Këngëtari i mirënjohur i këngës të mirëfilltë patriotike shqipe Ilir Shaqiri, është rikthyer me një këngë të re, të cilën e solli në bashkëpunim me Arben Krasniqin. Kënga e titulluar “Batalioni Atlantiku”, i kushtohet të rinjve shqiptaro-amerikan, të cilët në fillim prillin e vitit 1998, lanë gjithcka cfarë kishin, familjen, shtëpitë, punën në SHBA dhe erdhën në Kosovë për t’iu bashkuar luftës clirimtare të popullit të Kosovës.
Në atë kohë ata kanë vepruar në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, që u bë pjesë e rëndësishme e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Këta të rinjë qysh në atë kohë vendosën të merrnin këtë veprim, sepse menduan që ishte mëse i nevojshëm angazhimi i tyre për luftën clirimtare në Kosovë. Ata mund të mos kishin vepruar kështu, por dashuria e madhe që ata kishin për kombin dhe atdheun, qe më e fortë se dëshira për të pasë një jetë te qetë dhe normale. Lufta në Kosovë ndaj popullit shqiptarë, vrasjet, masakrat, dhunimet nuk mund ti lejonin ata të jetonin të qetë. Prandaj në vitin 1999 morën vendimin të niseshin për në Kosovë, aty ku i flinte zemra dhe gjaku. Ky battalion karakterizohet edhe për faktin se mblodhi shqiptarë të Amerikës të të gjitha trevave pa dallim dhe bashkë vendosën të betoheshin për të njejtin qëllim. Ndërsa, njihet si batalioni i parë, i cili në mesin e tij kishte një grua, trimëria dhe patriotizmi i së cilës ishte tejet i madh. Sepse atdhedashuria ishte e madhe dhe ishte e njejtë për të gjithë.
Nga ky batalion, ranë dëshmorë tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Mehmeti dhe Agroni, të cilët ranë për të mos vdekur kurrë.
E me rastin e 20-të vjetorit të ardhjes së ushtarëve të Batalionit “Atlantiku”, kengëtari Ilir Shaqiri ka nxjerrë këngën që i dedikohet pikërisht këtyre ushtarëve, tekstin e së cilës e ka shkruar vet, ndërsa orkestrimi është realizuar nga djali I tij Korab Shaqiri.


















