Bedri TAHIRI: ME «PROINTEGREN» NËPËR TROJET SHQIPTARE

 

Foto-reportazh )

Ekip i Platformës, “Prointegra.ch”, në përbërje: Osman Osmani, president i kësaj Platforme, Hazir Mehmeti bashkëpunëtor nga Austria; Rexhep Rifati, gazetar në Zvicër,  Bedri Tahiri, bashkëpunëtor nga Kosova,  dhe Bahtir Ahmeti (shoqërues kureshtar), për tri ditë rresht, organizoi dhe realizoi me suksese vizita nëpër Trojet Shqiptare, duke u përqendruar kryesisht në Rugovë, në qytetin Bajram Curri, në Luginën e Valbonës, në Kullat e Bujanit, në liqenin Komanit, në Shkodër, në Kukel, në Lezhë, në Rubik etj.

Dita e parë: Nga Rugova në Valbonë

Sot patëm një agjendë të ngjeshur. E nisem në Rugovë, gjegjësisht në Stankaj (1649 m), në Lojërat Tradicionale “Rugova 2021”, organizuar nga: Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Bashkësia Territoriale Rugovë.

Rugova është një krahinë e vogël gjeografike dhe etnografike e Kosovës, me një reliev shumë të thyer malor, me shpate gëlqerore të thikta e gryka të thella e të ngushta erozive, midis të cilave shquhet gryka strategjike e Rugovës, e njohur si histori për betejat e shumta kundër pushtuesve të huaj, për të cilat edhe ka hyr në krijimtarinë tonë të pasur popullore. Banorët e Rugovës kanë tradita të shquara të luftës për liri dhe pavarësi.

Njëri nga fshatrat e saj me traditë e taban kombëtar është edhe fshati Stankaj me trimat Qel Shabani, Ker Sadrija, Zhuk Haxhia etj., ku edhe po mbahej manifestimi me një kolorit të mahnitshëm kulturor-etnografik-tradicional, ku u shpërfaqen me një origjinalitet të natyrshëm lojëra të ndryshme, valle e muzikë…

Lugina e Valbonës- kjo perlë shqiptare

 Rrugën për në Bajram Curr e përshkoi si me krah dragoi vetura që e niste kryetari i Platformës, Osman Osmani. Atje na priti me nga një kafe tradite, miku im i vjetër, veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, Shpend Bisheva, stërnip i atdhetarit Shpend Balisë, i cili paskëtaj u bë udhërrëfyes i udhëtimit tonë gjatë gjithë rrugës gjarpërore përgjatë rrjedhës së lumit Valbona…

Për pak çaste ndalojmë në Mragegaj, tek Kulla e njohur e Shpend Bali Bishevës, e cila për shumë kohë kishte qenë bazë e atdhetarizmit dhe e burrave të mëdhenj të kohës: Bajram Currit e Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës…Aty kishte zënë fill Revolucioni i  Qershorit 1924.

“Hasan Prishtina ka ardhur disa herë në shtëpinë tonë, te Shpend Balia, në Margegaj. Mbasi është djegur Malësia dhe shtëpia jonë në atë kohë, ka ardhur Hasan Prishtina te na, në Margegaj ku e kishin mbulue vetëm plemen sa për të futur  kokën. Hasani kishte disa shokë me vete nga Drenica e nga Vushtrria. Në atë kohë në shtëpinë tonë ishte edhe Bajram Curri, me të cilin gjithë natën biseduan e biseduan,-  rrëfenin pinjollët e kësaj familje atdhetare…

Dhe, posa kalojmë Margegajn, takohemi me lumin gurgullues e më të kthjelltë se loti, Valbonën. Tutje, në përrua duket Mulliri i Bajram Currit e lart, në gjysmëkodër Kulla e Haxhi Zekës…Aty nisin fshatrat Koçanaj, Shoshan (Vrella e Shoshanit është më e njohura në Ballkan), Klysyrë, Dragobi, Valbonë, Rrogam Shale, Çerem…     

-Lugina e Valbonës kap një sipërfaqe prej 800 hektarë dhe është shpallur Park kombëtar,- nis shpjegimin Shpend Bisheva. Ky territor, që shtrihet përgjatë lumit Valbona, përbëhet prej 10 fshatrave me mbi 4000 banorë që kryeqendër kanë Margegajn.

  Ecim e shohim. Ndalojmë në Dragobi. Në të mëngjër, tej lart, puqur me qiellin, Majat e Hekurta. Poshtë tyre, tek një thep, Shpella e Bajram Currit. Në një lendinë bri lumit ende gjallon lapidari i tij. “Atëbotë nuk kishin lejuar që ky burrë të varrosej këtu, andaj e kishin dërguar në Krumë. Madje, thuhet se malësorët trimin e tyre e kanë dërguar ashtu në këmbë, duke e mbajtur përkrahësh që mos të vërehej se ka vdekur”, -më pati rrëfyer vite më parë, Selim Musaj (tashmë i ndjerë). 

         Ndalojmë edhe në hyrje të fshatit Valbonë, aty tek një pllakë përkujtimore, ku lartësohej heroizmi i trimit të këtij fshati, Zhukë Haxhisë, i cili me pak shokë e me motër Shkurte Sherbetaj, u bëri ballë forcave të shumta serbo-malazeze në tetor të vitit 1912.

         Në mesin tonë edhe plaku i urtë, Imer Selimaj, pinjoll i atdhetarit, Mushak Haxhi Selimaj, me të cilin rikthehemi tej e tej në kujtesën historike…

…Vendosja e pushtetit malazez edhe në Valbonë ishte përcaktuar si objektiv i ekspeditës ushtarake e planëzuar të kryhej me datë 23 tetor 1912. Prandaj sulmi i parë mbi Valbonën u krye prej 25-27 tetor (1912). Pra rreth një muaj para shpalljes të pavarësisë të shtetit shqiptar. Sulmin mbi Valbonën e komandoi gjenerali malazias Radomir Veshoviq, i cili në një dokument shkruan “Kam nderin t’ju njoftoj se, pas një qëndrese të fortë, e dogja Valbonën”.

Gjenerali Veshoviq, i cili komandonte forcat më të egra dhe të ashpra malazeze, kishte tentuar ta thyejë vendosmërinë e luftëtarëve të Valbonës nëpërmjet negociatave me prijësin e tyre Mushak Haxhia, duke i propozuar që të bëheshin edhe vëllezër gjaku dhe të dorëzoheshin vetëm shtatë pushkë, në shenjë marrëveshjeje. Por, kot. Mushak Haxhia dhe Selimajt i përgjigjen prerë “Jo shtatë pushkë, por as shtatë huaj gardhi, as shtatë gur zalli dhe as shtatë fije bari edhe pse kam boll, nuk ke për t’i marrë. Ky vend kurrë nuk ka me kanë i shkjeve por ka me kanë vetëm Shqiptari deri në ditën e kiametit”.  Dhe, plasi Lufta e Valbonës, e cila i dha emër këtij vendi e ku vajti në përjetësi edhe Mushak Haxhia me trima të tjerë…

      Në Rragam është Fusha e Gjesë, ku ka zënë të lulëzoi turizmi. Aty pranë edhe Krojet e Orëve (sot Krojet e Rragamit). Burimi i Valbonës është pak më lart, thonë vendësit. Fill pas burimit fluturon në një ujëvarë mbi 50 m të lartë, humbet në zallishtën e Rrogamit për 5 km dhe riburon në Valbonë. Herë e qetë herë e zhurmshme në zbritjen e saj përgjatë luginës për t’u shtruar përfundimisht pas kanionit të Shtrejtit.

            Dikur moti, këndejpari kalonte rrugë e vjetër tregtare: Has-Valbonë-Theth-Bogë-Zagor-Shkodër, e cila, me bagëtinë për shitje nuk mund të kalohej pa tri ditë udhëtim…

            Tek darkonim me ushqime tradicionale e dielli ishte rrokullisur në theqafje pas kodrave kokëbardha (ende me borë), ia hedhim një sy edhe majës më të lartë, Jezercit kësulëbardhë (2964 m)

 Dita e dytë:  Kullat e Bujanit- Krenaria e shqiptarisë

 Paradrekën e planifikuam për Bujanin historik. Aty kemi historinë vetë. Mençurinë dhe trimërinë. Brezi brezit amanet. Tri kulla që flasin shumë: Kulla e Binak Alisë, Kulla e Mic Sokolit dhe Kulla e Konferencës së Bujanit.

Pasi përfunduam vizitat në kullat e Bujanit, vazhduan me traget Fierzë-Koman, ku për rreth tri orë shijuam bukuritë përrallore, krijuar nga nëna Natyrë,

Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin, që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona. Shtrihet në një sipërfaqe prej 34 kilometrash, nga fshati Koman gjatë gjithë rrugës deri në Fshatin Fierzë. Ky liqen është shtëpia e 13 specieve të ndryshme të peshkut dhe amfibëve.

Diga e Komanit, është ndër 10 digat më të larta të këtij lloji në Evropë, me lartësi 133 m dhe gjatësi 290 m dhe ka krijuar një liqen me volum total prej rreth 500 milion m3 …

Udhëtimi përgjatë liqenit nga Komani deri në Fierzë zgjat më pak se tre orë dhe konsiderohet si një nga përvojat më unike të përvoja të udhëtimeve në Shqipëri! Udhëtimi me traget na ofroi panoramën më të mrekullueshme të kësaj natyre të paprekur që rrethon liqenin. Një erë e fortë na krijonte përshtypjen se po udhëtonim nën zërin magjik të Lugut të Zanave, që më ngjasonte me udhëtimet e Odiseut në Ishullin e sirenave vdekatare. Me një natyrë  mahnitëse,  thyerjet e shkëmbinjve dhe bukuria e shpateve të veshura me gjelbërim, e rrethuar nga kanione, pamja nga trageti është thjeshtë një parajsë në tokë.

Dhe, e gjithë kjo panoramë mahnitëse e kësaj natyre të virgjër, përjetësohej në syrin e aparatit fotografik të mjeshtrit të madh të fotografisë, artistit të palodhurit, gazetarit me përvojë, z. Rexhep Rifati…

 Për tu çlodhur nga rruga e mundimshme që bëmë nga liqeni deri te Vau i Dejës, drekuam  shijshëm, në Kompleksin turistik «DEA».

Mbrëmjen e shijuam në Djepin e Kulturës Shqiptare, në Shkodrën heroike, me Gjergj Fishtën, me Migjenin, me Marubin…

Natën do ta kalojmë nën melodinë dehëse të valëve të Adriatikut, në Velipojë…

 Dita e tretë: në «Qendra Muzeale të Mjedës»dhe Memorialin Skënderbeut në Lezhë 

Kërshëria e mërgimtarëve (Rexhep Rifati, Hazir Mehmeti, Osman Osmani), po edhe jona (Bahtir Ahmeti, Bedri Tahiri), në kuadër të Ekipit të Platformës Prointegra-ch, kurrsesi të ngopet me bukuritë përrallore e begatitë historike-kulturore të Trojeve Shqiptare.

Ditën e tretë e nisem mirë e mbarë, duke marrë freskinë e valëve të Adriatikut që me agun e kristaltë.

Vizitën e parë e bëmë në fshatin e fundit të Shkodrës, në Kukel, në «Qendra Muzeale e Mjedës», aty ku poeti, meshtari, e atdhetari ynë i madh, Ndre Mjedja kaloi vitet e fundi t ë jetës, ku na priti me përzemërsi Gjon Mëhilli, duke na shpjeguar e duke na i vënë në dispozicion të gjitha materialet e artefaktet e këtij dijetari e atdhetari.

Lezha e historisë, e traditës, e burrërisë, e lashtësisë, për të satën herë, na i hapi të gjithë dyert e Muzeumeve Kombëtare: Memoriali Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Përkujtimorja e Kuvendit të Lezhës dhe  Muzeut Etnografik. Nga ky i fundit u ndamë shumë të kënaqur, ngase, ishte mjaft i pasur dhe se ciceroni, një djalosh i zgjuar, me një oratori të shkëlqyer, na dha informacione të mjaftueshme për çdo gjë që na interesonte.

Dhe, pas një lodhjeje nga vapa përvëluese e nga ngarendjet tej e tej gjurmëve të historisë, drekë, pushim e çlodhje, gjetëm nën hijet e bukura te restorantit “Uji i Ftohtë” në Katundin e Vjetër të Rubikut…

Sa bukuri!

Mrekullia vetë!

Përjetim emocional, kënaqësi shpirtërore, frymëzim për ardhmërinë!

Urdhëroni e vizitoni këto perla artistike që vetëm Nëna Natyrë ka ditur t’i krijoi me aftësinë e vet gjeniale prej shekujsh e për shekuj!

Teksti: Bedri Tahiri & fotot: Rexhep Rifati