fshati Margegaj që shtrihet në pjesën veriore të qytetit piktoresk Bajram Curri. Në perëndim të tij ngrihet pllaja e bukur e Bishevës, me pyllin freskues, përplot gështenja, me livadhe e kullosa të shkëlqyera.

Banorët e Margegajt, të gjithë të fisit Krasniqi, denbabaden janë shquar për mikpritje, burrëri e trimëri. Në odat e tyre prej guri kanë gjetur strehim të sigurt dhe kanë qëndruar  atdhetarë të shquar të Kosovës e të shqiptarisë, si Hasan Prishtina, Azem e Shotë Galica, Sadik Rama etj.

Derë e njohur, me oxhak e me traditë, siç i thonë  një fjale, ishte edhe ajo e Shpend Bali Bishevës, që nëpër analet e historisë na del edhe si Shpend Dragobia.

Gjurmë lashtësie

Edhe sot, po të shkosh në Margegaj, si një monument lashtësie, trimërie e bujarie, të përshëndesin “Gurët e Bali Arifit”. Po, ore po. Dikur, aty ishte një kullë, ku mbaheshin kuvende burrash e organizoheshin besëlidhje trimash malësorë për kryengritje të armatosura kundër shkelësve të pabesë. Aty, ore lumë vëllai, shumë herë patën bërë konak Azem Galica me Nusen e Maleve- Shotë Galicën, Hasan Prishtina e Bajram Curri, Sadik Rama e Mehmet Konjuhi etj.

Po cili ishte Bali Arif Bisheva?

Ishte burrë i burrave, i cili në këtë botë kishte ardhur në acarin me borë të vitit 1830. Rridhte nga një familje e varfër, por të ndershme e atdhetare. Gjithë jetën e tij e kaloi me një shok të pandarë, me grykëhollën, duke luftuar shkrep me shkrep, kundër atyre që guxonin të preknin në virgjërinë e maleve të papërkulura të Alpeve Shqiptare. Mori pjesë në luftë kundër ekspeditës turke të Maxhar Pashës (1862) dhe në Kryengritjen e viteve 1864-1866, ku u dallua për trimëri, maturi dhe vendosmëri. Edhe në betejat kundër sulmeve pushtuese të Malit të Zi (1872- 1874) u shqua si luftëtar dhe prijës popullor i luftëtarëve tropojanë.

Pos tjerash, Baliu ishte pjesëmarrës aktiv i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe bashkëluftëtar i ngushtë i Haxhi Zekës. Heroizmi i tij u pa hapur edhe në betejën e Gjakovës, në atë të Plavës e Gucisë dhe sidomos në luftën e përgjakshme të Slivovës (1881), ku ngeli legjendë e gjallë Mic Sokoli me gjoksin shkëmb përmbi topin turk.

Vdiq si atdhetar i nderuar më 1912, duke lënë pinjojtë që do të vazhdojnë rrugën e tij të nderit; vëllai Zmajli dhe djalë Shpendi.

Shpend Baliu nuk qe djalë hasreti. Ai pati edhe dy vëllezër: Tafën e Imerin. Ama ky ishte i veçantë. Kur u lind ai, në vjeshtën e vonë të vitit 1865, tri të shtëna pushke thyen heshtjen e Luginës së Valbonës dhe jehuan deri lart në Majat e hekurta. U gëzua gjithë Margegaj, por më së shumti babë Baliu. Dhe, sikur ta mëkonin zanat e Bishevës me qumësht ambrozi, djaloshi rritej e shtohej si molla në gem. Ishte kohë e vështirë, ku hasmëria kishte lëshuar rrënjë të thella dhe, meqë Haxhi Zeka kërkonte që pranë vetes të mbante djemtë më të mirë të vendit edhe Baliut ia kërkoi njërin nga të bijtë. Ky, pa u hamendur ia dha Shpendin.

Dhe, për ato pesë vite sa qëndroi atje, në Pejë, Shpendi i vogël, si kureshtar i madh, mësoi dhe zuri shumë. Aty, duke u njohur mirë me përpjekjet dhe luftërat heroike të popullit të vetë në vazhdimësi, për çlirim kombëtar, u frymëzua dhe u brumos edhe më shumë me ndjenjën e atdhedashurisë.

Të njëjtat biseda i ra t’i dëgjonte sërish në odën e vet në Margegaj. Madje, aty i ra të takonte e t’u shërbente vetë trimave në zë, si Isë Boletinit, Azem e Shotë Galicës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit si edhe shumë e shumë të tjerëve nga Malësia, nga Reka, nga Plava, nga Gucia etj.

Megjithatë, me familjen e Bajram Currit kishin lidhje të veçanta. Ata i bashkonte shumëçka, por një ishte kryesorja: lufta kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Gjatë viteve 1908-1910 Shpendi mori pjesë në luftërat kundër forcave turke dhe të atyre greke e serbe, që atëbotë i kishin sulmuar pas shpine trojet e tij të molisura e të sfilitura. Gjithashtu ishte pjesëmarrës i Kryengritjeve të Përgjithshme, të organizuara e të drejtuara nga Sylejman Vokshi e Bajram Curri, duke luftuar deri thellë në tokën e Kosovës martire, të cilën, nga meraku, e shihte edhe në ëndërr.

Në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, Shpend Bisheva ishte përfaqësues i Malësisë së Tropojës. Këtë më së miri e dëshmojnë edhe vargjet e krijuesit të njohur Isa Breçani:

 

Kur u ngrit në Vlorë Flamuri
Si kreshnik qëndroi burri
Me malësorë e kosovarë
Bacën Isë e kanë të parë…

Fytafyt me malazezë
Me theqafjen e të sëmurit të Bosforit, siç quhej Turqia e kalbur e atyre ditëve, mbi trojet shqiptare, si lukuni ujqërish të pangopur, u lëshuan sllavët e stepave karpatiane; serbët e malazezët. Edhe Tropoja e pësoi një fat të tillë nopran.

Kur ajo, përkohësisht, ra nën kthetrat e tyre të gjakosura, Shpendi me malësorët e vet, u organizuan dhe lëshuan kushtrimin për luftë, gjë që ia dolën mbanë suksesshëm. Derisa bishat zvarriteshin së prapthi, si gaforrja, trimat tropojanë, të udhëhequr nga Shpend Balia, nga axha i tij Zmajli e nga Shaban Fazliu e Sokol Tahiri, organizojnë prita, ku shumë barbarë lanë kokat e tyre e shumë të tjerë, në mesin e tyre edhe vetë udhëheqësi i ekspeditës, dorëzohen pa ia bërë bam.

Në muajin qershor të vitit 1915, sërish rrebeshe të reja u lëshuan terbueshëm mbi Malësinë e Tropojës. Kënga thotë:

 

Në Malësi asht mësue e ditë
Vit për vit hasmin me e prit
Tash ka dalë hasmi kojshi
Cornagorja me Serbi…

Kësaj radhe, në krye të hordhive të shfrenuara shkatërruese ishte vënë Savo Llazareviqi-BATARJA, kriminel i njohur për zullume e për poshtërsi. Ata, pasi vrasin, djegin e shkatërrojnë nëpër Mërtur, zbresin edhe në Margegaj, dhe, në shenjë hakmarrjeje për ushtarët e tyre të vrarë ditë më parë, arrestojnë disa burra, në mesin e tyre edhe Zmajl Arifin, vetë të tetin, të cilët i pushkatojnë tek Ura e Kolgecajve (Valbonës).

Gjatë kësaj kohe zezonë Bajram Curri gjendej në Shkodër, kurse forcat ushtarake serbe kishin hyrë në Qafë të Morinës. Ai i dërgon letër Hysni Currit, i cili ishte në odën e Shpend Balisë dhe i porosit krerët që të mos dorëzoheshin para Veshoviqit, sepse kishin mjaft forca për të përballuar, vetëm në Margegaj ishin mbi dymijë luftëtarë. Por, pas shumë betejash e luftimesh, Malësia e Tropojës, e edhe shtëpia e Shpend Balisë, u dogjën rrafsh me tokë. Për këtë flet edhe kënga:

 

                          Për këtë luftë me heroizma

                          Ka shkue kanga të Cetina…

 Kulla e kushtrimit për Revolucion

Bajram Curri, pasi prishet dhe thyhet keq me Ahmet Zogun e me Esat Pashë Toptanin, përsëri detyrohet ta lëshojë Shkodrën e të ngjiten lart në Malësinë e Tropojës. Të mos harrojmë se patriotin revolucionar, Bajram Currin, qeveria reaksionare e kryesuar nga Ahmet Zogu, në vitin 1922 e dënoi me vdekje në mungesë. Dhe, ku tjetër do të vendosej “Shqipja e maleve shqiptare”, në mos në kullën e Shpend Balisë në Margegaj? Aty ishte baza e rezistencës, aty ishin mbledhur mbi katërdhjetë burra e prijës të Lëvizjes Kombëtare për çlirim e bashkim kombëtar. Aty u vendos edhe Plaku i Maleve dhe qëndroi plot gjashtë muaj.

Ngjarjet në gjithë vendin rridhnin rrëmbyeshëm, mu si uji i Valbonës. Situata e përgjithshme ishte acaruar aq shumë, saqë mjaftonte një xixë e vogël për të shpërthyer në flakë të pashuar. Çetat kaçake në Kosovë, të komanduara nga kryetrimi Azem Galica, ishin shtuar dhe mobilizuar. Edhe forcat demokratike në Shqipëri kishin marrë hov dhe veç pritnin për të shpërthyer.

Dhe, momenti erdhi!

Më 20 prill 1924, spiuni i Zogut, Isuf Reçi, e plagosi për vdekje derisa po shëtiste në rrugët e Tiranës me Hoxhë Kadri Prishtinën, mësuesin libohovas Avni Rustemin, “Yllin e djelmënisë shqiptare”, i cili më 13 qershor 1920 e pati shtrirë për tokë në Paris tradhtarin Esat Pashë Toptanin. Varrimi i tij, më 1 maj 1924, tronditi dheun…

Bajram Curri, i emëruar udhëheqës i veprimeve luftarake për Zonën e Kosovës dhe të Dibrës nga komisioni administrativ provizor i Revolucionit, pasi u njoftua nga krahinat e tjera të Shqipërisë se ishin gati për fillimin e revolucionit dhe sinjal i fillimit të tij është marrja e Krumës, natën e 11 majit 1924, në mënyrë konspirative u mblodh Kuvendi i Margegajt, ku u vendos për të sulmuar qeverinë feudale- borgjeze, në mes të tjerash u tha:” Ne duhet të ruajmë me gjak truallin e të drejtat tona, ndryshe nuk do të kemi atdhe as nder. Të tjerët po majen në krahet tonë. Zogu me njerëzit e tij duan me e shit Shqipërinë e me na kthye në hyzmeqarë”(Shiko broshurën “Bajram Curri-Hero i Popullit”, Muzeu i rrethit të Tropojës, Tiranë, 1980).

Pra, Bajram Curri zbrazi koburen e parë kushtrimtare për fillimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, duke u shprehur: ”Na kjoftë për hajr burra!”. Dhe, kjo u bë pikërisht në vendin e quajtur “Gurët e Bali Arifit”, pra në truallin e kullës së Shpend Balisë. Kjo vërtetohet edhe me vargjet:

Muaj qershor për në Malësi
Asht shënue në histori…
Pushka e parë thonë ku ka krisë
Bash t’u gurët e Shpend Balisë…

Dhe, nga aty, forca të shumta, mbi tetëqind malësorë, u nisën për në Krumë, ku ishte qendra e Prefekturës së Kosovës e të cilën e morën më 25 maj 1924. Kryengritësit revolucionarë, të udhëhequr nga Bajram Curri, pa humbur kohë morën Kukësin, Lumen, Kalanë e Dodës, Peshkopinë dhe së bashku me atdhetarët e këtyre krahinave kaluan në Mat, ku dogjën shtëpinë e Ahmet Zogut e të përkrahësve të tij. Pas ca ditësh, pikërisht më 10 qershor, rreth dy mijë kryengritës hynë në Tiranë. Ata populli i priti me entuziazëm e me brohoritje. Tribuni Popullor, me një largpamësi prej një demokrati revolucionar e kuptoi me kohë dhe e porositi Fan Nolin se: “Ne kjoftë se don me mbajt vendin duhet të qitesh konopin për parinë!”.

Me ta, në të gjitha këto veprime luftarake, duke u shquar për trimëri të rrallë e syçeltësi prijatari, ishte edhe Shpend Balia, i cili atje qëndroi për nëntë muaj rresht…

Pas dështimit të Revolucionit, përkundër të tjerëve që u arratisën jashtë vendit,  Bajram Curri vendos të tërhiqet në Malësi dhe të qëndrojë maleve të vendlindjes së vetë të dashur e të paepur. I shtrënguar nga dimri i vështirë, i shpërndanë shumicën e shokëve dhe me një grup të vogël strehohet në Shpellë të Dragobisë, duke qëndruar deri më 29 mars 1925, kur edhe bie si burrat e motit…

Shpend Balia tashmë kishte bërë emër dhe si bashkëpunëtori më i ngushtë i Plakut të Maleve, ishte në qendër të vëmendjes së forcave serbe e atyre reaksionare të vendit. Një ditë, sa ishte gjallë Bajram Curri, Prefektura serbe e Gjakovës kishte dërguar njerëz tek ai, duke i premtuar para e grada, për zbulimin e babait tropojan. Ah, sa trutharë ishin treguar zuzarët! Vatani nuk shitet me lekë!- ua kishte kthyer atyre me qesëndi. Por, mjerisht, pas pak, forcat e Cana Begut e arrestojnë dhe e mbajnë të burgosur për disa ditë në Krumë.

As me sistemin zogist, që me ndihmën e Serbisë u kthye në pushtet, kurrë nuk u pajtua Shpend Balia. Shtëpia e tij sërish u shndërrua në bazë të fuqishme organizative, sepse siç thotë Isa Breçani:

Kush ish streha dhe burrnia?

Në Murataj Shpend Balia.

***

Edhe pas çlirimit të vendit u përpoq të ndihmonte në mirëvajtjen e punëve në ndërtimin e vendit, duke dhënë mendime, sugjerime, këshilla…Dorën në zemër edhe udhëheqësit e vendit e udhëheqësit e pushtetit e nderonin dhe e çmonin këtë atdhetarë të madh.

Vetë kryetari i shtetit, Enver Hoxha, kur më 1952 erdhi në Tropojë e takoi Shpend Balinë. Ai madje e thirri edhe në Tiranë, në kabinetin e vet dhe, meqë i kishte kaluar të nëntëdhjetat, e quajti Babë, në vend të Bajram Currit.

Një ditë të zymtë të vitit 1957, në moshën 92 vjeçare, na e la shëndenë ky atdhetar trim, i sinqertë, i pastër dhe shumë i ndershëm. Trupi i tij i pajetë u paqëtua dhe sot pushon në varrezat e fshatit Margegaj. Në murin e shtëpisë së tij është vendosur një pllakë me këtë mbishkrim: “Shtëpia e patriotit Shpend Balia ishte një ndër bazat më të rëndësishme të heroit të popullit Bajram Curri”. Edhe tek Gurët e Bali Arifit, aty ku nisi revolucioni demokratik borgjez i vitit 1924, është ngritur një lapidar lavdie.

Në nëntor të vitit 1984, Enver Hoxha, familjes së tij  i ndau mirënjohje: “Si shenjë kujtimi për patriotin dhe luftëtarin e çështjes së lirisë së Atdheut dhe të popullit, Shpend Balia”.

            Kujtimi për këtë burrë të madh malësie nuk shuhet dot. Ai rron në këngë, në libra e në zemrat e njerëzve. Matish Gjeluci, pos tjerash, shkruan:

 

 

Kulla e tij një kullë bujare

Gjithmonë njoftë për besë shqiptare

Strehoi brenda trima dai

Që dhanë zemrën për Shqipni

Mik bash mik n’atë shpi prej guri

Qëndroi trimi Bajram Curri

Sadik Rama e Qerim Uka

Që aq hije u kishte pushka

E Mursel e Halit Ahmeti

Sadik Lutani vetë i treti

E kaq trima e trima të tjerë

Që qëndruan gjithmonë me nder…

 

* * *

 

Dhe, sot, Kulla e këtij trimi, që mezi rri në këmbë nga mosha e vitet, por edhe nga dridhjet e tokës që i kanë plagë të reja, ka nevojë për përkujdesje institucionale shtetërore…

Kjo shihet edhe nga fotot që i bëri mjeshtri i fotografisë, gazetari Rexhep Rifati, gjatë vizitës që i bëmë në kuadër të Ekipit të Platformës “Prointegro.ch” e ku na priti pinjolli i kësaj dere fisnike e trime, veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, z. Shpend Bisheva!