Bedri TAHIRI: PASQYRIMI ARTISTIK I TRAGJEDISË SË TIVARIT

Duke lexuar romanin e Ibrahim Kadriut “KAPËRCIMI I UJIT TË MADH”
Nje libër që lexohet me një frymë dhe të lë pa frymë e gjumin ta largon si me magji, padyshim është romani “KAPËRCIMI I UJIT TË MADH” i shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriu.
Tema e romanit, shumë kohë e heshtur, tashmë është e njohur nga të gjithë: Tragjedia e Tivarit, varrit më të madh të shqiptarëve në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Këtu, më mirë e më qartë se nga të gjithë librat e deritashëm të historisë, do të mësosh ngjarjet e kësaj tragjike kombëtare. Gërshetimi i natyrshëm i fakteve historike me imagjinatën e bujshme të autorit, ka dhënë tablo të gjalla të një tragjedie shfarosëse që gjakatarët ardhacakë ushtruan mbi shqiptarët autoktonë.
Kjo kasaphanë ngjau në sy të të gjithëve, që, për çudi, sikur nuk e panë. Pena e mbrehtë e këtij romansieri të sprovuar, depërton deri në palcë të kësaj drame kolektive e individuale, me shumë akte e skena tmerruese, duke na e dhënë një pasqyrë të atij realiteti, që mendjet e kthjelluara civilizuese as që mund ta imagjinojnë. E gjithë kjo atmosferë mbytëse jepet përmes protagonistit Barmal Brezit, një tip letrar që denjësisht përfaqëson gjithë viktimat e atyre fatmjerëve që u detyruan ta marrin “rrugën e vdekjes”. Ky udhëtim i dhunshëm drejt vdekjes, bëhet edhe më i rëndë, gjatë kalimit nëpër tokat shqiptare, ku, edhe vëllezërit ishin mbushur me një urrejtje të paparë, yshtur nga cerberët e përtej Tunës dhe mllefin e tyre e shfrenin në forma të ndryshme…
Gjatë kësaj golgote që përjeton Barmali, me gjithë ata të rinj fatzinj, ne, mësojmë e ç’nuk mësojmë. Që nga nisja e gjatë gjithë rrugës: rrahje, fyerje, vrasje, sharje, tortura, mbytje mizore, hedhje në lumë…Paskëtaj pushkatime masive barbare e mbytje në det…Karakteri i tyre çnjerëzor zbulohet me një mjeshtri të një diskursi të veçantë të të rrëfyerit, që të ngulitet në mendje e të mbetet si një dëshmi e një kohe egërsie…
Varri i Tivarit, stërzgjatet tej e tej, deri në Dubrovnik, Trieste e gjetiu…
Fabula e romanit ngërthen në vete një shtjellim shumëdimensional. Drama kolektive degëzohet dhe shtrihet në rrafshe të tjera të dramave individuale, që e plotësojnë njëra-tjetrën.
Kryepersonazhi kalon nëpër sprova të shumta (edhe gjatë kthimit), por fati e mëshiroi dhe ia doli, mbijetoi…Përmbyllja e romanit na bën të ndjehemi më të lehtësuar nga gjithë atë drithërima: Barmali bashkohet me Yllkën, të fejuarën që e kishte lënë në shtëpi…
Mjaft interesant dhe mbresëlënës na del edhe trajtimi i fenomenit të burrëreshave shqiptare, i përfaqësuar përmes Dalushit (vajzës Fatime Hamza), që, si rekrut, kapërceu të gjitha atë peripeci, pa u hetuar e zbuluar sekreti…
Romani është mirë të lexohet nga të gjithë dhe meriton të caktohet programin e leximeve shkollore!
Urime e suksese, i nderuari Ibrahim Kadriu!
Galicë, 26 tetor 2022