Bedri TAHIRI: MË E SHTRENJTË ËSHTË LIRIA SE JETA

             

        (Të pandarë deri në përjetësi)

 Luftë…luftë…luftë…dhe prapë luftë.

Një emër që denbabaden na përcolli nëpër vite e shekuj. Për të, më mirë se librat, flisnin pleqtë përvojëhidhur.

Por, kot. Mendja jonë sikur nuk i kuptonte dot. Ende nuk besonim se mësuesja e jetës qenkësh hileqare e madhe dhe shpeshherë nuk treguaka të vërtetën! Ende nuk e keni provuar shkaun, se ndryshe do të flisnit,- thoshin ata, duke dredhur kokën me habi e duke ofsharë thellë…

Dhe, së fundi, u bindëm. Edhe vetë e provuam atë të zezë. E përjetuam një luftë të ndyrë, që, pos në mesjetë, zor të ketë ngjarë ndonjëherë…

Shenja ndjellakëqija

E martë, 22 shtator 1998. Gjyshja, ndjesë pastë, gjithmonë thoshte se e marta është përplot të liga dhe fort ia kishte drojën, sa s’prekte punë me dorë pasdrekën e saj. Ne qeshnim pa të drejtë, duke e marrë si besëtyte. Edhe agu i kësaj dite nisi fare ters. Tri të martat zemërake na kishin mallkuar rëndë. Nata barrsë polli lubinë me barkun e pangopshëm shekullor. Dheu u trand fuqishëm…

Rrezet e purpurta të diellit herak mezi depërtonin në thellësitë e lugjeve të trazuara të Qyqavicës mitike. Edhe mrizet e qeta të Krojeve të Bardha ishin zgjuar beftë. Po zanat flokëgjata ku ishin që nuk po dukeshin gjëkundi. Mbase strukur mes shkëmbinjsh të thepisur pas shkurresh të dendura mbanin vesh se ç’po ngjiste. Edhe dielli ishte hutuar, nuk bënte dot tutje…

-Të zhduket me gjithë rrënjë farë e mallkuar e UÇK-së!- kishte urdhëruar kryesatanai fytyrëprishur Milosheviq, para se ta nënshkruante marrëveshjen me ambasadorin Hollbruk. Dhe vartësit e tij besnikë nisen operacionin famëkeq me emrin „QYQAVICA“, të planifikuar mirë e mirë një kohë të gjatë. Mbi njëzet e pesë mijë trupa; policë, ushtarë, oficerë, paramilitarë dhe vullnetarë serbë, të mobilizuar edhe me dhunë, me tërë makinerinë e arsenalin e armatimit, u vërsulën mbi zemrën e Kosovës, mbi Drenicën dhe Artakollin. Nga çdo anë, nga Mitrovica, nga Skënderaj, nga Gllogoci, nga Obiliqi dhe nga Vushtrria hijet mortore marshonin me tanke e topa, me hanxharë të helmatisur e me unza të ndezura në dorë drejt Qyqavicës…

Dhjetëra e dhjetëra fshatra u gjetën në rrethim të hekurt. Popullsia e pambrojtur u trazua keq. Të hutuar e të lebetitur morën kokën në dorë, kah sytë këmbët. E ku të shkonin fatzinjtë ? Predhat e granatat plasnin kudo, mbi çati, nëpër oborre e mbi plevica që merrnin flakë furishëm. Një rrugë e vetme kishte ngelur, ajo që të shpinte në Qyqavicë.

Akrepat e orës rrotulloheshin mërzitshëm. Qielli përflakej në kryqëzim betejash e fatesh mjerake. Shqipet e lirisë qëndronin të patundura maje kreshtash. Zanat faqekuqe braktisen mrizet hije thella dhe ua mjekonin plagët trimave, që përballeshin fytas me të keqen. Qumështi i tyre, i bardhë si bora, u jepte fuqi. Edhe me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë në shtat, ata vazhdonin betejat për jetë a vdekje. E ku kishte nder më të madh sesa të biesh në fushën e nderit, në betejat për liri…

Po Guri i Plakës ç’kishte vallë që rrite si mumie e shushatur?

Ah, i shkreti, nuk kishte edhe faj! Shenjat që vinin nga maja e Kosmaçit ishin ndjellakëqija. Drejt tij ishte sulur lubia shumëkrerëshe. Kjo nuk i kishte ngjarë kurrë! Mjaft kishte parë, dëgjuar e përjetuar. E kishte përcjellë edhe Millosh Kopiliqin kur qe nisur për ta ther sulltanin sedërmadh. Kishte përjetuar betejat e Azem Galicës, Lec Gradicës e Zenel Baicës. Por, sot ishte krejt ndryshe. Këtu po ngjiste hataja. Toka shkundullohej si nga tërmeti shumëshkallësh. Edhe këmbët e tij, shtatë pash nën dhe po i dridheshin. Dragonjtë i kishin zënë pritë kuçedrës që kishte mësyrë ta çnderonte virgjëreshën Qyqavicë…

Kuvendimi

-Oj Xheva e Abdyl Krasniqit, unë Azem Galicën e prita me vite derisa theu burgjet e kralit serb. Por kur u bashkuam, më nuk u ndamë kurrë. U bëmë shokë jete e shokë lufte. Disa në fillim më shikonin vëngër, por shpejt u penduan. Zhvilluam mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare. Edhe kur vajti në atë botë, vetë e përcolla. Me duart e mia e lëshova në shpellën enigmatike “Çuku që kërcet“. Ashtu meritonte ai, një varr të thellë, më të thellin në botë, që dora e shkaut të mos e prekte as për së vdekuri. Ai ishte amaneti i tij i fundit dhe ia plotësova, mori Xhevë Krasniqi, e pastaj vazhduam betejat nën thirrjen e njohur: O prite, prite Azem Galicën!…

-Edhe unë veprova ashtu, e prita burrin tim, Fehmiun, që po të njëjtit armiq e dënuan njëmbëdhjetë vjet burg, mori Shotë Galica. E prita në shtëpinë e tij, në Gllanasellë. A ka ngjarë kjo ndonjëherë, oj dada Shotë?! Ndoshta kurrë, as në legjenda, por ashtu kisha vendosur. Drenica nuk më mbajti mëri, as zanat nuk thanë nuse pa dhëndër! Ah, për pak harrova të të them se eshtrat e Azemit nuk i mbajti shpella. Ata morën krahë dhe shkuan në Galicë, aty te themelet e kullës, ku e patët thurur epopenë e lavdisë më 1924. Aty, në obelisk, trimi pret që një ditë edhe ti të fluturosh nga Fushë-Kruja e prapë të bashkoheni për të mos u ndarë kurrë, oj Shota e Azem Galicës…

…Profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Xhevë Krasniqi, nuk po ecën në vijë të mbarë. I ati, Abdyli, është element turbullues. Ka nxjerrë eshtrat e Azemit dhe është dënuar disa herë. E tillë është edhe e bija, andaj s’ka vend në gjimnazin «Luigj Gurakuqi» të Klinës, shkruante, pos të tjerash, në gazetën që e lexonte Fehmi Lladrofci prapa grilash. Të lumtë!- beri me vete. Dhe, zemra i bëhej mal, sa nuk ia dinte fare për mynxyrat e qelive serbe.

Fehmi Lladrovci ishte i pathyeshëm. I lindur më 1956, në Gllanasellën heroike, që në djep u na­nuris me krisma armësh e me këngë trimërie. Tek ai, pos edukatës familjare, ku dominonin burrëria, mençuria, trimëria e bujaria, gjurmë të pashlyeshme la edhe mësuesi patriot, Fazli Greiçevci. Atdhedashurinë e kishte ideal jetësor, që as burgu serb nuk ia zvetënoi dot. Ai ideal ishte strumbullar që i bashko­nte fort zemrat e dy të rinjve… Dhe, pas katër vjetësh pritjeje besnike, zemrat e tyre u shkrinë në NJË. Të dy tok zhvilluan shumë beteja nëpër frontet kroate.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci u lind në qershor të vitit 1955, në Drenoc të Malishevës. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse gjimnazin në Pri­zren. Në Prishtinë përfundoi dy fakultete: atë të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe fakultetin juri­dik.

Gjatë studimeve u njoh me të riun Fehmi Lla­drovci. U njohën, u dashuruan dhe u lidhën rreth një ideali jetësor: aspiratës se çlirimit kombëtar. Fati i degdisi larg e më larg, ai në burg e kjo jashtë ban­kave shkollore. Dhe një ditë u bë nuse. Madje, nuse pa burrë. Kështu kalon katër vjet me babën Tush.

Më 1991, amnistia përfshin edhe Fehmiun. Bashkë kalojnë ne Zagreb. Aty formuan të ashtuquajturën Garde Kombëtare Shqiptare. As aty s’i lënë të qe­të, andaj emigrojnë në Gjermani.

  Kthimi në Kosovë

          Në mars, pas epopesë së Jasharëve, kthehen me uniformen e UÇK-së. Ata nuk patën fëmijë, por patën shume ushtarë. Dhe poeti thotë:

       Lufton Gllanasella

      dhe Llashkidrenofci,

      therret Xheva nga Shpella

      komandant Lladrovci!

      Ju nuk latë fëmijë,

      po ushtarë dyzet mijë!

 

-Mirë  se  erdhe, o Fehmi trimi!…

–   Mirë  se  erdhe, oj bija ime!…

Zërat vinin nga kulla e qëndresës. Flisnin ëmë e bir, Zahidja e Ademi…

-Të lumtë dora, bir!

-Mbahu nënë, he luaneshë! Për këtë dite të rrita bir dhe hallall të qoftë gjiri. Ashtu, të keqen nëna, ashtu qëndisjau lulen e ballit dushmanëve të pashpirt! Të kujtohet kur babai të ushtronte në qitjet me armë. Fijen e perit e këputje ende pa i mbushur pesëmbëdhjetë pranverat. Syrin pishë e pate gjithmonë. Ditën që linde ta futi armën nën jastëk. Dhe, dashuria për të s’tu shua kurrë. E doje shumë, se mungonte liria e atë e kishe ideal jetësor. Asaj rruge hatërohej vetëm përmes grykëhollës…

-Po na harxhohen fishekët, nënë!

-Të fundit rua­je për vete, bir!

-Gjithmonë të punoftë dora, loke! Sa mirë ua hodhe bombën katilëve, që tinëzisht ishin zvarritur deri të plevica. Fare nuk t’u dridh e bekuara. Dhe, talleshe me ne, jam plakur thoshe.

E ky ze, ç’është vallë? Ah, qenka zëri i Hamzës:

 

     Çka ka kulla që po dridhet?

     Azem Galica nuk po lidhet.

     Lumja kulla ko ka mrena!

     Azem Galicën me shtatë zemra!…

        Përjetësia

 Koha rridhte lumë e betejat s’kishin të ndalur. Ato nxirrnin edhe komandantët. Vjeshta solli mortje të shumta. Që ditën e parë nisi ters. Falangat e shfrenuara serbe kishin mësyrë Qyqavicën mitike. Tri ditë e tri net luftime, beteja e sakrificë mbinjerëzore. Guri i Plakës kishte ngelur pa gojë. Dragonjtë kamxhikonin kuçedrën shumëkrerëshe. Qielli i përflakur lotonte në heshtje. Trimat i pritnin plumbat me dhëmbë nëpër istikamet e përgjakura…

-O prite, prite Azem Galicën! -oshtinë shkrepat e flakëruar.

-O prite, prite Fehmi Lladrovcin! -mbajtën iso fushat e malet përreth.

Bishat e çakërdisura nxitonin pas makinerisë së rëndë shtypëse drejt Çikatovës, Gllanasellës e Dobrashecit. Trimat nuk loznin nga vendi. Ku ka ditë më të bukur se sot me vdek për atdhe! Hiç mos keni frikë, lum ai që ka nderin të bie në altarin e lirisë! Liria më e shtrënjtë se jeta!

Kështu u fliste trim Fehmiu bashkëluftëtarëve tek qëndronin nëpër istikame duke ia thënë këngës e duke i pritur plumbat me dhëmbë. Aromë e lirisë i kishte dehur deri me një. Tamam si kreshnikët e motit. Frika nuk ekzistonte atypari. Antitanku në krahun e komandantit gogësinte papra.

Dhe somnambulët e hekurt rrokulliseshin nëpër hendeqe. Në të djathtë snajperistja Xhevë ua qëndiste lulen e ballit atyre që veç pak e lëvrinin kokën. Tutje sypatrembura e Bistricës së Shalës qëllonte rrallë e për mall dhe këndonte…

Për këtë tokë nana na bani

Kurrë nuk luajmë nga istikami..

 -Të gjithë të tërhiqen sa më thellë, edhe ushtarët le të shkojnë pas popullit për t’u ndihmuar. Të gjithë, të gjithë!-u dëgjua zëri i komandant Fehmiut, pasi dielli kishte kaluar zenitin, e gjaku i shkonte rrëke nëpër gurët strallor në hyrje të istikamit që digjej flakë. Ishte plagosur rëndë, por mbahej me stoicizëm. Kapedani i mirë e braktis i fundit anijen, ose mbytet bashkë me të,- thoshte i madhi Skënderbe.

Dhe qëndronte i patundur. Shpirti po i ndjehej i lehtësuar pasi arriti ta tërheq trupin e pajetë të Fatimës, e cila qe vrarë pak më parë. Zemra po i therte edhe për djaloshin nga Kodra e Trimave, Shefqet Zekën, i cili kishte rënë në pikën tjetër, por s’ kishte ç’të bënte. U ngrit në këmbë si div mali dhe shikoi nga Qyqyavica. Mendjen e kishte te popullata. Mblodhi fuqinë dhe e hodhi edhe mortajën e fundit. Tanku zinxhiror, që i kishte dalë pas shpine, andej nga shkolla e Dobrashecit, u përplas në humnerën e pafund si bishë e plagosur. Atij i buzëqeshi fytyra. Ashtu buzagaz i mbylli sytë qetas, sikur kur flinte. As ofshamë, as rënkime…

-Fehmi, mos na lërë vetëm!- briti thekshëm e shoqja, duke ia vënë kokën në prehër…

Sakaq iu kujtua  21 janari i vitit 1988.  Ishte ditë e ftohtë, me acar e me borë. Vjehrri, Muhameti (Tushi), shpesh e merrte  dhe bashkë vizitonin Fehmiun në burg. Edhe atë natë erdhi në odë, por,  në bisedë e sipër i kishte thënë xha Abdylit: «Sikur ta kisha Xhevën në shtëpinë time, përgjysmë do të më lehtësohej dhembja e malli për Fehmiun.»

Ai qe menduar, madje në fillim i erdhi rëndë! Zemra i rrahu fort, por më në fund vendosi për t› ia dhënë me vete, ashtu pa krushq, pa pajë, pa dasmë. Kur po zbardhte agu i së enjtes, ata po kaptonin drejt Qyqavicës. Prindi nuk u durua pa e nxjerr në letër këtë dramë shpirtërore:

       Një krushk, një njeri, një baba.

     Xhevë, është yti prind!

     Në zemër mban një zjarr, një prush,

     Baba me emrin e nderit

     e quajnë TUSH.

     Nga sot është edhe prindi yt.

     Pra, ta duash fort,

     Ta ruash si sytë…

-Qëndro Xhevë, mos u ligështo! Harrove ç’biseduam pak më parë? Dasmë pa mish s’ka. Ja edhe Galica e Azemit për të saten herë u sakatos keq. Nuk e shikon gjakun e bijve të saj se si rrjedhë lumë nga maja e bjeshkës mëmë…

-Ah, më fal dada Shotë. Unë nuk po qaj, jo. Qyqavica po loton. Ja shikoje si po pikon Maja e Zezë. Ashtu pat lotuar edhe shtatëdhjetë e katër vjet më parë për Azemin tënd. Dhe loti i ngriu në qepalla. Dëshmorët nuk qahen. Ata nuk e durojnë lotin dot. Vetëm këngë e pushkës ua qetëson shpirtplagamën.

Dhe, snajperi e saj  sërish mori në thumb. Kriminelit që kishte guxuar të afrohet deri afër, i fluturuan trutë në erë. Ktheu kokën prapa. Fare pranë komandantit edhe një lulëkuqe e freskët, amazona Fatime…

Po ajo shtëpi që tymon zi? Ah, aty është plaku Hamit Lladrovci, i cili nuk deshi t’ia tregoi shpinën armikut, por u ndalë dhe e mbrojti pragun e shtëpisë stërgjyshore…Krismat e lirisë nuk pushonin, ato dëgjoheshin edhe përreth…

-Edhe ushtari i fundit të largohet që këtej! -foli Xheva preras. S’ka diskutim, tash unë urdhëroj këtu, – thirri për së dyti, duke i detyruar të largoheshin edhe ata që hezitonin ta linin vetëm, edhe Asllan Fazliun…

-Dada Shotë, ku je moj, a më dëgjon? Mos thuaj që Xhevë Krasniqi-Lladrovci nuk u bë komandante. Po, po dhe ktheu kokën prapa që të shoh mos pahiri po i hidhërohej i shoqi…

Sakaq një plumb i mallkuar e qëlloi keq. Buzëqeshja i ngriu në fytyrë. Një baluke e gjakosur i kishte rënë mbi sy. E hodhi vështrimin tej e tej. Drenica po digjej anembanë. Gjithkund tym e flakë. Zemra i qau për atë zallamahi çmendëse. I kishte ngelur edhe një bombë e vetme. U ngrit në gjunjë dhe me dorën e ngritur lart shqiptoi me sa zë që kishte: Rroftë Kosova e l…i…r…ë !