Bedri TAHIRI: “RRËFIME NË VETËN E PARË”

 

Botim i ri

Sot, më 23. 9. 2021, doli në dritë libri im  “RRËFIME NË VETËN E PARË

Botues: Lena Graphic Design

Redaktor: Prof. dr. Adem ZEJNULLAHU

Recensent: Prend BUZHALA

Konsulent: Fatmir MINGULI

Lektor: Driton TAHIRI

Përgatitja kompjuterike: Venera ALSHIQI

Dizajni: Rrezart FEJZULLAHU

Sponsor: Prointegra.ch 

                 Recension

         Prend BUZHALA

NGA JETËSHKRIMI PERSONAL DERI TEK AI HISTORIK

Libri “Rrëfime në vetën e parë” (Pjesë jetëshkrimi), i Bedri Tahirit, nis e përfundon me Pjesën e parë: Paralufta. Më saktësisht, autori rrëfen për vetveten, duke i dhënë librit trajtën autobiografike, mu ashtu siç e sugjeron vetë kjo fjalë (ta shkruash jetën me dorën tënde, jetëshkrim autorial), porse, përtej një shkrimi të rëndomtë autobiografik, në vepër thuren e gërshetohen edhe forma tjera, siç janë rrëfimi autorial, kronikat e kohës, shkrimi i etnogjenezës familjare, dromca etnografike e folklorike, trajtat e letrës etj.

Po qe se autobiografia përkufizohet si rrëfim i një individi, rreth asaj që ka ndodhur gjatë jetës së tij, të kaluarës së familjes, prejardhjes, fëmijërisë, rinisë; më saktësisht, siç e përkufizon Fjalori ynë; “Jetëshkrimi i një njeriu, i hartuar nga ai vetë”; atëherë gjithsesi që ky shkrim autobiografik shfaqet i plotë, për periudhën, siç e përkufizon autori: “Paralufta”. Vërtet, ne ende epokat dhe periudhat historike, i matim me kufij kohorë që nisin e përfundojnë me një luftë.

1. Konteksti kohor i librit

Ashtu sikundër dihet, shkrimi autobiografik gërsheton historinë me letërsinë, domethënë, si te kjo vepër, gërshetohen rrëfimet për ngjarje të ndryshme shoqërore, politike, arsimore, kulturore etj., që ndërlidhen me jetën e autorit e në të cilat protagonist, dëshmitar e pjesëmarrës në to është vetë ai. Nuk është e habitshme, prandaj, përse, në këtë kuadër, hasim edhe tekste biografike për familjarë apo për figura historike, rrëfime që shoqërohen me kronika e kujtime e që e përplotësohen në mes tyre.

Ndryshe nga autobiografët e Perëndimit, që merren më shumë me botën e tyre intime, ky libër këtë botë të brendshme e jep vetëm në ndërlidhje me punët në familje apo në arsim, për t’ia lënë vendin mbizotërimit të teksteve me prirjet për njohje shoqërore, historike apo të rrethit familjar e të atij të vendlindjes.

Thuhet që i pari që e përdori termin autobiografi, ishte Robert Southey, në një gazetë anglo-saksone, në fillim të shekullit të 19-të; porse shkrime me këtë karakter kishte pasur edhe në shekujt e hershëm (le ta përmendim veprën e njohur të Shën AugustinitRrëfimet”, e botuar në shekullin V të erës sonë, e përkthyer edhe shqip).

Bedri Tahiri i përmbahet kërkesës së këtij zhanri: që aspektin subjektiv, personal, ta ndërlidhë me atë objektiv, historiko-shoqëror, me kërkesën për të qenë sa më realist. Madje, kur është fjala për të rrëfyer për vetveten, ai kursehet, duke ia lënë hapësirën modestisë, ose dëshmisë së të tjerëve për të (siç janë shënimet a dëshmitë e profesorëve, nxënësve, letrave etj.). Madje, pos kërkesës këmbëngulëse për të qenë sa më realist, ai ia lë vendin dëshmisë për ta bindur lexuesin në ndershmërinë e tij, më mirë: për ta bindur lexuesin që t’i besojë autorit, edhe kur shkruan tekste me theks lirik apo intim.

Libri “Rrëfime në vetën e parë” vjen në një kontekst kohor që shënjon shumëfish jetën e autorit: në kapërcimin e 65-vjetorit të tij (të daljes në pension) dhe në përjetimin e shumë përvojave jetësore e shoqërore, e sidomos të përvojave në lëmin e shkrimit.

Nuk është e habitshme përse, me pak fjalë, me sinteza të thukëta e kuptimplote tekstuale, vijnë paraqitje rrethanash shoqërore, politike, historike, ekonomike, familjare etj., që e kanë kushtëzuar jetën e tij, që kanë lënë gjurmë te ai apo që lidhen me breza e me një komb të tërë. Madje, kërkesa që vetveten të mos e shohë asnjëherë të shkëputur nga interesat madhore të kombit e nga fati madhor historik i këtij kombi, shquhen nga faqja në faqe.

Duket sikur autori i përmbahet kërkesës së një autori e shkrimtari anglez, Evelyn Waugh: “Mos e analizoni veten. Jepni faktet përkatëse dhe lërini lexuesit tuaj të bëjnë gjykimet e tyre. Rrini në historinë tuaj. Nuk është lënda më e rëndësishme në histori, por është një temë për të cilën ju jeni të kualifikuar në mënyrë unike për të folur.”

 2. Makrostrukturat e mikrostrukturat tekstuale

Në libër shfaqen e shqiptohen makrostruktura dhe mikrostruktura tekstuale, nën referencat e treguesve diskursivë (shkrimi diskursiv nuk është imagjinatë, si letërsia, por tekst jo letrar, siç janë tekstet “objektive”, që nga shkenca e deri te mediat). Për t’i dhënë ton objektiv strukturave të tilla, ai sikur na e dërgon në ndihmë që në fillim thënien e  Dritёro Agollit: “Nёse nё letёrsi nuk hyn dhe jeta jote, atëherë ti nuk  di ç’tё shkruash”.

Kësisoj, edhe renditja e teksteve ka vlerën e vet: nis me shkrimin e trungut familjar “IM GJYSH, TAHIR TAHIRI (1894-1958)”, me evokimet historike për Epopenë e Arbërisë së Vogël:

“Dhe, nuk shkoi shumë gjatё e Arbëria e Vogël u dogj flakë. Tahiri atë ditë, meqë ishte festa e Bajramit tё Vogёl, kishte shkuar në Çubrel, tek e motra, Hamidja, e cila ishte e martuar për Shaban Çitakun. Kur kishte krisur topi i parë, ende pa aguar, ai kishte bërë brof nga shtrati dhe kishte britur: “Ah, medet, medet, dreqi më çoi me ardhë këtu, sot mbaroi Galica ime! “

Që në fillim na vijnë paraqitje dokumentare me rëndësi historike për betejat, masakrat serbe, rëniet, heronjtë, dëshmorët, për qëndresën etj., e që janë jehonë shkrimesh nga librat e përparshëm autorialë (që nga luftërat e Azem Galicës, Ahmet Delisë, Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, Tahir Mehës e deri te kjo e fundit e Adem Jasharit).

Në të vërtetë, fshati Galicë, vendlindja e autorit, është edhe vend historik e qendër e këtyre betejave dhe trimave që lanë gjurmë në histori. Kësisoj, Ndërmjetëzat lexohen edhe si tekste paralele:

“Ndërmjetëza 1

Im gjysh, Tahiri, sa ishte në frontet ruso-turke, kishte parё e dëgjuar se si shkruanin gazetat e si komentohej lufta e Azem Galicës. Njё ditё, njё oficer turk, me gazetё nё dorё, nё tё cilёn shkruante se Azem Galica po fluturon, e kishte nxjerrё kёtё nga rreshti, meqё e dinte se ishte i kёsaj ane,  dhe e kishte pyetur:

      -A ёshtё e vёrtetё se Azem Galica fluturon me gjithё kalё?

       -Jo, ore, jo, unё e njoh mirё, edhe ai ёshtё njeri i zakonshёm si tё gjithё ne, veçse ёshtё trim qё nuk e duron tё huajin nё vatёr  dhe  mbi tё gjitha e do lirinё- i kishte thёnё ky gjakftohtë.

        -Po, edhe nëse fluturon dhe e ha hekurin me dhёmbё, more qafir, do ta kapin tё gjallё!- ia kishte kthyer oficeri i xhindosur pёr zhvlerёsimin e lajmit gazetaresk nё sy tё tё gjithёve.”

Autori evokon lindjen e tij përmes faktit historik:

       “Viti kur unë erdha në këtë botë, qe shumë i rëndë për shqiptarët e Kosovës.

Ishte fillimi i dimrit tё egёr tё 1956-sё, kur aparatura shtetërore serbosllave e udhëhequr nga satrapi serb Aleksandër Rankoviq si lukuni ujqërish ishte lëshuar tërbueshëm mbi vatrat tona stërgjyshore. Aksioni famëkeq, i njohur si Aksion i mbledhjes së armëve, la gjurmë të pashlyera e plagë të pashëruara kudo në Kosovë.”

Më tutje autori evokon shkollimin e tij, që nga fillorja e gjimnazi deri te studimet, martesën dhe punësimin si mësimdhënës dhe punën e tij si profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Evokohet “Pranvera Studentore ‘81”, kurse te pjesa “Pushka që theu mitin serb”, autori shënon:

“Më 13 maj 1981, mu në ditën e policisë jugosllave, trimi i Prekazit, Tahir Meha me babë Nebihun i dhanë mësim të mirë Serbisë dhe gjithë serbosllavisë, duke ua qëndisur në lule të ballit policëve që guxuan të shkelnin në pragun e tyre. Pushka e tyre ua ndali hovin bastisjeve dhe maltretimeve që bëheshin shlirshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve.”

Nga përjetimet në familje evokohet vdekja e gjyshes, me përshkrime përplot përjetime të pasura e domethënëse, diferencimi ideopolitik i viteve ‘80, pastaj evokohen rezistenca e minatorëve, lëvizja politike e viteve ‘90, helmimi i nxënësve në mars 1990, shtëpitë shkolla, si realitet i ri historik, për të cilin autori shkëput këtë vlerësim:

Arsimi shqip në Kosovë, përkundër vështirësive dhe represionit serb, po mbijetonte dhe po qëndronte vertikalisht. Mësimdhënësit dhe nxënësit e papërkulur morën përkrahje edhe nga populli.”

Me vlerë është dhe evokimi personal i botimit të librit të parë:

         “Në vitin 1995, në kohën kur çdo gjë shqiptare po ngulfatej nga barbaria serbe, unë sikur po sfidoja kohën zezonë. I riu si veriu, thoshin shkodranët mendjehollë. Me një krah letra nën sqetull ia mësyva kryeqendrës. E takova Sabit Jahën dhe shkuam e zumë vend në një kafene, nën Gjimnazin “Xhevdet Doda”.(…)

Bërja e librit të parë ishte histori në vete. Edhe dashuria për të ishte e jashtëzakonshme. Ishte si dashuria e prindit për fëmijën e parë. Shita çka pata të vlefshme për ta hedhur në dritë atë histori. Askush nuk ma zgjati dorën, përveç kolegëve. Ata, që të gjithë, bënë parapagimin e librit, kështu që, edhe më ndihmuan materialisht edhe më stimuluan moralisht.

Kur doli libri “Azem Bejtë Galica” bëri bujë të madhe. Bartja e tij nga shtypshkronja u bë në mënyrë klandestine, në thasë buke e në pako bananesh.  Natën që doli, që pa gdhirë, ca nxënës të mi, tashmë studentë, Arbeni, Hamiti etj., dhe kushëriri Xhevat Shabani, i mbushen thasët dhe nëpër policë e udbashë i nxorën nga Prishtina. Të gjithëve u jam mirënjohës!”

Në fund vjen evokimi i krijimit të UÇK-së dhe bërësit e asaj lufte të drejtë çlirimtare.

3. Kujtesa dhe dëshmia

Nëse tekstet autobiografike shkruhen në dy mënyra: në mënyrë ciklike (pa nisur “nga fillimi”, por nga mosha e pjekur e deri te fëmijëria etj.) dhe në mënyrë lineare (jeta rrëfehet që nga fëmijëria për të arritur deri te pjekuria), atëherë kjo autobiografi  i takon llojit të dytë. Ndërkaq, për t’i dhënë një trajtë më komplekse veprës, autori fut tekste që i quan Ndërmjetëza (ndryshe, si ato tekstet me intermedium apo intermexo) e që janë dromca etnografike, anekdotike, folklorike, madje edhe leksikore, onomastike etj., me mjaft interes, por që lexohen në kuadrin e veprës.

Së këndejmi libri merr vlera të shuara të mbarështrimit të tekstit objektiv, zhdrivillues e narrativ, tipike për personalitetin e këtij autori. Libri na e jep atë që autori i konsideron kulme të jetës së tij e të kujtesës së tij, mu ashtu siç do të thoshte Benjamin Franklin:“Një autobiografi zakonisht nuk zbulon asgjë të keqe për shkrimtarin e saj përveç kujtesës së tij.”

Nuk është thënë më kot që një autobiografi është edhe burim historik me vlera të mëdha, për ta treguar realitetin historik të shoqërisë ku bën pjesë autori. Edhe kur jepen informatat personale konkrete; apo tekste lirike, tekstet e dromcat etnografike e kronikale të ndërmjetëzave, të monologëve të beftë apo dialogëve të mprehtë e shënjues; ato i nënshtrohen përforcimit të kontekstualizimit shoqëror e historik.

Rrjedhën e përjetimeve dhe të kulmeve të jetës së tij, autori e sheh në ndërlidhje me atë shoqërore, si momente të zëna dëshmie e kujtese. Dhe autori ka se çka të kujtojë e të dëshmojë.

Qershor 2021